|E diel, Shtator 24, 2017

Demiraj : Dua trofe me Apoloninë, pse jo dhe tranier i kombëtares. 

      Fier – Trajne10364141_660931853978375_1889815796044093881_nri i skuadrës fierake analizon sezonin që lamë pas
“Fortuzi sulmuesi më i fortë që jam përballur, një ditë dua kombëtaren”
Elidon Demiraj është një figurë që ngjall shpresë dhe entuziazëm në Fier. I dashur deri në kufijtë e adhurimit nga publiku fierak, Demiraj, me shumë inteligjencë dhe karakter arriti të imponojë mentalitetin e tij prej fituesi në futboll duke realizuar një kampionat të jashtëzakonshëm sezonin e kaluar duke i rikthyer Fierit suksesin e merituar dhe duke e rikthyer Apoloninë në Superligë. Në një intervistë për “Gazeta e Sportit”, Demiraj shpalos idetë e tij dhe ambiciet për sezonin që po vjen.
Si ndihet Demiraj në krye të stolit fierak pas një sezoni të suksesshëm?
Fieri është vendlindja ime. Unë këtu u formova si futbollist dhe për këtë falënderoj qytetin tim. Karriera prej trajneri është krejt ndryshe nga ajo e lojtarit. Është një ndërthurje e njohurisë së fushës me aftësinë për të implementuar idetë e tua në të. Është një punë që përfshin karakterin dhe idetë, por edhe vullnetin dhe dëshirën dhe etjen për sukses. Bankina e Apolonisë është një ëndërr e kthyer në realitet për mua. Shoh përpara me synim dhe sukses.
Ju folët për karrierën tuaj si lojtar gjatë 11 viteve në fushën e lojës. A mund të veçoje dy momente kyçe, më pozitivin dhe më negativin?
Karriera ime si futbollist është e tejmbushur me momente të gëzuara, por edhe të hidhura. Momente pozitive për mua kanë qenë padyshim fitimi i trofeut të “Kupës së Shqipërisë”në finale me Lushnjën. Gjithashtu edhe periudha në Durrës me ekipin e Teutës ka qenë një moment i mirë, ndërsa për sa i përket momentit më të vështirë ka qenë dëmtimi që më ka mbajtur jashtë fushës për shumë kohë.
Në rolin tuaj si mbrojtës, cili ka qenë sulmuesi më i vështirë për t’u markuar nga ana juaj?
Jam përballur me disa sulmues të cilësive shumë të mira, por më i rrezikshme dhe më problematiku ka qenë Indrit Fortuzi. Ai ishte një futbollist shumë inteligjent dhe dinak. Kishte nuhatje të veçantë për golin dhe duhet të bëje kujdes kur i afroheshe.
Si e përjetuat sezonin që lamë pas dhe rikthimin e Apolonisë në elitën e futbollit shqiptar?
Ishte një garë e mbushur me emocione dhe vështirësi. Të mos harrojmë faktin se nëse fillimisht nuk do të konsideroheshin si favoritë për rikthimin në Superligë. Gradualisht ne treguam vlerat tona dhe arritëm me sukses të merituar. Ndoshta meritonim titullin kampion, por edhe ky është sukses. Meritat e të cilit i takojnë grupit të mrekullueshëm që kemi dhe për këtë dua t’i falënderoj të gjithë.
Superliga është krejt tjetër nga Kategoria e Parë. Si e shikon Demiraj sfidën e re?
Unë besoj te fuqia e vullnetit. Besoj te puna e palodhur dhe mentaliteti i vetëm që të hap dyert e suksesit. Ndjesia e inferioritetit është shkatërrimtare për këto. Ne do të jemi të fokusuar në punën tonë duke kërkuar sukses jo vetëm në shtëpinë tonë, por edhe në fushat e tjera të Superligës. Do të hyjmë në fushë të bindur se kemi arsye të besojmë që ne mund t’ia dalim. Ne do të arrijmë të imponojmë lojën tonë. E vetmja rrugë për ta arritur është etja për fitore dhe toleranca zero kundër të gjithë kundërshtarëve.
