|Thursday, December 8, 2016
  • NA NDIQ NË

DËSHTIMI I SHTETIT APO SHTET I DËSHTUAR 

Nga Dr. VALBONA GJONI KARANXHA – Metafora vjen nga një studim i publikuar në University of Chicago Law Review. Dështimi i shtetit ndodh në dy nivele, në atë të brëndshëm dhe në nivelin ndërkombëtar. E thënë më qartë. Shteti dështon të shërbej si instrument për të garantuar siguri, dinjitet qytetarit të vet, dhe në shkallë ndërkombëtare duke mos zbatuar politikat dhe ligjet ndërkombëtare.

E parë në kontekstin tonë, metafora funksionn në të dyja rastet. Shtet i dështuar është e kundërta e shtetit të sukseshëm dhe shteti i sukseshëm është ai që operon dhe funksionon në parametra normalë. Në një përkufizim të ngushtë, një shtet i sukseshëm është në gjëndje të kontrollojë territorin e tij, të ketë mardhënie diplomatike, të sigurojë të mira materiale për shtetasit e tij. Ndërsa shtetet e deshtuara humbasin kontrollin, nuk krijojnë dot rregull dhe siguri për qytetarët, nuk sigurojnë rritje ekonomike dhe rishpërndarje të arsyeshme të të mirave materiale. Shpesh, shteti i dështuar karakterizohet nga konkurencë e ashpër për burimet (natyrore apo financiare).

Pikërisht në këtë paradigëm të shtetit do të ndalem për të shpjeguar përse shteti shqiptar është shtet i dështuar. Në 25 vitet e fundit, shteti shqiptar është njësia me e dobët organizative dhe strukturore në të gjitha nivelet. Kjo ndodh për arsye se qeveritë e tranzicionit kanë pasur prioritet gllabrimin e shtetit për përdorimin e tyre vetjak dhe në shërbim të klaneve që ata përfaqsojnë.

E para, shteti është parë si zyrë punësimi për militantët me anë të politizimit të administratave. Në rast se organizata rëshket nga funksioni i saj primar “të shërbej ata që varen nga ajo” atëherë ajo ka dështuar dhe si e tillë rënohet. Shumë e thjeshtë. Ky është një nga rënimet e para rë shtetit shqiptar. Në këtë mendim, shteti shqiptar ndryshoi funksionin gjatë këtyre 25 viteve të paktën disa herë me politizim administratash: U bë vegël e partive politike dhe e mbështetësve të tyre për punësim, dhe burimet e tij u ktheyn në luftë për kontroll dhe konkurencë midis klaneve të Sali Berishës, Edi Ramës, dhe Ilir Metës. Kjo luftë për kontroll burimesh vazhdon edhe sot.

E dyta, mbi kontrollin e territorit dhe sigurinë e qytetarit: Sot shteti i dështuar shqiptar gjëndet në një nga pikat e tij më të dobëta. Kjo për arsye se nga dobësimi i tij në vite, rigjenerimi i strukturave është shumë i vështirë për t’u kryer për shkak të kulturës organizative të ngulitur brënda saj. Me pak fjalë, policia është një njësi e korruptuar, e mbuluar nga skandali sepse korrupsioni është mjet ndihmës për të mbuluar atë boshllëk të ardhurash që shteti nuk paguan, me qëllim që punonjësit të ndihen të aftë ekonomikisht. Vendi është i mbuluar nga parcela marijuane dhe shteti nuk mund ta kontrollojë këtë fenomen i cili nxjerr në dukje më shumë inefektivitetin e tij.

E treta, shteti e konsideron qytetarin shqiptar si burimin kryesor të buxhetit të tij, si mjet shfrytëzimi dhe aspak si marrës legjitim të pasurive që duhen të rishpërndahen nga të ardhurat. Tani për tani qytetari shqiptar mbulon nevojat e qeverisë në: Larje borxhesh, sigurimin e pagave të administratës, programeve dhe buxheteve të tyre primare, por nga ana tjetër, shteti i dështuar shqiptar nuk ofron shëndetësi publike as në nivelet më minimale të dinjitetit njerëzor. Shteti shqiptar nuk është i aftë të ofroj arsim me kushtet me elementare në zonat e rretheve dhe ato rurale, ku fëmijët nuk kanë as ngrohje për në dimër, por as edhe mësues të kualifikuar.

Së katërti, rritja ekonomike të paktën në vitin e fundit ka shënuar një rënie drastike për arsye se shteti nuk ka ofruar asnjë mundësi ekonomike, siguri për investime, stabilitet në dikastere etj. Të gjitha këto janë në dëm të qytetarit dhe kanë efekt në plan afatgjatë. Me një fjalë, me zbatim minimal të politikave në këto fusha, shteti si përgjegjës për qytetarin shqiptar është shtet i dështuar.

Së fundi, dështimi i shtetit është i qartë dhe në se në krye të tij do vazhdojnë të jenë banda klanore, atëherë rrenimi i tij do të ndodh deri në kolaps total. Dështimi i shtetit është i dukshëm pothuajse ç’do dite në kronikat dhe lajmet. Shteti shqiptar dështoi në poltikat mjeksore, të arsimit, të brëndëshme, të transportit, të integrimit në BE, të mardhënieve me jashtë -ku edhe të dërguarit në nivel qeveritar konsiderohen si qytetar të klasit të dyte. Shteti shqiptar dështoi në nivelin e kulturës dhe sportit dhe në të gjitha aspektet e tij. Shteti shqiptar nuk është shtet i shqiptarëve.

Add a Comment

%d bloggers like this: