|Thursday, December 8, 2016
  • NA NDIQ NË

28 NËNTOR PA KRISTON NË QYTETIN E PAVARËSISË. KËRKO NDJESË PUBLIKE O PUSHT(ETAR) 

Nga ORNELA HILA – Këtë të hënë priten festime në qytet. Do ketë festë në Vlorën e Pavarësisë. Aktivitetet janë programuar, si cdo vit vetëm ju ndryshohet data.

Do festohet në Vlorën e Pavarësisë pa Kriston 17 vjecar, në shtëpinë e së cilit është hapur vaji e zor se mbyllet. Sa dhimbje e turp për një qytet, e sidomos atij të Pavarësisë.

Besoj si për festë do i shohim buzagaz të gjithë me rradhë si cdo vit, duke na rrecituar fjalime të shkruara nga të tjerë, e duke na treguar histori që i kanë me të dëgjuar.

Nuk do të na flasin për rrugë pa krye, as për punë që nisin e s’mbarojnë, si lungomarja e turpit, që tashmë në prag të festave, ku duhet të ishte ngjyrosur kuq e zi me flamurin shqiptar, u skuq me gjakun e një 17 vjecari dhe zinë e një familje e një qyteti të tërë.

Po afrojnë 24 orë nga tragjedia e Lungomares, e s’kemi parë të dalë të kërkojë falje për ngjarjen asnjë drejtues i pushtetit në Vlorë, asnjë deputet, asnjë drejtues institucioni vendor e qendror, as kryetarin e bashkisë se kemi parë.

Madje përpos tragjedisë së familjes Panajoti, që humbi birin 17 vjecar, këtë ditë Vlora ka përjetuar e jetësuar tragjedinë më të madhe të saj në këto 104 Pavarësi, tragjedinë e të qenurit sistematikisht e tallur dhe përdorur nga pushteti e qeveritë e gjithë këtyre viteve.

Më dhemb shumë jeta e një 17 vjecari, që padyshim do të festonte Festat e Nëntorit me miqtë e tij këtë fillim javë, por që pa pasur vaktin u vra në pabesi, nga mungesa e ndricimit, nga mungesa e një tabele e një rrethimi në atë gropë të hapur në mes të rrugës së bregdetit.  U vra nga papërgjegjshmëria e pushtetit e krimit të lidhur me të.

Kërko ndjesë o Pusht(etar)!

Po po, kërko ndjesë, i cdo niveli qofsh, hesht dhe bëhesh palë me krimin që vrau pabesisht një 17 vjecar e që po vret shpirtërisht mijëra vlonjat cdo ditë nga pak.

Habitem si kanë kurajo të dalin nëpër qytet drejtuesit e bashkisë, deputetët, drejtuesit e institucioneve në Vlorë,  e mbarë politika që do të vijë të celebrojë festën si cdo vit këtë 28 Nëntor.

S’duhen më fjalime, këtë herë s’duhen më lavde për dëshmorët e Pavarësisë, as urime të stisura e sforcuara si cdo vit, këtë herë duhen vetëm falje publike, dënim për përgjegjësit e vërtetë për tragjedinë e së shtunës. Për tragjedinë e këtyre viteve harrese, neglizhence, shkatërrimi;

Duhet ndjesë për një popull të futur në depresion për pak asfalt, pak bojë të bardhë, disa llampa elektrike, e pak tabela.

Këtë  vit për 28 Nëntorin duhen falje publike që Vlorën e 104 vjetorit të Pavarësisë e keni rrobëruar  e regresuar më keq se para 104 vjetëve. Asokohe 17 vjecarët nuk binin në gropat e krimit, por për atdhe.

RIP për Kriston e vogël! Ngushëllime Familjes! Turp për të gjithë ju të tjerët që vazhdoni të heshtni!

Add a Comment

%d bloggers like this: