|E premte, Janar 19, 2018

BETEJA MES ‘FAMILJES’ DHE ‘TRUMPISTËVE’ 

Nga LUTFI DERVISHI – Libri “Zjarr dhe Furi” ka ngjallur shumë debate dhe është bërë më i shituri brenda ditës fal edhe reagimit rrufe të Shtëpisë Bardhë dhe vet presidentit amerika Donald Trump. I nisur për 100 ditët e para të presidencës, por i “vënë” para nga stuhia e ngjarjeve, libri bazohet në intervistat e autorit me presidentin dhe stafin e tij ngushtë gjatë 18 muajve.

Askush nuk ishte përgatitur për fitoren. 10 javë para zgjedhjeve, distanca në sondazhe mes Hillary Clintonit dhe Donald Trumpit ishte e paimagjinueshme për t’u përmbysur. Fitorja i gjeti të papërgatitur fituesit.

Lëvizjet e shpeshta e të befta të zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë, “çështja ruse” dhe vendimet e diskutueshme të javëve të para të presidentit shihen në kontekstin e mungesës së përgatitjes për të qeverisur.

Pas marrjes së pushtetit nga Trumpi, thelbi i librit mbetet beteja për pushtet mes dy grupeve rivale: familja përball Steve Banonit (ish-shefi i strategjisë dhe truri i finishit të suksesshëm zgjedhor).

Banon kërkon që Trump të mbetet Trump. I paparashikueshëm, armik me median tradicionale, figur polarizuese dhe bën çmos që agjenda fushatës – emigracioni, tregtia, ngrohja globale… – të jetë në qendër të vëmendjes. Banon kërkon që presidenti të mbetet lojtari jashtë sistemit që ka ardhur në Uashington për të tharë moçalin dhe për të shkundur elitën. Banon nënvizon se Uashingtoni është një qytet institucionesh dhe autori librit thekson se ky qytet është ndërtuar për të bezdisur dhe jo për të rehatuar presidentin.

Përballë Banonit është “Familja”. E bija dhe dhëndri (e munguara e madhe në libër është Melani Trump, përjashto një paragraf në kapitullin e parë, zonja e parë pothuaj nuk shfaqet), të dy me pozicione zyrtare në Shtëpinë e Bardhë kërkojnë që Trump të bëhet “President”, të jetë figurë unifikuese dhe të dalë nga politika izolacionit. Këtu është me interes roli i 94-vjeçarit Henry Kissinger, ish-sekretari shtetit i Richard Nixonit në përgatitjen e takimeve të nivelit të lartë me Kinën dhe Rusinë. Po ashtu edhe afrimin e Tony Blairit për çështjet e Lindjes së Mesme.

Dallimi mes dy filozofive shfaqet qartë në dy fjalimet e presidentit. Fjalimi inagurues (nën ndikimin Banonit) më 20 janar 2017 dhe fjalimi para sesionit të përbashkët të Kongresit më 28 shkurt 2017.

Beteja për të fituar Trumpin (familja) dhe Trumpizmin (Banon) sot ka një fitues të qartë: familja! Por, “lufta” nuk ka mbaruar.

Mos përgatitja për të ardhur në pushtet mund të shpjegojë edhe gafën me rusët të stafit të Trumpit, gjatë fushatës dhe përplasjen e beftë me gjykatat dhe sistemin në lidhje me vendimin për të bllokuar me vendim ekzekutiv ardhjen emigrantëve në SHBA.

Ndikimi rus në zgjedhje është “ariu i (pa)dukshëm” që shqetëson presidentin Trump. I ardhur nga bota e biznesit dhe spektaklit, i mësuar për të kryer punë në stilin “u tha, u bë”, presidenti e ka të vështirë të pranojë faktin që anëtarë të familjes së tij mund të vihet nën hetim.

Sapo hetimi artikulohet më 20 mars të 2017 nga drejtori FBI-së, James Comey, në një seancën në Kongres, përkundër këshillës së drejtorit të kabinetit dhe Steven Banon, me këmbënguljen e familjes presidenti shkarkon drejtorin e FBI-së! Ky është momenti shekspirian kur Banon thotë: vajza do të marrë me vetë të atin!

“Ndikimi rus në zgjedhje” është lajm i dorës tretë, por nëse shkarkon drejtorin e FBI-së, do të bëhet lajm i parë në gjithë botën” e këshilloi Banon, presidentin. ”Nuk mund të shkarkosh FBI-në”!

Presidenti i zemëruar paralajmëron edhe shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions, që sapo e ka emëruar për shkak se ky “në konflikt interesi” heq dorë nga hetimi për ndikimin rus (Sessions, dhëndri Jared Kushner, djali presidentit, dhe ish-këshilltari për sigurinë kombëtare Michael Flynn kanë zhvilluar takimin në Kullën Trump me rusët, gjatë verës së 2016, për marrjen e informacioneve që do të dëmtonin në fushatë Hillary Clintonin).

Zëvendësprokurori përgjithshëm, një burokrat karriere, e heq “pataten e nxehtë” duke “tërbuar” akoma më shumë presidentin. Ai cakton një prokuror të posaçëm për hetimin, ish-drejtorin e FBI-së, Robert Mueller. Hetimi që po bëhet për këtë çështje, nga prokurori posaçëm, Kongresi dhe Senati për “ndërhyrjen ruse” është problemi për të cilën flitet më pak, por është edhe momenti i ndarjes së dy miqve dikur për kokë: Trump-Banon!

“Në do të bësh një armik të vërtetë, zgjidh mikun më të ngushtë që ke. Ai di ku do të godasë më mirë”. Kjo thënie, i shkon për shtat miqësisë së ish-shefit të strategjisë dhe presidentit.

Beteja e vërtetë e Trumpit është beteja për vëmendje. Ai kërkon ta duan pa kusht. E njeh media dhe fuqinë e saj. Banon e këshillon që me median (sidomos tradicionalen) nuk duhet të bëj përpjeke t’i ketë miq. Vetë Trump ndihet i bezdisur kur media shkruan për “Presidencën Banon”.

Foto e këshilltarit të tij në kopertinën e revistës Time nuk gëlltitet lehtë nga presidenti. Në fillim të fushatës për president ai shkarkoi Roger Stonen, njeriun që i propozoi publikisht që më 1988 të shpall kandidaturën për president. Stone tha se dha dorëheqjen, por pranoi se mosmarrëveshja kishte të bënte me aksesin dhe daljet e shpeshta të tij në media.

Trump nuk jeton dot pa televizionin. Kërkesa e tij e parë për dhomën e gjumit është: sjellja edhe dy televizorëve të tjerë me ekran të madh.

Për jetën në Shtëpinë e Bardhë kanë “rrjedhur” shumë lajme. Autori librit thotë se “rrjedhësi” më i madh është vetë presidenti. Çdo pasdite në telefonata të gjatë me miqtë e tij flet për stafin, për pakënaqësitë që ka dhe për vendimet që do të marrë.

Libri është pasqyrë e sfidave të një presidenti me ambicie të mëdha, me ego akoma më të madhe, dëshira e të cilit është të merret (vetëm) me gjëra të mëdha.

Sfida është një njeri përballë një sistemi, përballë gjyqësorit, shërbimeve inteligjent, vetë qeverisë, përballë moçalit të firmave ligjore, konsulentëve e lobistëve. Është njeriu që ngadhënjeu ngaqë politikën nuk e pa si art të kompromisit, por si art i konfliktit, ku fituesi i merr të gjitha dhe humbësi humb gjithçka.

Me emërimi në korrik të 2017 të gjeneralit në pension John F. Kelly si drejtor kabineti dhe largimin tri javë më pas nga Shtëpia e Bardhë të Steven Bannonit, duket se në Shtëpinë e Bardhë është rikthyer rregulli.

A do të munden tre gjeneralët (ministri Mbrojtjes, këshilltari për Sigurinë Kombëtare, dhe drejtori Kabinetit) të mbajnë nën kontrollin egon e njeriut që kërkon të bëj gjëra të mëdha?

Presidenti dhe mbështetësit mburren për tërheqjen e SHBA-ve nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, për reformën në sistemin e taksave, dhe sidomos për rritjen ekonomike të ekonomisë amerikane.

Pas Vitit të Ri u duk se një postim në Twitter për Korenë e Veriut – “bën mirë të mos kërcënojë SHBA-të se përndryshe do të përballet me zjarr dhe furi që bota kurrë nuk e ka parë” – do të ishte lajm për një kohë të gjatë.

Por, lajmi tashmë është libri: “Zjarr dhe furi” deri… në një “twitt” tjetër të presidentit ose ndoshta deri javën tjetër kur prokurori posaçëm do të pyesë presidentin për “aferën ruse” në zgjedhjet amerikane.

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Luca Modriç i kërcen Ançelotit. (video)

Luca Modric e ka frikësuar...

Close