|E enjte, Mars 30, 2017

4 shënime të gjata për skemën e Maturës Shtetërore 2016 

Nga ERION DELVINA – 4 shënime të gjata për skemën e Maturës Shtetërore 2016

***

I. Historia e një maturanti
______________________

Vajza, e mira e nënës, babait dhe e shkollës, përmbylli ciklin e studimeve të shkollës së mesme me mesataren shkollore 9.83.

Përveçse u la të gërryente të gjithë thonjtë e duarve nga ankthi i pritjes nga faza në fazë, me daljen e përgjigjes në fazën e dytë, u vlerësua me preferencën e saj të tetë.

Theksoj: 9.83, preferenca e TETË.

( Edhe tifozë që preferojnë tetë skuadra futbolli nuk gjen.)

A ka njeri mbi këtë dhe’ që të ketë tetë preferenca të parëdorshme?

A motivohet njeriu i shpërblyer në preferencën e tij të tetë?

A është ky më një vend për 9.83-sha?

_________________________
II. Më shumë se një lojë
_________________________

Mjafton fakti që disa maturantë e kanë marrë tashmë përgjigjen dhe të tjerë jo, që ky sistem të jetë më së pakti i padrejtë.

Llotaria Amerikane ua thotë copë, njëherazi, të gjithë shqiptarëve: fituat ose jo!

Është, si të thuash, lojë.

Telebingo Kombëtare ua thotë copë, njëherazi, të gjithë shqiptarëve sapo ka dalë edhe gogla e fundit: fituat ose jo!

Është, tamam të thuash, lojë.

Kjo loja e maturantëve, disave u thotë që ju fituat. Të tjerëve pa merak se do të fitoni, edhe pse s’keni fituar akoma. Të tjerëve pa merak se edhe mund të fitoni, edhe pse mund të mos fitoni me të parën. Të tjerëve kurrë mos fitofshi, ja tek është privati!

Imagjinoni një punëdhënës që punëtorin e dalluar, me rendimentin më të lartë të ndërmarrjes, e paguan më datë 1. Tjetrin pas një jave, ndërsa pjesa tjetër pret në ankth nëse do të paguhet ose jo.

Imagjinoni, më rëndë se kaq, që një nënë me katër fëmijë: djalit të bindur gjirin e mëngjesit ia jep në mëngjes, më pak të bindurit mëngjesin ia jep në drekë, arrakatit mëngjesin në darkë dhe të pabindurin, më arrakatin e katërshes, në mos harroftë, mëngjesin e sotëm ia jep mëngjesin tjetër të së nesërmes.

Pastaj?! Ministria ankohet për panikosjen e maturantëve, punëdhënësi për uljen e rendimentit të përgjithshëm të punëtorisë dhe nëna e padrejtë për shëndetin e lig të disa prej fëmijëve.

__________________________
III. Gjetja djallëzisht “ekselente”
__________________________

I shpërblen mësuesi dorëlëshuar me dhjetë.
I shpërblen mësuesi dorështrënguar, edhe për hatër të uniformitetit të deftesës, me dhjetë.
I shpërblen prindi mundësiplotë, në qoftë i tillë, me pushime të mira verore dhe ģarderobë.
I shpërblejnë shkollat e mesme, nëse janë private, me bursa.
I shpërblejnë bashkitë dhe drejtoritë arsimore të vendeve nga vijnë me çertifikata, fletë-lavdërime, foto në zyrat e drejtorëve dhe kryebashkiakëve, statuse falenderues nga dora e vogël e asistentes së kryebashkiakut etj.
I shpërblejnë me ekuivalentet e “Mbrëmjes së Madhe”
I shpërblejnë me emaile të panumërta nga universitetet private që duan t’i bursojnë.
I shpërblen ministrja e Arsimit dhe Kryeministri me pritje ceremoniale.
I shpërblen Presidenti i Republikës me medalje ari.
I shpërblen formula që dhjetën ua kthen në 10.1 në bazë ponderimi.
Shpërblimi i ekselencës së gjimnazeve është përherë i mirë.
Të shpërblehen!

T’i shpërblejë madje Bashkia Tiranë me apartamente të parapaguara, transport, ndërqytetës ose urban, të parapaguar gjithashtu. Telefonia dhe interneti i parapaguar është një ide që vlen të merret në konsideratë për të mirën e ekselencës së gjimnazeve tona.
Bashkia, sakaq, përveç Kartës së Studentit, t’i’ua sigurojë edhe Kartën e Ekselentit. Fjalëkalime të posaçme që ekselenca parauniversitare të vizitojë falas bibliotekat online dhe të ndjekë falas kurse online të profileve të caktuara.
T’i shpërblejnë madje edhe me Kampin vjetor të Ekselentëve, që ata të rrjetëzohen me njëri-tjetrin.
T’i shpërblejnë me revistën vjetare të ekselencës, që të fitojnë më tepër shprehi e vizibilitet.
T’i shpërblejnë madje me ture dhe vizita në institucionet e BE-së dhe vendeve fqinje.

