|E enjte, Dhjetor 14, 2017

ALARMI/ Shqiptarët po ikin, vendi rrezikon të mbetet pa “kokë” dhe “duar” 

Në 27 vite tranzicion ku emigracioni ka qenë një zhvillim normal ndër shqiptarë me ikje-ardhje, nuk ka patur kurrë një situatë më alarmante sa e viteve të fundit, ku “ikja” është shndërruar deri në “kërcënuese” në planin social.

Eda Gemi jeton mes dy shteteve, Shqipëri-Greqi. Është shkolluar dhe e ka ngritur karrierën profesionale në shtetin fqinj, ku ka punuar edhe pranë zyrës së kryeministrit Jorgos Papandreus për emigracionin.

U rikthye në Tiranë pas një ftese nga qeveria shqiptare si pjesë e panelit të samitit të Diasporës dhe aktualisht është pedagoge.

Në një intervistë për tesheshi.com, Gemi analizon sindromën e ikjes së shqiptarëve, arsyet që i nxisin drejt migracionit dhe jep disa sugjerime për qeverinë….

Shqipëria po përjeton një tjetër valë emigrimi, pas asaj të viteve të para `90 që nisi me ambasadat e vijoji me portet; pas ‘97-ës gjithashtu; e tani gjatë këtyre tre viteve të fundit. Cila është e përbashkëta dhe diferenca mes tyre në atë që mund të quajmë bazën emotive dhe motivuese?

Migracioni, pra lëvizja ose më saktë zhvendosja masive e njerëzve në hapësirë dhe kohë, është një element endemik i vetë ekzistencës njerëzore. Është, në një farë mënyre, pjesë esenciale e evolucionit dialektik të qytetërimit botëror.

Popullatat migratore të kohëve moderne (dhe post-moderne) përbëhen zakonisht nga grupmosha të reja dhe demografisht dinamike. Të ndihmuar nga teknologjia e komunikimit,  migrantët janë  mbartësit e ndryshimit, janë ata që kërkojnë të jenë pjesë e barabartë e “tryezës” së mireqënies dhe konsumerizmit qe ofron sistemi ekonomik global.

Nëse e interpretojme në terma marksiste, migrantët janë proletarët e kohëve moderne ku migracioni është një akt thelbësor i “revolucionit” për ndryshim. Në epokën e hi-tech, varfëria, papunësia, pagat e ulëta, mungesa e shanseve dhe aksesit të barabarta në tregun e punës, diskriminimi, dhe pabarazia sociale simbolizojnë “prangat” që duhen thyer medoemos, me çdo kosto, duke vënë në rrezik akoma dhe jetën.

Problematikat që shtrohen, gjithsesi, lidhen me përmasat dhe intensitetin e lëvizjeve migratore, si dhe pasojat që ato sjellin si në hartën e gjeografisë njerëzore ashtu dhe në zhvillimin socio-ekonomik të vendit dergues.

Në rastin e Shqipërisë, migracioni masiv i  shqiptarëve gjatë viteve ’90 kishte karakter unik, multi-dimensional dhe tipare të theksuara heterogjene. Një popull i dëshpëruar kërkonte me çdo kusht lirinë. Nevoja absolute për liri e përforcuar nga kultivimi i një imazhi idilik, pothuajse mitik i “Botës Perëndimore” nuk njihte kufizime moshe, niveli arsimor, statusi socio-ekonomik, urban, estetik apo politik. Të dalë nga një izolim absolut 50-vjeçar, amoku i arratisë kolektive u kthye në një aventurë kombëtarë. Me një popullatë prej 2.8 million (sipas censusit 2011) banorësh, Shqipëria ka aktualisht një nga përqindjet më të larta të migracionit për frymë në botë, me një të tretën e shtetasve të saj (1.25 million ne 2014, sipas UN) që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali.

Pas 27 vjetësh eksperiencë migracioni – që përkon me tranzicionin e shteti shqiptar – përmasat dhe intensiteti i këtij fenomeni kanë ndryshuar si nga pikëpamja sasiore ashtu dhe cilësore. Tipari themelor, masiviteti, ka pushuar së ekzistuari. Njohja me vlerat dhe sfidat e Perëndimit, maturimi i valëve migratore, ngritja e nivelit ekonomik dhe arsimor, kualifikimi profesional, kultura demokratike e përftuar kryesisht në vendet e destinacionit, zhvillimi i ekonomisë dhe ri-organizimi i shtetit shqiptar, kanë dhënë kontributin e tyre. Paralelisht, faktorë paksa më subjektiv si familja, komuniteti dhe nevoja e identifikimit të individit me një “pasaportë’’ kolektive, kanë luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në ri-dimensionimin e fenomenit të migracionit dhe në ri-vlerësimin e marrëdhënieve me realitetin shqiptar.

Pavarësisht zhvillimeve pozitive, ajo ç‘ka bën përshtypje është dëshira e vazhdueshme e shqiptarit për t’u larguar nga vendi. Sipas një sondazhi botëror të Gallup (2016) 56% (më shumë se gjysma e popullsisë) e shqiptarëve dëshiron të largohet nga vendi për një jetë më të mirë.

Në ndryshim nga vitet ’90, gjithsesi, përbërja demografike e rrymave migratore dhe konteksti institucional (p.sh liberalizimi i vizave) paraqesin specifika të veçanta të cilat i kanë dhënë një konfigurim të ri fenomenit të migracionit shqiptar. Më konkretisht, në migracionin e parregullt (ciklik, sezonal, ilegal) përfshihen kryesisht banorë të zonave rurale, me një nivel arsimor të ulët, të cilët vuajnë nga varfëria dhe papunësia. Përbërja familjare ndryshon në vartësi të specifikave të vendit të destinacionit. Në Greqi apo Itali, për shembull, migrojnë ciklikisht kryesisht burra për punësim sezonal në sektorët e bujqësisë ose turizmit. Në Gjermani, migrojnë kryesisht familje, pasi sistemi ligjor dhe benefitet sociale përkatëse janë me favorizuese ndaj familjeve dhe mbrojtjes së tyre. Në të dyja rastet informacioni dhe plani migrator gjenerohen me ndihmën dhe solidaritetin e rrjeteve farefisnore dhe të komuniteteve shqiptare të stabilizuara prej vitesh nq vendet e destinacionit.

Ndërkaq, një rrymë tjetër migratore është ajo e “trurit” (brain drain) ose e thënë ndryshe, e asaj pjese të shkolluar (elita intelektuale) të popullatës që në pamundësi për t’u zhvilluar profesionalisht në Shqipëri, vendos të largohet drejt vendeve të zhvilluara industriale si SHBA, Angli apo Kanada.

Diferenca me të kaluarën pasqyrohet tek karakteristikat specifike të reflektuara tek përbërja demografike (mosha, gjinia dhe migrimi individual vs familjare), niveli arsimor (shumë të kualifikuar vs të pakualifikuar) ashtu dhe të statusit social (rural vs urban). Motivimi për të migruar është tashmë i mirë-formuluar dhe buron nga nevoja për punësim, për vetë-realizim, për zhvillim karriere, sigurimin e një niveli jetese më të mirë dhe të një mjedisi më të sigurtë për fëmijët.

Arsyet që shtyjnë migrantë të rinj drejt largimit janë kryesisht të lidhura me varfërinë, papunësinë dhe pasigurinë institucionale që karakterizon realitetin shqiptar. Shqipëria vazhdon të jetë një nga vendet më të varfëra të Europës ku niveli i papunësisë së të rinjve në 2014 arriti shifrën 32.5%.

Kur njerëzit përligjin ikjen, zakonisht kanë një set arsyesh shabllon. Por cilat janë ato arsye të përligjura e cilat jo, për t’u larguar?

Ajo ç’ka e bën unike rastin e migracionit shqiptar në hartën e migracionit botëror, është fakti se ai nuk rresht së prodhuari forma të reja migratore. Kthimi (si pasojë e krizës ekonomike në Greqi dhe Itali), ri-imigrimi (në destinacione të reja), migrimi i paligjshëm, migrimi ciklik dhe transnacional, migrimi për studime dhe azil politik janë disa nga tiparet karakteristike të migracionit shqiptar të viteve 2010-2017. Nuk është e rastësishme që Shqipëria renditet e 21-ta në krye të 50 vendeve të origjinës së migrantëve të rinj në vendet e OECD përgjatë periudhës 2005-2015. Përveç kësaj, sipas një raporti të Amnesty International (2017) 20.000 shqiptarë kanë aplikuar për azil politik në vendet e BE në 2016. Numër ky i reduktuar në krahasim me vitin 2015, kur sipas Eurostat shifra e azilkërkuesve shqiptarë në BE arriti 65.000.

