|E premte, Korrik 21, 2017

ALEANCA GREQI, SERBI, BULLGARI JASHTË KOHE 

Nga SHABAN MURATI – Të nesërmen e samitit të Triestes në 12 korrik të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, që ishte faza e katërt e “Procesit të Berlinit”, i iniciuar nga kancelarja Angela Merkel, Greqia organizoi në 13 korrik një mikrosamit ballkanik.

Vështirë ta kuptojë njeriu se përse duhej një samit i veçantë i tri shteteve ballkanike një ditë pas samitit të BE për Ballkanin Perëndimor dhe çfarë do të zgjidhnin së bashku në rajon kryeministri i Greqisë, presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Bullgarisë, që nuk e zgjidhka dot BE. Disa njohës të punëve duan të thonë se mikrosamiti ballkanik u organizua nga Greqia si inat ndaj BE dhe “Procesit të Berlinit”, të cilët e kanë injoruar Greqinë në formatin BE-Ballkani Perëndimor dhe nuk e kanë ftuar në asnjë samit të “Procesit të Berlinit” deri tani. Greqia nuk u ftua as në Trieste. Hatërmbetjen e Greqisë e shprehu hapur zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, pasi doli nga bisedimet me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Kocias, në Athinë, kur kërkoi në konferencën e përbashkët për shtyp në 10 korrik që Greqia duhet të marrë pjesë në samitin e Triestes.

Në planin diplomatik është vështirë të shpjegohet nevoja e këtij samiti apo aleance trepalëshe midis Greqisë, Serbisë dhe Bullgarisë. Sidomos e paqartë është arsyeja e pjesëmarrjes së Bullgarisë, e cila nuk ka marrëdhënie të posaçme me ta, siç kanë me njëra-tjetrën Greqia me Serbinë, të cilat po atë ditë në 13 korrik, në Selanik, përuruan samitin e Këshillit të Lartë të Bashkëpunimit dypalësh. Zyrtarisht u tha, siç e theksonte gazeta greke “Ekathimerini” në 13 korrik, se “në fokusin e samitit trepalësh është çështja e sigurisë dhe e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”. Pas punimeve të samitit të fuqive të mëdha europiane në Trieste dhe angazhimit gjithnjë e më të ngushtë të BE për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, nuk mund të mos ngresh supet për këtë detyrë stërmadhe, që i vë vetes mikrosamiti i Selanikut dhe që është përtej shpatullave të treshes së Selanikut. Së pari, lind kureshtja për të hulumtuar se kush ua kërkoi dhe kush ua ngarkoi këtyre tri shteteve detyrën e sigurisë dhe të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. Kjo është një detyrë e madhe, që e ka marrë përsipër BE, ku katër shtete të Ballkanit Perëndimor janë kandidate për anëtarësim dhe dy shtete po ecin drejt këtij statusi. Një nga objektivat kryesorë të “Procesit të Berlinit”, të shkruara që në Deklaratën e Parë themeluese në Berlin në 28 gusht të vitit 2014 dhe të përsëritur në Deklaratën e Presidencës italiane të samitit të Triestes të 12 korrikut 2017, është garantimi i sigurisë dhe i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Së dyti, as Greqia dhe as Bullgaria nuk janë shtete të Ballkanit Perëndimor dhe ata thirrën vetëm Serbinë për të diskutuar këtë çështje. Nuk u thirrën prej tyre dy shtete të Ballkanit Perëndimor, që janë anëtare të NATO-s si Shqipëria dhe Mali i Zi, nuk thirrën as Maqedoninë, që është shtet kandidat për në NATO, por zgjodhën Serbinë, shtetin që zyrtarisht ndjek politikë antiatlantike dhe ku qeveria celebron çdo vit një datë kundër NATO-s. Kushdo që ka ndjekur sado pak zhvillimet në rajon që nga rënia e komunizmit, e din se për të gjitha konfliktet dhe luftërat, trazirat dhe krizat në vendet e Ballkanit, ndihma dhe zgjidhjet kanë ardhur nga BE dhe NATO, të cilët kanë garantuar stabilitetin dhe sigurinë rajonale. 12 shtete ballkanike janë anëtare të së vetmes organizatë rajonale, SEECP, ku bëjnë pjesë dhe tri shtetet e mikrosamitit të Selanikut, por SEECP me 12 shtete nuk ka qenë në gjendje të zgjidhë as edhe krizën më modeste në rajon gjatë 22 vjetëve e jo më ta zgjidhin tre shtete prej tyre.