Meqënëse, për hir të ekselencës janë gati të bëhen edhe qesharakë:
Le ta shpallin 12 shtatorin si Ditë Kombëtare të Ekselencës dhe ekselentët të rrinë pushim, e nëse dita përkon me të dielën, pushimi le të shtrihet mbi të hënën.

Më shumë duhet bërë për ekselencën e gjimnazeve shqiptare.
Më seriozisht u duhet marrë me ta!

Shumë pak është bërë.

Vetëm kujdes!
Kurrë!
Kurrën e kurrës!
Kurrën e kurrës së kurrës nuk i duhet dhënë akses i diferencuar një grupi, qoftë kjo edhe kullojësia e të mesmeve, në raport me një grup tjetër në drejtim të të drejtave bazike si informimi, shkollimi dhe informimi mbi të drejtën e shkollimit.

Ç’do të thotë që ekselenca e fiton më parë të drejtën e shkollimit se pjesa tjetër?

Ç’do të thotë që një jaht ankorohet në portin e maturantëve dhe ndërkohë ekselenca shëtit, pjesa tjetër terr, kaos, panik, not, zhytje, mbytje në breg.

Do të thotë që, njësoj si në jetën politike dhe financiare të këtij vendi, paska edhe në radhët e maturantëve një shtresë që i kapka më shpejt mundësitë?

Njësoj si miliarderët mundësitë dhe hapësirat në biznes dhe politikë. Ç’mbetet pastaj, kryesisht mbetjet thërrmijore, pjesa tjetër?!

Jo more!

Kaq seriozisht e paskeni marrë perfeksionimin e sistemit ujitës të pabarazisë?!

__________________________________
IV: Konkluzione- përmes pyetje-përgjigjeve
__________________________________

1. Një pyetje kam unë: Hyri në fuqi ligji i Arsimit të Lartë? “Hyri, më 1 shtator”, thatë ju.

2. Bukuri, një pyetje tjetër: U shëndrrua në OJF (organizatë jofitimprurëse) Universiteti X, siç vet administratori i universitetit proklamonte gatishmërinë për një hap të tillë, nëse reforma kalonte? “Jo”, thatë ju.

3. Edhe një tjetër: u bë publik, apo publik i pavarur? “Jo pra, thamë”, thatë prapë ju.

4. Edhe një pyetje përmbyllëse: nëse ka ndërruar status, nëpërmjet cilës VKM (Vendim të Këshillit të Ministrave) faktohet
kjo? “S’dimë gjë”, vazhduat ju.

5. Nëse asnjë nga ndryshimet e mësipërme s’ka ndodhur, dhe këtë e kam pyetje të fundit, betohem, mbi ç’bythë rri ndenjur logjika që maturanti orientohet me skemë shtetërore drejt një universiteti privat?
(as publik, e as publik i pavarur 《më së pakti- siç vet e pikturuan në ligj》)
Heshtët ju.

6. Nëse një skemë shtetërore orienton studentë drejt universiteteve private (as publike, as publike të pavarura), dreqi e marrtë, pse kërcejnë kur u thuhet që paraja po i delegohet pandershmërisht privatit?

7. A nuk ju duket si përbetimi i qerosit që fal flokët, vetëm e vetëm të sigurojë një krehër? Gatishmëria e flokëdhënies është gatishmëria për t’u shëndrruar në OJF, vetëm që sistemi, pra krëhëri, të krihte.

alb365

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: https://t.co/sWM7U77R7D https://t.co/3oixT16cFl
4,029 people follow ALB365
Twitter Pic StolzNet Twitter Pic Ledina47 Twitter Pic ddsahara Twitter Pic vanigjuz Twitter Pic uuque Twitter Pic MarioRol Twitter Pic joel6220 Twitter Pic AzzaStep Twitter Pic metin_no Twitter Pic kul12113 Twitter Pic javivis1 Twitter Pic 1Ambu Twitter Pic 5pt Twitter Pic RodheimT Twitter Pic RatliffT Twitter Pic laxkatz1 Twitter Pic MertYavu Twitter Pic RolandoJ Twitter Pic BeduBill Twitter Pic rafael_k
Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
"Brazil 2014" oraret e plota te ndeshjeve.

    Kampionati botëror në Brazil do të filloj me ndeshjen Brazil-Kroaci, të enjten me fillim prej orës 22:00. Ndeshjet që...

Close