|E diel, Dhjetor 17, 2017

“Arratia” e fundit e Greqisë . 

GRECIA ALLE URNE: LE PROMESSE DI TSIPRAS PER RISOLLEVARE IL PAESENga BRET STEPHENS

Rezultati me më shumë dhimbje, por ndoshta edhe më i miri, do të ishte një dalje e detyruar e Greqisë nga eurozona, që do të shërbente si një paralajmërim dramatik për reformatorët e tjerë pa shkëlqim të Europës, për atë që u ndodh atyre vendeve të cilët i marrin leksionet e ekonomisë prej faqeve të editorialëve të Nju Jork Tajmsit. Vota për Tsiprasin dhe majtistët e tij radikalë është arratia e fundit e Greqisë nga realiteti. Zgjedhjet kanë pasoja. Grekët tani do të zbulojnë të tyret

Sa herë që mendoj për Greqinë dhe ekonominë e saj, nuk mund të mos mendoj për historinë e mostrës së feçes.

Më falni që e nis me një shënim skatologjik, por ja tek kam një rrëfim shumë domethënës për një vend i cili, duke zgjedhur partinë radilkale të majtë Syriza fundjavën që kaloi, sapo votoi për ta fundosur veten në WC. Në vitin 2011, sipërmarrësi grek Fotis Antonopoulos dhe partnerët e tij vendosën të hapin OliveShop.com, një “dyqan” në internet i specializuar në produktet e vajit të ullirit.
Përpara se të fillonin biznesin, sigurisht, u nevojiteshin dokumentat e nevojshëm. Siç rrëfen gazeta greke “e-Kathimerini”, duheshin autorizime nga zyra e taksave, autoritetet vendore, departamenti i zjarrfikësve, si edhe banka, e cila këmbënguli që e gjithë faqja e internetit të ishte në greqisht – dhe vetëm në greqisht – pavarësisht përpjekjeve të Z. Antonopoulos për t’u shpjeguar se produktet e tij kishte ndërmend t’ua shiste klientëve të huaj.
Më pas ishte radha e departamentit të shëndetit, i cili informoi Antonopoulosin se aksionerëve të kompanisë do u kërkohej të bënin radioskopi të gjoksit dhe – po, po – analiza të mostrave të feçes. Greqia ka standarte, jo shaka.
OliveShop.com iu deshën dhjetë muaj për të marrë gjithë firmat, çertifikatat dhe vulat. Problemi me bankën u zgjidh vetëm kur Z. Antonopoulos preferoi të lidhet më mirë me PayPalin. Ndërsa për rregjistrimin në Administratën e Ushqimit dhe Ilaçeve në SHBA iu deshën vetëm 24 orë, bashkë me plotësimin brenda 5 minutash të një formulari elektronik.
Historia e mostrës së feçes është një kujtesë e dobishme që, kur vjen fjala tek të kuptuarit e jetës ekonomike të një vendi, ia vlen që fillimisht të shohësh në nivel mikroj. Siç është rrëfyer në faqet e shumicës së gazetave perëndimore, ekonomia e Greqisë matet më mirë me raportet e borxhit ndaj GDP-së (174.9% në vitin 2014), borxhit të jashtëm (ende më i lartë se 400 miliardë), interesave të bonove (9.3% për 10-vjeçaret) e kështu me radhë.
Këto janë të gjitha shifra të rëndësishme, gjithmonë nëse dini se si të nxirrni përfundimet e duhur. Por studimi i ekonomisë – kjo fjalë buron nga fjala greke oikos, që do të thotë “shtëpi” plus nemein, që do të thotë “menaxho”, për të formuar fjalën oikomania, apo “menaxhimi i shtëpisë” – duhet të fillojë që nga bazat. Si për shembull: Cfarë duhet për të nisur një biznes në Greqi? Cfarë duhet vetëm për të mbijetuar?
Historia e OliveShop është një rast studimor për atë që të nevojitet për të nisur ligjërisht një biznes. Megjithatë, i gjithë qëllimi i këtyre “postblloqeve” rregullatorë është të krijohen mundësi për të “grasatuar” burokrarët me një “fakellaki” – fjala greke për zarf – i cili të mundëson marrjen e çertifikatës së nevojshme, apo kontratën qeveritare, apo takimin në kohë me mjekun.
Kur intervistova udhëheqësin e Syrizas, Alexis Tsipras, në Nju Jork dy vjet më parë, pyetja e parë që ai më bëri ishte: “Këtu në SHBA, përse ju nuk e keni këtë fenomenin e dhënies së parave nën tryezë?”
Përgjigja ime ishte që je më pak i prirur të marrësh rryshfet, nëse i ke mundësitë të fitosh në mënyrë të ndershme: Kapitalizmi është e vetmja kurë për korrupsionin. Tsiprasi më kundërshtoi, duke më thënë që nevojitej një “revolucion i ndërgjegjes”. Pastë fat!
Realiteti i Greqisë – me të cilin tani përballet dhe Tsiprasi – është se ky vend ka vite të tërë që bën gjoja ekonomikisht. Shteti ofron sigurim shëndetësor kombëtar: më pas, njerëzit paguajnë rryshfet me qëllim që të marrin trajtimin. Shteti vendos taksa të ngurta me qëllim që të përmbushë angazhimet që ka marrë para Brukselit, apo kërkesat e FMN-së: më pas njerëzit gjejnë mënyra se si të shmangin taksat. Shteti bën “spektakël” të paparë, duke ruajtur një arkitekturë rregullatore të klasit botëror: Rregullat shmangen përmes rryshfetit, shtrembërimit në raportime, si edhe marifeteve të tjerë.
Si mbijetojnë njerëzit? Ata mashtrojnë. Dhe mashtrimi është më pak akuzë morale për mashtruesit si individë, apo karakterin e grekëve në përgjithësi, se sa një akuzë e fortë për një sistem që nuk u jep njerëzve normalë asnjë zgjidhje tjetër të mirë, nëse duan të mbijetojnë.
***
Margaret Thatcher dikur ka thënë se problemi me socializmin është se me kalimin e kohës të mbarojnë paratë e të tjerëve. Për Greqinë koha që kaloi ishte shumë e gjatë, përderisa gjithmonë gjeti një mënyrë për të shpenzuar paratë e të tjerëve: paratë e Uashingtonit, pasi Doktrina Truman u shpall në vitin 1947; paratë e Brukselit, pasi u fut në Komunitetin Europian në vitin 1981; paratë e Frankfurtit pasi hyri duke mashtruar në Eurozonë në vitin 2001; paratë e Berlinit, pas fillimit të krizës së euros në vitin 2010.
Tani, më në fund loja mund të ketë mbaruar. Kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka bërë të qartë se nuk do e lejojë Athinën që të negociojë kushtet e paketës së shpëtimit, gjë që Tsiprasi e kishte shpresuar gjatë gjithë kohës duke besuar se BE nuk do e linte Greqinë të falimentonte. Bast i keq.
Tsiprasit tani do i duhet të zgjedhë mes përkuljes para kërkesave të atyre që e paguajnë, dyfishimit të bastit mbi socializmin, gjetjes së një tjetër shpëtimtari (ndoshta Kina, përderisa Rusia nuk është më e disponueshme), apo zbulimit me vonesë të vlerave që kanë tregjet e lirë, të cilët lejojnë që sundimi i ligjit të hedhë rrënjë.
Hamendësimi im është që Tsiprasi do të gjejë një rrugë për të shpëtuar fytyrën, dhe Greqia do të vazhdojë të zvarritet. Rezultati me më shumë dhimbje, por ndoshta edhe më i miri, do të ishte një dalje e detyruar e Greqisë nga eurozona, që do të shërbente si një paralajmërim dramatik për reformatorët e tjerë pa shkëlqim të Europës, për atë që u ndodh atyre vendeve të cilët i marrin leksionet e ekonomisë prej faqeve të editorialëve të Nju Jork Tajmsit.
Vota për Tsiprasin dhe majtistët e tij radikalë është arratia e fundit e Greqisë nga realiteti. Zgjedhjet kanë pasoja. Grekët tani do të zbulojnë të tyret.

alb365.com./The Wall Street Journal/

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Deputetë të komisionit sigurisë monitorojnë burgun e sigurisë lart në Fier (fotot)

Fier - Deputetët  e komisonit parlamentar të...

Close