|E hënë, Korrik 24, 2017

Asambleja e PS, 4 porositë e “fshehta” të Gramoz Ruçit për socialistët 

Përpara 174 anëtarëve të Asamblesë së PS-së, dy ishin protagonistët e vetëm të mbledhjes: Edi Rama dhe Gramoz Ruçi. Ndryshe nga herët e tjera që i gjithë sekretariati ulej në podium bashkë me kryetarin, në këtë mbledhje Edi Rama kishte marrë përkrah vetes vetëm Gramoz Ruçin: triumfatorin e kohës dhe bërrylave të pushtetit brenda partisë.

Ky ishte mesazhi i parë për të gjithë sekretarët, duke i ulur të gjitha bashkë me sallën, duke shmangur kështu me delikatesë vendosjen në podium të Koço Kokëdhimës. Në sallë ra në sy prania e vetmuar e këtij të fundit, që thuajse askush nuk i kushtoi vëmendje, veç ndonjë përshëndetjeje mirësjelljeje. Në sallë, mungoi siç pritej Ben Blushi, i cili një ditë më parë kishte deklaruar ndarjen nga PS, por edhe dy përkrahëset kryesore të tij brenda grupit parlamentar, si Mimoza Hafizi dhe Arta Dade. Pas fjalës së Edi Ramës që zuri kohën kryesore të takimit, vijoi mbledhja me dyer të mbyllura. Shqiptarja.com ka siguruar bisedën e plotë në vijim të mbledhjes, ku i vetmi që ka folë ka qenë Gramoz Ruçi. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, ka kaluar menjëherë në votim të gjitha vendimet, të cilat janë miratuar në unanimitet, dhe më pas u ka dhënë të deleguarve 4 porosi për riorganizimin e partisë dhe përgatitjen elektorale.

Fjala e plotë e Ruçit në mbledhjen e mbyllur

Gramoz Ruçi: Duke filluar nga kjo mbledhje e Asamblesë, nën udhëzimet e Kryesisë së Partisë, do të bëhen zgjedhjet e sekretarëve organizativë. Do të bëhet shumë kujdes që të mos ketë bashki që të ngelet pa sekretar për organizimin dhe administrimin e partisë. Bazuar në numrin e ZAZ që ka bashkia, do të caktohet dhe numri i sekretarëve që do të ketë bashkia. Në numrin e sekretarëve që do të ketë PS në bashki, do të mbahen parasysh veçanërisht: përbërja intelektuale, shoqërore dhe qytetare. Ajo që duhet të them, është se zgjedhja e sekretarëve duhet parapërgatitur së bashku me delegatët e bashkisë që janë pjesë e kësaj asambleje, deputetët, të deleguarit e kryesisë e po keni nevojë edhe tek ne më lart. Ky është problemi i parë.

Problemi i dytë, kryetarët e 61 degëve, nga e hëna do të jenë në detyrë funksionale me rrogë nga partia dhe do të ndjekin të gjithë problematikat që ka partia. Sigurisht do jenë të ndarë në disa kategori shpërblimi i tyre. Kategoria e parë është Tirana që është një territor shumë i madh. Kategoria tjetër do të jenë disa bashki që kanë deri në dy ZAZ dhe kategoria tjetër bashkitë me një ZAZ.

Problemi i tretë që kam, është se brenda këtij muaji do të përcaktohet koordinatorët elektoralë. Do të kemi koordinator elektoral për çdo bashki, pastaj koordinator për çdo ZAZ (zonë e administrimit zgjedhor) atje ku bashkia ka më shumë se një ZAZ, koordinator elektoral për çdo njësi administrative, dhe koordinator elektoral për çdo qendër votimi. Thashë që caktimi i sekretarëve është shumë i rëndësishëm, por kjo është akoma edhe më e rëndësishme. I gjithë ky proces që do të kryet nga anëtarët e asamblesë, deputetët dhe të deleguarit e kryesisë, do të udhëhiqet nga Sekretarja e Koordinimit Elektoral.

Problemi tjetër është problemi i dokumentacionit në parti. Një pjesë është duke punuar, një pjesë e ka përfunduar dokumenti i anëtarësisë së partisë, i cili duhet t’i vendoset në dispozicion të kryetarit të partisë. Kjo do të shërbejë në radhë të parë për të plotësuar regjistrin elektronik të procesit. Me pak fjalë, për t’i dhënë fund çdo lloj efektiviteti në parti. Kjo, edhe për të vazhduar aksionin për pranimet e reja në parti. Po ashtu, për të miratuar dhe grumbulluar kuotizacionin e anëtarësisë, sipas kësaj tabele që miratuam. Të gjithë kryetarët e degëve të rrinë, të tjerëve faleminderit.

Takimi me kryetarët

Pas mbledhjes së parë të asamblesë, Rama dhe Ruçi kanë shfrytëzuar mundësinë që të zhvillojnë një takim edhe me kryetarët e 60 bashkive të vendit, përjashtuar Tiranën që ende nuk ka një kryetar të ri që të zëvendësojë Tahirin. Në mbledhjen e shkurtër, Rama dhe Ruçi kanë përforcuar 4 porositë e dhëna më lart, ku kanë dhënë sugjerime për shtimin e anëtarësisë, evidentimin e problemeve sipas zonave dhe dokumentimin e të dhënave të çdo dege të partisë. Por një element tjetër i kësaj mbledhjeje asambleje, ishte dhe prania e 8 finalistëve të garës për FRESSH, të cilët zhvilluan takime sporadike në kërkim të mbështetjes për garën që do të zhvillohet në 22 tetor me votimin sipas parimit “Një anëtar-një votë”.

Për Blushin

Ashtu siç pritej, Blushi nuk mori pjesë në punimet e kësaj asambleje. Në mbyllje, Edi Rama ka bërë një koment të shkurtër në interes të gazetarëve. I pyetur nëse e vuri re mungesën e deputetit Ben Blushi, ai tha: “Nuk e di. S’e vura re, ishte a s’ishte”. Kurse deputeti Taulant Balla tha: “Komenti im është i thjeshtë, ka njerëz që çohen vonë dhe nuk kanë kohë që të lexojnë ligjet apo vendimet e Asamblesë. Asambleja Kombëtare e PS ka mbi 170 anëtarë”. Një ditë para mbledhjes së Asamblesë, Ben Blushi deklaroi ‘divorcin’ nga Partia Socialiste./ Shqiptarja.com

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: Festohet festa e “Pazari I Roskovecit” (fotot) https://t.co/vMBfiEUfEw via @wwwalb365com
11,311 people follow ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
PD thirrje për marshim proteste më 8 dhjetor

Tiranë - Partia Demokratike bën thirrje për një marshim protestë më 8 dhjetor kundër qeverisë të cilën sipas kryetarit të...

Close