|E mërkurë, Tetor 18, 2017

Bezhani për dosjet, ja emrat e spiunëve nga politikanë e deri në shkrimtarë. 

bezhaniTiranë – Ish-kreu i Komisionit shtetëror për Verifikimin e Pastërtisë së Figurave të Zyrtarëve, Nafiz Bezhani, në një intervistë të dhënë më 8 qershor 2004, për gazetën gjermane “One Word Southest Europe” zbardh detaje të largimit të 104 zyrtarëve e politikanëve të të gjithë krahëve nga politika, e disa pseudonime politikanësh e zyrtarësh që bëhen publikë për herë të parë.

Njëherësh ai flet për djegien dhe vjedhjen e dosjeve, duke përmendur dhe 56 kasetat e zhdukura bashkë me emrat e mijëra agjentëve të Sigurimit të Shtetit. “Nga dosjet që kam kontrolluar unë, kemi agjentë që janë rekrutuar edhe më 1990-n. Ata kanë qenë të rinj fare, bile unë kam një rast nga një fraksion i PD-së. Është njëri me pseudonimin “Trëndafili” dhe këtu bëhet fjalë për të gjithë ata agjentë të Sigurimit të Shtetit që kërkonin të denigronin njerëzit e ndershëm dhe demokratë. Unë ka kohë jo vetëm tani që kam mbetur formal në komision, sepse qeveritarëve nuk u ka pëlqyer puna ime dhe në ligjin e bërë për Komisionin e Pastërtisë së Figurave nuk përcaktohet asgjë për kompetencat.

P.sh., nëse shkel ligjin, Kryeministria, komisioni duhet të bëjë këtë apo atë. Mua si kryetar komisioni nuk më njihet e drejta as të kërkoj verifikim. Unë i kam bërë me iniciativën time të gjitha, sepse askush nuk çante kokë për verifikim të figurave. Gjatë punës sime më dolën 16 diplomatë në kompjuter. Gjykata e Kasacionit, me në krye një njeri të PD-së, nuk i mori provat dhe as nuk i pranoi të dhënat e kompjuterit si prova. Meqë më dilnin në kompjuter dhe nuk kishin dosje i mora nën hetim të gjithë. Kjo në fakt nuk është e rregullt, por ndërgjegjja nuk më linte pa dalë në këtë rrugë.

Po të pranonin nga biseda që u bëja unë, do të thoshte se ata e pranonin se kanë qenë spiunë. Ia arrita vetëm në dy raste, u bënë urdhrat dhe kur u ktheva në Shqipëri, ata u larguan nga detyra e diplomatit dhe u kthyen në atdhe. Por, në rastet e tjera unë nuk arrita të bëja gjë, sepse dokumentet e tyre janë hequr, janë zhdukur dhe unë nuk kisha prova për t’i penalizuar”, thotë Bezhani në intervistën e tij për gazetën gjermane.

Vjedhja e dosjeve
“Një pjesë e dosjeve janë djegur dhe për këtë është dënuar penalisht edhe ish-drejtori i SHIK-ut, ndërsa një pjesë tjetër e dosjeve janë vjedhur. Janë vjedhur edhe një pjesë e mirë e kasetave. Unë kam bërë edhe denoncimin penal për 56 kasetat e zhdukura bashkë me emrat e mijëra agjentëve të Sigurimit të Shtetit. Gjatë punës sime, ishte njëri në PD që kërkonte deri në vdekje fajtorin dhe unë ia tregova, ndërsa në raste të tjera u mundova të ruaja anonimatin. Në librin e parë që kam botuar nxora edhe disa materiale origjinale dhe njerëzit e kuptojnë shumë mirë se për këtë bëhet fjalë.

Por, ndonjëherë edhe nuk i kam vënë emrat. Siç ndodhi me një socialist, që ishte në funksione të larta. Këtij në fakt i kanë ngatërruar emrin dhe me emrin e tij kishte pesë dosje, por ai nuk figuronte të kishte qenë spiun i Sigurimit. Në një rast tjetër kisha një emër të dyshimtë në Gjykatën e Kasacionit, një Zef Nika. Kur bëra verifikimin në Gjykatë, doli që ishte nënkryetari i saj, por unë kisha 4 Zef Nika në kompjuter dhe arrita në përfundimin që ai nuk ka patur dosje dhe nuk u penalizua.

Si ky rast është ai i një ministri që kishte pesë dosje, por nuk më linin të bëja verifikimin, sepse duhej bërë me kërkesë të institucionit. Shumë spiunë m’i kanë kaluar nën rrogoz se nuk kam patur kompetenca. Por ata që kam ndjekur unë kanë ikur. Por, partitë nuk kanë kërkuar të bëjnë verifikime brenda radhëve të tyre. Ishin nja dy që bënë kërkesë dhe dolën që nuk ishin dhe aq të pastra. Ndërsa nga krerët e partive të mëdha ishte vetëm njëri që doli me njollë dhe e la pastaj detyrën që kishte.

Po është njëri, një shkrimtar, një njeri shumë i urryer që del edhe nëpër mitingje dhe si ai ka sa të duash, aq sa mund të bësh vëllime me historitë e spiunëve të Sigurimit. Njëherë më kërkuan të bëja një kontroll të deputetëve në Parlamentin e ardhshëm. Kur i kontrollova gjeta disa, mirëpo nuk kisha ç’të bëja. U thashë: “Dy ke ti, dy ke ti”, në vend që t’u thosha për dymbëdhjetë.
Gjatë punës sime kam patur probleme me të tre kryeministrat, Nano, Majko dhe Meta. Nano më la rrugëve, pa zyrë, duke më bojkotuar dhe vetëm kur unë dhashë dorëheqjen në një konferencë të hapur për shtyp, ai i urdhëroi dikasteret që të më linin të punoja”, deklaron Bezhani në intervistë.

Penalizimet
“Vitin tim më të suksesshëm kam patur 1998-n. Kam patur rreth 5700 dosje dhe kam penalizuar 85 zyrtarë nga 104 që kam penalizuar gjithsej. Ishin funksionarë të lartë, zëvendësministra apo gjeneralë. Në vitet më vonë bëra më pak punë, sepse nuk pata përkrahjen e shtetit. Por, kënaqësinë më të madhe e kam ndjerë në vitin 1998, sepse ishte situata më e vështirë. Bëmë edhe kompromise me udhëheqësit, të tipit “hiqe këtë dhe vëre atë në një vend ku nuk penalizohet”, por kemi bërë kompromise edhe me vetë spiunët. U thosha: “Që mos të të dalë emri, ik vetë, thuaj se po iki për halle familjare dhe unë nuk dua të të denigroj, por që ti të zbatosh ligjin. Ndaj të kërkoj të lësh funksionin që ke”. Kam hequr me dhjetëra në këtë mënyrë.

Por, për mua, penalizimi i tyre dhe kontrolli në tërësi nuk duhet të kufizohej vetëm te “ke qenë apo jo spiun e Sigurimit të Shtetit”. Duhej edhe pastërtia pasurore, por këtu nuk munda të kaloj dot, sepse m’u krijuan pengesa të shumta nga udhëheqja, e cila e la draftin që të kalojë në heshtje për shumë kohë.

Veprimet kanë qenë antikushtetuese dhe komisioni për verifikimin e pasurisë së funksionarëve të lartë, i krijuar që më 1995-n, nuk funksionoi asnjëherë, sepse u ndërtua mbrapsht me qëllim.
Komisioni u rikrijua, por po mbi ato baza, pra me katër deputetë, dy nga Kryeministria, një nga Kontrolli i Lartë i Shtetit një nga Gjykata, etj. Dhe ky është një komision që bie ndesh me Kushtetutën, e cila në nenin 70 thotë:

“Deputetët nuk mund të ushtrojnë asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave”, ndërsa me këtë komision deputetët futen në administratë dhe gjykojnë mbi veprimtarinë e funksionarëve të lartë shtetërorë. Kemi nenin 77, pika 1: Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme”.

Pra, Kuvendi nuk mund të krijojë komisione nga administrata, siç ka bërë, sepse ata janë si jorganë për të mbuluar korrupsionin dhe, që kur u krijua komisioni i parë nga PD-ja më 1995-n, dhe pastaj kur e morën pushtetin socialistët, nuk u nxor asnjë hajdut dhe nuk u penalizua asnjëri”, ka qënë deklarata e kreut të Komisionit të Verfikimit të Figurës 10 vjet me parë..

Verifikimi

“Socialistët, për pesë vite vetëm sa kanë mbledhur ca deklarata dhe paguajnë kot komisionin. Tani duan të bëjnë një komision tjetër verifikimi. Por, Kushtetuta, në nenin 77, pika 2, thotë: “Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesë të një të katërtës të të gjithë anëtarëve të tij, të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë”.

Pra, jo një komision të përhershëm verifikimi dhe kontrolli, por për një çështje të veçantë. Por këtu janë interesat e përbashkëta të demokratëve dhe të socialistëve dhe ata qëllimisht e shkelin Kushtetutën, duke mos dashur të luftojnë korrupsionin.

Duhen komisione të vërteta, si Kontrolli i Lartë i Shtetit, apo Komisioni që drejtoja unë, por me një kusht, që ai duhet të ketë të drejtën për të penalizuar institucionet që nuk zbatojnë ligjet e shtetit. Kontrolli institucional i kuadrit drejtues do të evitojë gabimet e bëra deri tani në politikën nepotike të kuadrit”, deklaroi Bezhani në përfundim të intervistës.

Agjenti “Trëndafili”
“Është njëri me pseudonimin “Trëndafili” dhe këtu bëhet fjalë për të gjithë ata agjentë të Sigurimit të Shtetit që kërkonin të denigronin njerëzit e ndershëm dhe demokratë”.

Shkrimtari spiun
“Po është njëri, një shkrimtar, një njeri shumë i urryer që del edhe nëpër mitingje dhe si ai ka sa të duash, aq sa mund të bësh vëllime me historitë e spiunëve të Sigurimit”.

Penalizimet, 104
“Vitin tim më të suksesshëm kam patur 1998-n. Kisha rreth 5700 dosje e kam penalizuar 85 zyrtarë nga 104 të penalizuar gjithsej. Ishin funksionarë të lartë, zv.ministra apo gjeneralë”.

alb365.com/shqiptarja.com

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet: https://t.co/wahnaIexKS
10,432 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Denancimi – Babai denancon zhdukjen e të bijës 17 vjeçe

Fier - Një 17-vjeçare nga Marinza është larguar prej një muaji nga shtëpia dhe familja ka denoncuar në polici zhdukjen...

Close