Nuk kuptohet se çfarë sigurie dhe stabiliteti do të sjellë në Ballkan Serbia, e cila mban të ndezur detonatorët e dy vatrave konfliktesh të ngrira, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Veriun e Kosovës. Çfarë sigurie mund të sjellë Serbia, që është aleati strategjik i Rusisë në të gjitha drejtimet, përfshirë edhe atë ushtarake, e cila pas pushtimit të Krimesë nga Rusia po zhvillon çdo vit manovra ushtarake me forcat ruse në territorin e saj, ka ngritur bazën ushtarake ruse të Nishit dhe po ndërton edhe një bazë tjetër ruse në Vojvodinë, e cila po armatoset me armë të sofistikuara ruse, përfshirë edhe sistemet e raketave S-300, etj.

Si çdo nismë diplomatike, edhe kjo e krijimit të një aleance të re Greqi, Serbi, Bullgari ka brenda interesin e nismëtarit dhe konkretisht të Greqisë. Portali grek “int.ert.gr” shkruante në 13 korrik se samiti “është një përpjekje për të forcuar rolin rajonal të Greqisë”. Është konfirmimi i një ambicieje konstante të shtetit dhe të diplomacisë greke për të lozur jo vetëm rol kryesor, por edhe rolin e lokomotivës në Ballkan, siç e pat përkufizuar dikur Georgos Papandreu. Një ambicie, që daton qysh nga shembja e komunizmit dhe Greqia kishte avantazhin e të qenit i vetmi shtet anëtar i BE në Ballkan, por një ambicie tejet jashtë mundësive dhe kapaciteteve të Greqisë. Pikërisht këtë pamundësi në shkallë rajonale, Athina kërkon ta kompensojë me lojën meskine ballkanike të grupimeve të vogla shtetesh, që të kenë qendër Greqinë. Kjo lojë diplomatike është bërë obsesison i ministrit të Jashtëm grek Kocias, me qëllimin e krijimit të gurëve të njëpasnjëshëm të mozaikut të një influence greke në rajon. Në këtë linjë duket të jetë edhe grupimi i tanishëm Greqi, Serbi, Bullgari. Diplomacia greke është përpjekur të organizojë edhe grupimin Greqi, Bullgari, Rumani, grupimin Greqi, Serbi, Maqedoni, grupimin Greqi, Qipro, Izrael, etj. e deri tek grupimi i çuditshëm Greqi, Bullgari, Shqipëri, Maqedoni, i krijuar vitin e kaluar. Në një këndvështrim gjeopolitik, mund të thuhet se është një mision i pamundur i diplomacisë greke të realizojë gjithë këto konstelacione rreth Athinës dhe të shkojë nga rolet e veçanta drejtuese në këto grupe në një rol të përgjithshëm ndikues rajonal.

Duke kërkuar një bazë të përbashkët, mbi të cilën u thirr samiti i grupimit Greqi, Serbi, Bullgari del e vështirë të gjesh një emërues të përbashkët, përveç faktit se janë tri shtete me shumicë ortodokse. Këtë element e himnizoi në Athinë sidomos zëvendëskryeministri serb, Daçiç, i cili deklaroi se Serbia dhe Greqia janë vëllezër dhe solli si provë manastirin ortodoks serb të Hilandarit në malin grek Athos. Por këta vëllezër nuk kanë të përbashkët as gjuhën, as shkrimin, as racën, as zakonet, as kulturën dhe as prejardhjen. E vetmja gjë që i lidh është feja ortodokse dhe kjo po glorifikohet si salduesja e marrëdhënieve të veçanta. Por aleancat e shteteve mbi baza fetare jo vetëm nuk janë burim sigurie dhe stabiliteti, por në rajone si Ballkani mund të bëhen lehtësisht vatra tensionesh të rrezikshme. Profilet fetare të grupimeve të shteteve dobësojnë bazën e integrimit euroatlantik të rajonit dhe u interesojnë shteteve me strategji ndërhyrjeje në rajon si Rusia, e cila sipas burimeve të mirinformuara ka përkrahur në kanale diplomatike krijimin e grupimit apo të një aleance të tri shteteve ortodokse.

Është mirë të hulumtohet se çfarë prapavije strategjike ka dhe kujt i drejtohet demonstrimi i forcës nga ky grupim i ri në ditën e samitit. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se Greqia, Bullgaria dhe Serbia nuk janë tri herë, por 10 herë më të fuqishëm së bashku se sa janë individualisht, duke theksuar se: “Ne jemi gati për të gjitha çështjet të veprojmë së bashku në përgjigje të sfidave të brendshme dhe të jashtme”. Kryeministri i Bullgarisë, Boiko Borisov, deklaroi në Selanik: “Tre popuj bashkë, ne nuk jemi tri vende, por 10 herë më të fuqishëm”. Kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras, deklaroi se, “ka rreziqe të destabilizimit, të ekstremizmit të fuqizuar dhe një influencë në rritje të vendeve të treta në Ballkan”. Përtej mentalitetit të njohur ballkanik të mburravecërisë popullore e shtetërore, nuk mund të mos lindë pyetja se në cilën adresë drejtohet ky hakërrim diplomatik fuqie nga mikrosamiti.

Çdo shtet tjetër ballkanik, që e sheh veten jashtë këtyre grupimeve sektare, ndjen nevojën të bëjë analizat e veta për pasojat afatshkurtra apo afatgjata, që mund të vijnë për stabilitetin dhe për marrëdhëniet ndër-rajonale. Është e drejtë e Shkupit të shtrojë pyetjen se si mund të diskutohet në mikrosamitin e këtyre tri shteteve për Maqedoninë, pra për një shtet të tretë, kur Maqedonia nuk është e pranishme atje dhe si mund të diskutohen në Selanik megaprojekte si kanali lumor Selanik-Beograd, që do të kalojë nëpër Vardarin e Maqedonisë dhe nuk ftohet shteti përkatës.

Është e drejtë edhe më e madhe e Shqipërisë të analizojë këto zhvillime, tendenca dhe rryma arkaike ballkanike, të cilat përsërisin skema të vjetra historike dhe në forma të ndryshme, direkte ose indirekte, mund të cenojnë interesat e Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Unë mendoj se duhet të shërbejë si një sinjal alarmi deklarata provokative e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiç, në konferencën e shtypit me ministrin e Jashtëm grek në 10 korrik se: “Ne duhet të komunikojmë rregullisht dhe dinamikisht për të konsideruar çështjet rajonale, që kanë të bëjnë me çështjen e influencës së faktorit shqiptar në rajonin tonë”.

Është hera e parë që ministri i Jashtëm i Serbisë përdor shprehjen “influencë e faktorit shqiptar në rajon” dhe bën thirrje publike për bashkëveprim greko-serb kundër faktorit shqiptar në rajon. Është një provokim, i cili meriton një reagim dhe notë zyrtare proteste nga Shqipëria, e cila nuk duhet të kalojë me serenitet këto atakime shtetërore serbe, në një kohë që MPJ e Daçiçit bën rregullisht protesta për mesazhet e urimit të qytetarëve, kur projektohen në muret e kryeministrisë në Tiranë. Faktori shqiptar në rajon paraqitet zyrtarisht nga Serbia si rrezik rajonal dhe Kocias i mbajti ison, duke deklaruar se “ne diskutuam për zhvillimet në Shkup, në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”.
Këto zhvillime tregojnë se qarqet tradicionale antishqiptare në Ballkan nuk janë koregjuar aq shumë, sa mendojnë disa prej shqiptarëve dhe me gjithë modën politike europiane që ndjekin, nuk e kanë bërë katarsisin e aspiratave negative ndaj kombit shqiptar. Mikrosamiti i grupimit Greqi, Serbi, Bullgari tingëllon si reminishencë e gjeopolitikës së errët të diplomacisë ballkanike të kohës së luftës së parë ballkanike. Është një projekt politik jashtë kohe. Mund të flasësh sa të duash me retorikën patetike të vizioneve futuristike të Ballkanit, por e vërteta është më e hidhur nga sa mendohet. Janë zhvillime dhe situata, të cilat shpresojmë se do të ulin në tokë kozmopolitët, internacionalistët dhe levantinët në Tiranë, të cilët i shohin zhvillimet në rajon nga retë.

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: Ja trendi i ri për vetullat (fotot) https://t.co/ViuOUoldOc https://t.co/JDJ9HTD6lY
11,309 people follow ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Skrepisti i bashkisë i dehur nuk zhbllokon kanalet por i mbulonë (foto e video)

Fier - Skrepisti i grupit të punës që varet nga bashkia Fier sot ka bërë skandal pasi i dehur jo...

Close