|Friday, December 9, 2016
  • NA NDIQ NË

Call Center-at, qeveria shqiptare mund të shpëtojë 25 mijë punonjësit 

Rreth 25 mijë të rinj të punësuar pranë 847 kompanive Call Center rrezikojnë të dalin në rrugë, pas miratimit të ligjit të ri për këto sipërmarrje nga qeveria italiane.

Ky shqetësim shprehet nga sipërmarrësit, sipas të cilëve, operatorët me kushtet e reja duhet të tregojnë vendin e origjinës, por kjo shton mos besueshmërinë tek klienti për zbatim të kontratës së nënshkruar me një vend që nuk është anëtar i BE.

Roberto Caparrotta, sipërmarrës italian: Kur merr një klient do të prezantohet me emër dhe mbiemër dhe do të tregohet edhe vendi i origjinës. Që një klient të bëjë një telefonatë është e vështirë të krijohet besimi. Kur është një vend jashtë Komunitetit Evropian, absolutisht një klient mendon se kush më garanton mua ligjërisht.

Sipas këtyre sipërmarrësve qeveria shqiptare duhet të kishte negociuar më parë me qeverinë italiane në mënyrë që të mos goditet ky sektor.

Caparrotta: Nuk po them që të gjithë do mbyllen absolutisht, por do të ketë pasoja negative. Janë pesë muaj që po diskutohet ky projektligj. Qeveria shqiptare mund të kishte gjetur një kompromis me qeverinë italiane.

Kompanitë e qendrave telefonike në Shqipëri sipas drejtorisë së përgjithshme të tatimeve janë sektori me numrin më të madh të të punësuarve, që aktualisht kap shifrën prej 25 mijë, dhe fati i tyre mbetet i paqartë.

Ndryshimet e ligjit u votuan në 24 nëntor nga dhoma e deputetëve dhe në 6 dhjetor do të kalojnë në senatin italian.

alb365/oranews

Add a Comment

%d bloggers like this: