|E diel, Tetor 22, 2017

Berisha: Presim revolucion, po vjen pika e vlimit 

Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar dje se, Partia Demokratike, nën drejtimin e Lulzim Bashës, nuk mund t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në kushte normale politike. Ashtu siç lajmëroi humbjen e zgjedhjeve lokale të 2015, duke përdorur si alibi ndarjen administrative, ish-kryeministri nënkuptoi se rezultati i Dibrës mund të përsëritet edhe në 2017.

Në këtë kuadër, Berisha theksoi domosdoshmërinë e linjës radikale dhe të destabilizimit të vendit, si e vetmja formë për t’u rikthyer në pushtet. I pyetur nëse rezultati i Dibrës mund të përsëritet në 2017, Berisha tha se shpresonte në shpërthimin e një revolucionit, ndërsa shtoi se po vjen pika e vlimit.

“Dibra është kambana e fundit për ata të cilët duan të votojnë të lirë, dhe kambanat bien për të gjallët. Për të gjitha të tjerat pyetjet mund t’ja drejtoni kryetarit të opozitës. Sali Berisha këtu është për hajdutin me fytyrë njeriu. Revolucionet kanë një tipar, fillojnë atëherë kur nuk ta pret mendja. Do ju jap një shembull, Çekia kishte disidencë nga më të organizuarat, kishte shumë vite para se të ndodhë revolucioni. Ata të cilët bënë gjithçka për vite e vite ata s’parashikuan dot atë që do ndodhte me studentët, revolucioni vjen nga pika e vlimit, vlimi për Edi Ramën po mblidhet dita-ditës, shpërthimi është absolutisht i mundshëm në çdo kohë që ne nuk e parashikojmë”, tha Berisha.

Konfirmon Bashën 
Ish-kryeministri Berisha mbështet Lulzim Bashën edhe pas humbjes në Dibër. Berisha është treguar i rezervuar në komentet e tij për kritikat e disa deputetëve ndaj Bashës. Po ashtu, ish-kryeministri evitoi t’i përgjigjej pyetjes nëse PD do të ishte më mirë më kryetar Berishën.“PD është një parti e hapur për debate… opozita për definicion është forca e lirive dhe të drejtave të njeriut, nëse devijon nga kjo shtyllë devijon nga vetja e saj. Asnjë koment se Sali Berisha është një ish-kryetar, duke thënë atë që thashë s’do i lejoj vetes kurrë që unë të ndërhyj në debate të brendshme, e kufizoj veten nga çdo lloj interference që e gjykoj se qenia ime ish kryetar mund të ndikojë se përndryshe unë, s’mundem të flas”, ka deklaruar Berisha.

Rikthimi në krye të PD 
Disa deputetë të Partisë Demokratike, herë pas here, kanë theksuar domosdoshmërinë e rikthimit të Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike. Deputetja Jozefina Topalli ka lënë të kuptohet se vijon të njohë vetëm Sali Berishës si kryetar të opozitës, duke vënë në dyshim autoritetin e Lulzim Bashës. Ndërkaq, ditët e fundit, deputetja Majlinda Bregu e ka konsideruar gabim zgjedhjen e Lulzim Bashës në krye të PD dhe dorëheqjen e Sali Berishës, pas humbjes së zgjedhjeve të 2013. Zërat për kthimin e Sali Berishës në krye të partisë shtohen sidomos pas çdo sfide elektorale. Gjithsesi, lakohet kandidatët të tjerë të mundshëm që mund të pasojnë një ditë Bashën në krye të partisë, si Eduard Selami, Jozefina Topalli apo Bujar Nishani.

Për revolucionin 
“Revolucionet kanë një tipar, fillojnë atëherë kur nuk ta pret mendja. Vlimi për Edi Ramën po mblidhet dita-ditës, shpërthimi është absolutisht i mundshëm në çdo kohë që ne nuk e parashikojmë”.

Për debatet 
“Asnjë koment se Sali Berisha është një ish-kryetar, duke thënë atë që thashë s’do i lejoj vetes kurrë që unë të ndërhyj në debate të brendshme, e kufizoj veten nga çdo lloj interference”.

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Sot – Takimi me Jahjagën, zgjedhje apo thellim krize

Kosovë - Presidentja Atifete Jahjaga, bashkë me Ambasadorin e SHBA’së në Kosovë, Greg Delawie, dhe Shefin e Zyrës së BE’së,...

Close