Pyetja e thjeshtë që lind është: si është e mundur që shqiptarët ndërmarrin një aventurë të tillë duke e ditur se 99% e aplikimeve janë automatikisht të refuzuara pasi Shqipëria konsiderohet vend i sigurt dhe shtetasit e saj nuk janë të ekspozuar ndaj ndonjë rreziku për jetën apo privim të lirive themelore?

Pra, të aspirosh për azil politik në momentin kur gëzon lirinë e lëvizjes brenda zonës Schengen është sikur të kesh humbur sensin e kohës dhe të vendit. Gjithsesi, shfrytëzimi i çdo mundësie, mekanizmi apo kanali të ligjshëm për të migruar (si emigrantë ekonomik dhe jo azilkërkues) është e drejtë legjitime e çdo individi, i cili aspiron për një jetë më mirë dhe cilësore.

Në ikje po vihet re dhe prezenca e një game njerëzish me ekonomi të mirë e status të respektuar social. Dhe kjo na çon në pyetjen se mos vallë kemi të bëjmë dhe me një psikozë kolektive?

Në hartën e migracionit shqiptar po kristalizohen dy grupime demografike me karakteristika specifike socio-kulturore dhe ekonomike. Në fakt kjo tendencë është një mikro-pasqyrë e polarizimit dhe e procesit të shtresëzimit (stratifikimit) të  shoqërisë shqiptare.

Nga një anë, vihet re tendenca gjithmonë e në rritje e largimit nga vendi i një shtrese urbane/qytetare, me një nivel arsimor dhe profesional të lartë dhe status social të konsoliduar. E sfilitur nga tranzicioni i tejzgjatur, e zhgënjyer nga pasiguria institucionale që gjeneron sistemi politik ekzistues, kësaj shtresë i mungon vizioni apo perspektiva e mobilitetit socio-ekonomik. E  pajisur me resurse dhe kapital njerëzor të përftuara, si brenda ashtu dhe jashtë vendit, kjo gamë njerëzish është e mirëinformuar dhe ndërgjegjësuar për sfidat e planit migrator.

Nga ana tjetër, ekziston një shtresë me prejardhje kryesisht rurale, e pakualifikuar ose me kualifikim të ulët, e kthyer, në shumë raste, nga një aventurë e pasuksesshme migratore në vendet fqinje (Greqi dhe Itali). Kjo e fundit, e ç’orientuar nga pasojat e krizës ekonomike, e papërgatitur për një ri-integrim të mundshëm në kaosin e realitetit shqiptar, gjendet e ngërthyer në një rreth vicioz. Të goditur nga sindroma e “jetimit të përjetshëm”, pa pika referimi solide dhe pa identitet të konsoliduar social, migrantët i drejtohen të vetmes rrugë që njohin, asaj të migracionit spontan (bazuar në informacion dhe rrjete informale) drejt destinacioneve që mund t’iu ofrojnë punësim dhe një jetë më dinjitoze.

Pra, nga njëra anë kemi largimin e “trurit” (brain drain) dhe të elitës intelektuale, dhe nga ana tjetër migracionin e fuqisë punëtore (e duarve të punës). Nëse kjo situatë masivizohet atëherë shumë shpejt do të jemi një komb pa “kokë” dhe pa “duar”.

Përvoja e vendeve të tjera ka treguar se hemoragjia e largimit të trurit është një nga fatkeqësitë më të mëdha që mund t’i ndodhin një kombi. Nëse shpresa dhe besimi tek institucionet dhe vlerat demokratike që ato gjenerojnë vazhdojnë të jenë “pronë private” e klasës politike, po, shumë shpejt dëshpërimi kolektiv do të marrë përmasat e psikozës kolektive.

Kur kryeministri Rama është pyetur lidhur me këtë valë ikjeje, nuk është shfaqur shumë i shqetësuar. E ka konsideruar si diçka normale në një botë të lirë, e madje theksuar efektet pozitive që mund të ketë ajo në ekonominë shqiptare nesër. Është apo nuk është kështu?

Padyshim që kryeministri si nga këndvështrimi politikbërës ashtu dhe i vizionit humanist-liberal që e karakterizon, e njeh se fenomeni i migracionit është ekstremisht dinamik, multi-dimensional dhe gjithpërfshirës. E drejta e lëvizjes së lirë, e aksesit në tregun e punës, e vetë-realizimit, e zhvillimit të personalitetit të individit, janë disa nga copëzat themelore që skicojnë profilin e njeriut të lirë, i cili presupozohet se jeton në një botë të lirë, ku vendimet e tij janë rrjedhojë e përzgjedhjeve racionale midis alternativave që i ofrojnë strukturat përkatëse (opportunity structures).

Por a përkon profili i migrantit shqiptar me atë të një njeriu të lirë, vendimet e të cilit udhëhiqen nga qasje racionale dhe të mirëmenduara? A e konsideron emigranti shqiptar aktin migrator si një diçka normale dhe shprehje të vullnetit të tij të lirë? A është i ndërgjegjshëm se ky akt është thjesht shprehje e lirë e preferencave të tij individuale midis alternativave të ndryshme që strukturat i ofrojnë? A është papunësia apo varfëria e skajshme pjesë e përzgjedhjeve që bota e lirë i servir migrantit shqiptar?

E parë nga një perspektivë utilitare, kryeministri ka të drejtë kur vë theksin tek efekti pozitiv i migracionit në ekonominë shqiptare. Paratë e migrantëve kanë shërbyer si burim esencial për sigurimin e mbijetesës dhe mirëqënies së familjeve të migrantëve në Shqipëri. Remitancat kanë qënë dhe janë një nga burimet më të rëndësishme ekonomike që kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen (pothuajse 14%) e GDP në vend. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, vetëm për vitin 2014, kontributi i remitancave në ekonominë shqiptare ka arritur shumën 592 million euro.

Një efekt tjetër pozitiv është fakti se popullata migratore, duke mos jetuar në Shqipëri, nuk merr, por vetëm jep, duke mos e “rënduar” kësisoj sistemin ekonomik dhe social të vendit. Migrantët nuk konkurrojnë për vende pune pasi nuk janë pjesë e tregut të punës. Ata nuk përfitojnë nga skemat e benefiteve sociale, nga sistemi shëndetësor, arsimor dhe i pensioneve. E thënë ndryshe, migracioni përbën një “triple ëin situation” për shtetin shqiptar dhe një “lose-lose situation” për vetë emigrantët.

Çfarë do i sugjeronit Ramës nëse do merrte mendimin tuaj, në lidhje me këtë fenomen?

Artikulimi i një projekti politik të menaxhimit të migracionit dhe zhvillimit ekonomik, mund të ketë tre prioritete.

Së pari, prioritet duhet të jetë rregullimi i rrymave migratore nëpërmjet institucionalizimit të migracioni të kualifikuar dhe të profilizuar sipas nevojave të tregjeve të punës që potencialisht mund të punësojnë qytetarë shqiptarë. Diçka e tillë nënkupton organizimin e qendrave të trajnimit profesional me kurrikula të artikuluara sipas niveleve dhe standarteve të tregut europian të punës. Një hap i tillë do të lehtësonte mobilitetin e punëtorëve shqiptarë, njohjen automatike të kualifikimeve dhe krediteve përkatëse dhe integrimin e menjëhershëm në tregun e punës. Paralelisht, nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe për punësimin e organizuar të migrantëve në sektorë të caktuar të ekonomisë së vendit të destinacionit përbën një kusht të rëndësishëm për njohjen dhe respektimin e të drejtave të punës, sigurimit dhe pensionit.

Së dyti, prioritet duhet të jetë formulimi i politikave të orientuara drejt krijimit të strukturave specifike  që do të mundësojnë angazhimin e diasporës në zhvillimet socio-ekonomike dhe demokratike. Krijimi i Ministrisë së Shtetit për Diasporën është një hap pozitiv, i cili vlerëson potencialin dhe vlerën e shtuar të kapitalit socio-ekonomik që diaspora mbart. Padyshim, që kontributi i diasporës në zhvillimin e Shqipërisë të adresohet siç duhet, rëndësi i duhet kushtuar dinamikave të zhvillimit lokal dhe rajonal në mënyrë që investimet të kanalizohen për të rritur efektshmërinë e tyre. Gjithashtu, lidhja dhe bashkëpunimi i diasporës me institucionet në Shqipëri do të lehtësojë transferimin e dijes dhe teknologjisë. Kontrolli i migracionit të paligjshëm përbën prioritetin e tretë.

 

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Lista e politikanëve serbë “non grata” në Kosovë mund të zgjerohet

Qeveria e Kosovës pritet të zgjerojë listën...

Close