Cila është filozofia e lojës tuaj?
Gjithçka e bazoj në vullnetin e hekurt për të punuar pafundësisht. Adhuroj një futboll spektakolar të ndërthurur me sukses. Ne do të imponojmë futboll total. Sulmi dhe mbrojtja do të jenë bashkë dhe do të ndihmojnë njëri-tjetrin. Do të mbrohemi me 11 lojtarë dhe do të sulmojmë po ashtu. Jemi një grup lojtarësh që do të funksionojmë si një zinxhir dhe shkëputja e një hallke do të jetë një minus për ne. Megjithatë ne do të jemi të fortë dhe do të bëjmë gjithçka që zinxhiri të mos këputet. Diçka e tillë përkthehet në sukses.
Superliga po merr një hov të jashtëzakonshëm dhe së fundmi ekipe të ndryshme kanë bërë investime serioze. Apolonia si është e orientuar në merkato?
Jemi të vetëdijshëm për të gjitha investimet në këtë kampionat, por nuk duhet të harrojmë se paratë nuk janë gjithmonë të barazvlefshme me triumfin. Ne kemi misionin tonë dhe do të realizojmë një punë të palodhur. Gjithashtu merkatoja është baza për ndërtimin e një skuadre dhe Apolonia i ka idetë e qarta. Njeh mundësinë e tregut dhe studion goditje inteligjente të përshtatura me financat e saj.
Ne kemi afruar Mikel Cankën si një sulmues të rëndësishëm dhe Karakaçin si një mesfushor me të ardhme, por merkatoja nuk është mbyllur akoma dhe jemi në kërkim të një mbrojtësi qendre dhe të një mesfushori të majtë. Kemi piketuar elementet që plotësojnë kërkesat tona, ku mbi të gjitha nevojitet të kenë të njëjtin vullnet dhe filozofi.
Folëm për investime serioze, por në fakt jemi dëshmitarë se Superliga në terma financiarë nuk prodhon thuajse asnjë vlerë. Përse ndodh kështu?
Është e saktë që pavarësisht investimeve, sërish klubet tona vuajnë shumë të prodhojnë vlera reale në rrafshin ekonomik të idesë. Koncepti i Plusvalencës është inekzistent në klubet tona. Futbolli sot është triumf në fushë, por edhe në bilanc. Nevojiten investime inteligjente në të gjitha drejtimet dhe vetëm kështu mund të krijohet një strukturë e mirëfilltë përfitimi ekonomik. Duke ekspozuar lojtarët e talentuar që të gjitha ekipet kanë.
Një mesazh për një brez të ri futbollistësh, që gjithnjë e më pak po e përqafojnë kombëtaren…
Unë jam i mendimit se të gjithë ne duhet të ndiejmë peshën e fanellës së kombëtares. Nuk mendoj se duhet të jenë struktura e Federatës ato që duhet të rendnim pas lojtarëve, por e kundërta. Është një obligim i të gjithëve të jenë pjesë e kombëtares.
Cila është ëndrra e së ardhmes për trajnerin Demiraj?
Siç e përmenda pak më sipër, aktualisht ajo që kam ëndërruar është realizuar. Ndihem i kompletuar. Në kuadrin e ëndrrave afatgjata ëndërroj të jem trajner i kombëtares shqiptare. Ka qenë ëndrra ime si futbollist, por kjo ëndërr u realizua deri në nivelin e përfaqësueseve mosha. Dëmtimet nuk më lejuan të përfaqësoja fanellën kuqezi, e cila është fanella e zemrës time.

alb365.com/Igli Totaj

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Ja një lajm i mirë për Shqipëri – Lihtenshtajn

Tifozët e Kombëtares kanë në dispozicion 1200 bileta për ndeshjen ndaj Lihtenshtajnit, e cila luhet me 6 tetor ne Vaduz....

Close