|Sunday, December 11, 2016
  • NA NDIQ NË

Boshatisen burgjet, kush fiton nga amnistia 

Gati 500 të dënuarve në total pritet t’u hapet drita jeshile për lirim nga qelitë e burgut në fund të këtij vitit. Ministria e Drejtësisë ka nisur punën për hartimin e një projektligji “për dhënie amnistie”.

 Amnistia, që pritet t’i japë një “frymëmarrje” mbipopullimit në institucionet e vuajtjes së dënimit u konfirmua dje nga burime zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 Sipas burimeve, drafti është në fazën fillestare të tij dhe ende nuk janë përcaktuar në mënyrë përfundimtare kriteret e kategorive të të dënuarve që do të përfitojnë.

Të njëjta burime saktësuan se grupi i punës nisi hartimin e draftit në përfundim të një shqyrtimi të të dhënave mbi situatën e mbipopullimit dhe mbi veprat penale të favorshme për t’u amnistuar, si edhe veprat penale për të cilat amnistitë e kaluara nuk kanë dhënë efekt pozitiv, shkruan ‘Panorama’.

 Në një dalje publike gjatë tetorit, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, tha se në amnistinë e vitit 2015, vepra penale e “vjedhjes së pasurisë” rezultoi e pasuksesshme, pasi një pjesë e mirë e të liruarve u kthyen sërish në qeli.

Përfituesit

 Burime jozyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë pohuan se sipas llogaritjeve paraprake rezulton se totali i përfituesve nga amnistia e fundvitit varion nga 400 në 500 veta. Kategoritë më të favorizuara për të qenë pjesë e përfituesve janë personat e dënuar me burg deri në 2 vjet, të dënuarit me kusht, gjobë, apo me dënime alternative.

Po ashtu, pritet të përfitojnë edhe personat e dënuar me burgim, të cilëve që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.

 Nga ky ligj do të përfitojnë personat e dënuara femra, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 50 vjeç dhe po ashtu personat e dënuar meshkuj, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

 Kategoria e fundit e përfituesve janë personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Ende nuk është përcaktuar nëse nga amnistia do të prekë vetëm të dënuarit me një vendim të formës së prerë, apo edhe ata që janë në procedim.

 Manjani: Amnistia për të burgosurit, në janar 2017

 Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, bëri të ditur dje se në muajt e parë të vitit 2017 do të ketë një amnisti për të gjithë të burgosurit. Këtë deklaratë Manjani e bëri dje gjatë mbledhjes së Komisionit të Integrimit Europian, ku raportoi për buxhetin e vitit 2017. Manjani tha se drafti i amnistisë është në proces përgatitjeje dhe do të dërgohet në Parlament muajt e parë të vitit të ardhshëm. Por ministri tha se amnistia nuk është zgjidhje e problemeve të sistemit të drejtësisë.

“Nuk besoj që amnistia është zgjidhja e problemit. Amnistia është zgjidhja e dy muajve, pra dy muajt e parë të vitit të ardhshëm ju mund t’i zgjidhni me amnisti dhe ne po e përgatisim, por nuk është kjo zgjidhja. E bëmë dhe vjet, por, për fat të keq, 14 të dënuar kishim te burgu i të miturve për vjedhje, 10 kemi prapë. Nuk kemi zgjidhur gjë me amnisti. Duhet të ndryshojmë mentalitetin e ndjekjes penale, apo siç na pëlqen ta themi, duhet ta ‘europianizojmë’”, tha Manjani.

Kreu i Ministrisë së Drejtësisë tha më tej se duhet të ndryshojë dhe mentaliteti i punës së prokurorëve, këta të fundit duhet të jenë më aktivë dhe të shkojnë të kërkojnë provat e jo të presin nëpër zyra. Ai kërkoi që të bëhen gjyqe të drejtpërdrejta për rastet e arrestimeve në flagrancë dhe jo të mbahen në burg të arrestuarit.

“Çdo njeri që futet në Policinë e Shtetit e di çfarë është arma, e sheh, e mat, e dokumenton, e fotografon, bën procesverbalin dhe e çon në gjyq. Ose e arrestove në flagrancë për kryerjen e një vepre penale, qoftë dhe duke vrarë. Tani ose e ke arrestuar në flagrancë apo ta çosh në gjyq, ose nuk është flagrante dhe do të hetosh. Dhe po të hetosh, nuk mund ta mbash tjetrin në burg pa prova”, u shpreh Manjani.

alb365/noa

Add a Comment

%d bloggers like this: