|E hënë, Dhjetor 11, 2017

Diabeti , mallkimi i shekullit te ri. 

diabeti_dhe_temperaturat_e_larta    Të flasësh për diabetin nuk është e vështirë, të gjithëve na ka
qëlluar të dëgjonim dy-tri gjëra për këtë sëmundje. Në gjuhën popullore e njohim masivisht si “sëmundja e sheqerit”, por në të vërtet ajo mbart një realitet të hidhur. Në vitet e fundit është shndërruar në një epidemi për njerëzimin duke u përhapur në mënyrë të frikshme e duke mos kursyer askënd qoftë foshnje, fëmijë, të rinj dhe të rritur, të varfër apo të pasur. Akoma më e thjeshtë është që një specialist të flasë për diabetin. Ai duket si zot i saj, di të shpjegojë çdo gjë që nga gjeneza e deri në zhvillimin e sëmundjes, por nëse e pyet për mundësit e shërimit, atëherë hesht, e më pas vjen fraza e zakonshme: “Shiko, shkenca ka evoluar dhe për momentin gjithçka është ende në fazë eksperimentale, në shumë pak vite pritet që kjo të ketë një zgjidhje, por për momentin ajo që mund dhe duhet të bëni ju si pacient është të ndiqni me përpiktmëri disa rregulla të thjeshta në mënyrën e të ushqyerit dhe të jetuarit”. Gjithçka duket aq e lehtë, kur mjeku të shpjegon ato pak rregulla që ti duhet të ndjekësh si pacient.
Por si është të jetosh me diabetin?
Të flesh dhe të zgjohesh çdo ditë me frikën nëse sheqeri në gjakun tënd është nën apo mbi normë?!
Si është të jesh prind i një fëmije me diabet, që nuk ndjen asnjë dhimbje dhe refuzon të marrë insulinë katër herë në ditë? Për të gjitha këto askush nuk mund të flasë më mirë se një i sëmur me diabet.
“Sëmundje” apo “mënyrë të jetuari”, çfarë është diabeti?
Shpesh specialistë të fushës refuzojnë ta quajnë “sëmundje”, për ta diabeti është një mënyrë të jetuari në bazë të disa rregullave të caktuara të të ushqyerit dhe aktivitetit të përditshëm. Për të siguruar mbarëvajtjen e sëmundjes, pacienti duhet të ndjekë me rigorozitet këshillat e mjekut endokrinolog.
Për mua diabeti nuk është vetëm kaq, madje është shumë me tepër se një sëmundje, është një mallkim të cilit askush nuk ia gjen kundërhelmin.
Diabetin e quaj “mallkim i ëmbëlsisë”. Të jetosh çdo ditë me ketë mallkim, duke e ditur që ti i ke duart të lidhura para tij, nuk ke forcën dhe mundësinë të bësh asgjë tjetër veçse ta pranosh dhe të mësohesh të jetosh me të, është një torturë si për personin me diabet, ashtu dhe për të gjithë familjen bashkë. Ju do thonit: por ka edhe me keq! Vërtet mendoni se ka më keq se një sëmundje që të shkatërron në heshtje?! Vërtet mendoni se ka më keq se t’i rezervosh fëmijës të hajë atë çfarë dëshiron?! Vërtet mendoni se ka më keq, kur familja nuk ka mundësi t’i sigurojë një fëmije me diabet gjithçka i duhet për mbarëvajtjen e sëmundjes?! Nuk mendoj se ka më keq se kaq. Vjen një moment kur njeriu lodhet dhe thotë “Mjaft me kaq!”, nuk e duroj dot më ketë gjendje, nuk jetoj dot më me këto rregulla, dua të ushqehem sikurse unë dua. Por ky është një luks për diabetikun, nëse thotë “dua të ushqehem sikurse unë dua” i bie të ketë thënë “dua të verbohem”, “dua të më pritet këmba” apo “dua të vdes”, prandaj dhe nuk ka më keq se kaq.
Diabeti sikurse dhe shumë sëmundje të tjera është ndoshta diçka që e krijuam vetë me zhvillimin dhe mënyrën e re të jetuarit dhe të ushqyerit. A është ky çmimi që njeriut i duhet të paguajë për një jetesë më të mirë?! Kësaj nuk di t’i përgjigjem me siguri, por ajo që mund të them me bindje është se nëse dikur njerëzve u duhej të luftonin për ushqim, sot ne na duhet të luftojmë kundra tij dhe kjo nuk është shaka, është një betejë për jetë a vdekje.
* (Shoqata e Fëmijëve e të Rinjve me Diabet. Motër e një adoleshenti me diabet) .

alb365.com/Enisa Xhafa

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Rilindja është bërë kuçedër e shtrigë në Roskovec

Nga FLAMUR ÇEPELE - '' Kryebashkiake'' mua...

Close