|E premte, Tetor 20, 2017

“10 deputetë të PD-së i kërkuan Nafiz Bezhanit dosjen e Berishës”. 

Untitled-112Tiranë – Politika shqiptare po diskuton këto ditë mbi një temë të shumëpërmendur në këto 24 vjet demokraci, hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Madje, dy prej deputetëve të opozitës, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi kanë depozituar në Kuvend një projektligj për hapjen e dosjeve. Idenë e hodhi, dashur pa dashur, vetë kryeministri Edi Rama, ditën e hapjes së bunkerit muzeal, ‘Bunk’Art’. Por, ndërkohë djali i të ndjerit Nazif Bezhani, ish-kryesuesit të Komisionit për Verifikimin e Figurave, shprehet skeptik për hapjen e këtyre dosjeve. Këtë konkluzion, Viron Bezhani e ka krijuar pas bisedave që ka bërë shpesh me babanë e tij. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Viron Bezhani rrëfen disa nga historitë e kohës që kanë bërë bujë. Ai kujton, për shembull një ngjarje që i ka treguar babai i tij, kur 10 deputetë të PD kërkonin të merrnin dosjen e kryetarit të tyre, Sali Berisha. Nazif Bezhani, me qetësinë që e karakterizonte u tregoi se më parë ata duhet të verifikonin veten e tyre, por nga ky verifikim që vetë Bezhani kishte, bërë 5 prej deputetëve që janë edhe sot në politikë kishin dalë spiunë të Sigurimit. Një tjetër histori është ajo me grevën e disa të persekutuarve, të cilët kundërshtonin ndryshimet që donte të bënte në ligj Bezhani. Por, sipas tregimit të tij, jo vetëm që ata nuk e kishin lexuar ligjin, por mes tyre kishte ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit.
Zoti Bezhani, ditët e fundit në mjediset politike po flitet sërish për temën e hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit. Si ju duket kjo rihapja sa e sa herë e kësaj teme?
Mendimi im është që hapen tema kur duan të sulmojnë dikë. Pra, kjo është e saktë, sepse po qe se do të donin të hapnin dosjet, do t’i kishin hapur. Këtu, sa herë duan t’i thonë dikujt të heshtë, nxjerrin historinë e dosjeve dhe thonë që kujdes se ua hapëm dosjet. Të njëjtën mënyrë ka përdorur gjithmonë politika. Por, sa serioze është këtë herë, ta shikojë parlamenti. Unë mendoj që kjo është thjeshtë për t’i mbyllur gojën dikujt.
Babai juaj ka kryesuar komisionin e famshëm “Bezhani”, për të hedhur dritë mbi të shkuarën e personave të caktuar, por në fakt nuk u arrit të hapeshin ato dosje. Çfarë ka ndodhur në dijeninë tuaj? Çfarë ka penguar?
Për mua ka penguar ligji. Ligji e thoshte saktë, edhe në rastin e komisionit “Bezhani” se si duhet të vepronte kur kishte të bënte me spiunë. Duhet të ndiqeshin tri etapa. Duhet t’i çohej një letër kryeministrit për ta larguar nga detyra. Mbase nuk pranonte dhe pastaj thirrej vetë personi dhe sqarohej që ti ke këto kushte që nuk i plotëson dhe duhet të largohesh. Nëse nuk e pranonte këtë, pastaj baba, siç ka vepruar me nja dy persona që ka dalë edhe hapur me artikull në gazetë, duke i detyruar pastaj që të tërhiqeshin personat.
A flisnit shpesh me babin tuaj rreth kësaj çështjeje? Mund të na tregoni diçka nga bisedat që bënit?
Unë me babën luaja shpesh, e ngacmoja më ngacmonte. Shpesh më thoshte ti je vetëm për mundje. Nuk merr vesh. Unë rrija e shikoja kur punonte dhe më tregonte lloj-lloj episodesh. Unë mbaj mend, për shembull një episod nga 1997, ishin 10 deputetë të PD-së që kërkuan dosjen e kryetarit të tyre, Sali Berishës. Kishin shkuar te baba dhe i kishin thënë: “Sali Berisha është kështu e ashtu dhe duam të na japësh dosjen”. Baba u kishte thënë që nuk e kam me ligj që t’u bindem juve, por në radhë të parë duhet të verifikoheni ju vetë dhe pastaj duke u verifikuar vetë, të verifikoni edhe këtë person që e keni në parti. “Kur të vijmë? – e kishin pyetur. – Pas 10 ditësh u kishte thënë baba”. Vijnë pas 10 ditësh të 10 deputetët, gjenden lehtë se kush janë. Hynë te baba brenda. Ai u thotë: Shikoni, unë i kam parë edhe dosjet tuaja dhe është e pamundur që ligji thotë që po u hap dosja e kryetarit të partisë për t’u verifikuar, duhen ca firma nga një nivel më i lartë, jo nga ju. Në këtë moment kërcyen dy veta dhe i thonë: Ti qenke bashkëpunëtor me atë, qenke spiun. Pra, filluan duke e ofendu babën. Baba që shquhej për qetësinë u thotë: Më dëgjoni vetëm një minutë, ti zoti ‘Plepi’, pra i thirri direkt njërit me pseudonimin që kishte pasur. Më dëgjo edhe ti ‘Pishtari’, këto janë emra që unë po i them kot. Dhe kështu, babai u thërret 5 vetave me emrat që kishin pasur në dosje. Dhe ata ngelen, pa mbaruar baba bisedën ata ishin çuar e kishin dalë jashtë. Ose në rastin tjetër, PD-ja për ligjin që po bënte baba, që të dënonte vetëm fajtorët ishin ngritur të gjithë të persekutuarit dhe ishin futur në grevë. Dhe baba shkon në grevë bashkë me ambasadorin amerikan në atë kohë. I thotë ambasadori babës që do përgatisim diçka që duhet ta themi. Mos u merr ti me atë punë, se merrem unë, i thotë baba. Dhe shkojnë në grevë dhe u thotë atyre që ishin futur: Çfarë keni ju të paqartë nga ligji. Ata i thonë, jo ti je komunist, je ashtu e je kështu. Dakord, more ça jam unë, – thotë baba, – ç’keni me ligjin, ju nuk e doni, ta heqim. Ata nuk e kishin lexuar fare ligjin dhe baba u thotë, ‘mirë’ dhe i shkon kryesorit: unë e di kush je ti dhe u thotë edhe dy-tre vetave je filani, filani. Nuk kalon minuti, tak, tak dalin jashtë të gjithë. Dhe i thotë ambasadori: Ne kishim parashikuar se këtu do bëhej nami, çfarë ndodhi, çfarë u the? Dhe babi i thotë nuk ta them dot, ta them në ambasadë. Shkojnë në ambasadë dhe flasin: Çfarë i the? – e pyet ambasadori. – I thashë pseudonimin, i përgjigjet baba. Filluan duke qeshur. – Po pse more edhe ata kishin qenë bashkëpunëtorë?! Hajde të shikosh këtu se çfarë bëhet, një katrahurë që nuk ka ku të shkojë më, – i thotë baba. Ai thoshte gjithmonë: Nuk dua të nxjerr spiunët, por dua të ndihmoj drejtësinë.
Sa prej ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit janë edhe sot në politikë, sipas atyre që keni biseduar me babanë?
Ka të them të drejtën dhe mund të shkojë edhe te 10%.
Nga të dyja anët?
Mund t’ju them vetëm një gjë që: Kur kërkoi baba të ndryshohej ligji në parlament, u hodhën të dyja palët nuk e pranuan. Ai kërkoi të ndryshojë ligjin, sepse ai kishte mendim tjetër, thoshte: Nuk diskutohet që spiunët janë mëkatarë për këtë problem, por mëkatarët më të mëdhenj janë këta të sotmit. Këta janë ata që kanë veprime kriminale, kanë shërbyer, kanë bërë këtë apo atë, lekë të pista, probleme nga më të ndryshmet dhe u thoshte e kuptoni ju ku po shkoni, ndaj duhet të nxjerrim një ligj që t’i shërbejë Shqipërisë, sepse mëkatarët e rinj janë shumë më të këqij se sa mëkatarët e vjetër. Kjo ishte ajo që ai e thoshte përherë.

alb365.com/GSH

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Skandali/ Aleksandër Çipa dhe Kokëdhima në listën e zezë greke

Gazeta greke “Proto Thema” publikoi të shtunën një shkrim ku bën fjalë për një nismë të qeverisë greke për t’i...

Close