|E premte, Shkurt 23, 2018

E ëma e Aldo Ymeraj: Nuk e ngopa me bukë, këpucëve u kishte dalë hekuri 

​Arjana, nëna e Aldo Ymerajt, i cili dyshohet se nëpërmjet hakerimit të kartave të kreditit ka arritur të përvetësojë rreth 675 mijë dollarë, mohon implikimin e të birit në rrjetin e krimit kibernetik.

Familja e tij ka qene sot ne gjykate, e cila vendosi sot ekstradimin e tij per ne SHBA. Nderkohe qe ne videon qe shihni, kur policia e sjell ne gjyq, Aldo eshte me kapucin e xhupit ne koke, duke u munduar t’u fshihet kamerave.

Sipas saj, sapo ata kanë mësuar se emri i tij po lakohej si i dyshuar, kishin vendosur të paraqiteshin në Ambasadën amerikane për të sqaruar gjithçka. Me lot në sy, nëna e Aldos thotë ne nje interviste per “Panorama” se i biri, student i informatikës, jetonte me qindarkat e saj, të cilat ajo i fiton me djersë duke bërë disa punë.

Në një rrëfim për “Panorama”, ajo shprehet se ka besim te drejtësia amerikane dhe se pret që shumë shpejt i biri të kthehet pranë familjes.

Znj. Arjana, si e morët vesh lajmin që djali juaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për llogari të amerikanëve?

Para disa ditësh, djali erdhi në shtëpi dhe më tha që kishte dëgjuar se i ishte lakuar emri në një rrjet që bënin ndërhyrje nëpër linja interneti. Më tha se një shok i kishte thënë që mes atij grupi ishte edhe emri i Aldos. Dhe unë e pyeta se si ka mundësi dhe se çfarë kishte bërë që i lakohej emri. Ngaqë ai e vuajti edhe një dënim për lojëra në internet, mendova se mund të ishte një ngatërresë.

Si u soll pas kësaj djali, pra pasi e kish marrë vesh në një farë mënyre se kërkohej?

Absolutisht njësoj si më parë. Vetëm se unë i thashë të interesoheshim dhe nëse kishte emrin gjëkund, të shkonim ta sqaronim se nuk donim të rrinim me merak e me mendjen të ngritur kot pa lidhje.

Çfarë bëtë më tej?

I thashë të atit që të interesohej se unë grua e nuk kisha shumë mundësi. Pasi pyetëm të afërmit, na rezultoi që djali e kishte të pastër figurën dhe nuk kishte lidhje me këto fjalët që ishin hapur në Kosovë. Por, të them të drejtën, unë nuk rashë në qetësi. I thashë djalit se e kishte apo se kishte emrin, ne do të shkonim në Ambasadën amerikane. Dhe kur ia thashë, djali nuk kundërshtoi. Pranoi që të venim. Më dëgjonte djali për çdo vendim që merrja unë.

Vajtët në ambasadë?

Jo. Unë i kisha thënë që do ta merrja në telefon sapo të isha gati.

Po pse e zvarrite? Pse nuk ishe gati?

Sepse financiarisht isha ngushtë. Unë mbaja edhe Aldon edhe shtëpinë. Nuk kisha mundësi të veja këto ditë.

Kur e takove Aldon për herë të fundit dhe çfarë të tha?

E takova këto ditë dhe i thashë që do ta dorëzonim në ambasadë. Dhe ai më tha ‘ok më çoni’. Më kërkoi të takonte edhe babain e tij, meqë donim ta dorëzonim.

Si sillej djali në familje e me shoqërinë?

Ishte një djalë shembullor. Nuk e kisha parë asnjëherë të sillej keq me mua. Më thoshte gjithmonë, ‘ja o mami sa të mbaroj shkollën e të filloj një punë e s’do të lë më të punosh kaq shumë për të më mbajtur’. Aldo është një djalë shumë i dashur dhe shumë i brishtë. Me miqtë sillej mirë.

Ku punonte ai, me se merrej?

Aktualisht nuk punonte. Ai studionte në degën Inxhinieri Informatike dhe kishte mbaruar vitin e dytë. Nga dhjetori po kërkonte punë dhe donte të zhvendosej në Tiranë, por nuk po gjente asnjë punë. Madje ishte i dëshpëruar dhe më tha se e kishin marrë në dy intervista, por nuk e kishin punësuar. Unë i rrija afër. Nuk e kam pasur djalin problematik kurrë. Ai ka studiuar në shkollë të mesme për pikturë dhe kishte shpirt artisti. Ka punuar edhe me të atin ndonjëherë, meqë ishte i mirë në punët e dizajnit.

Ju si nënë e tij, keni dyshime se ai mund të jetë përfshirë në krime kibernetike? Iu ka lënë ndonjëherë shkas për të dyshuar në diçka të tillë?

Absolutisht, e hedh poshtë. Jo se e kam djalë, por sepse e di që ai nuk lëndon dot askënd. Nuk do bënte gjëra që të dëmtonte askënd. Unë e njoh djalin tim… Është e vërtetë që ai është i zgjuar, është i shkathët. Kur ishte 17-vjeç i erdhi një ftesë nga kompania “Google” që ta punësonin, por ishte i vogël e unë se lashë se nuk dinim se si e qysh. Ai e donte atë fushë, por jam e sigurt se nuk mund të bëjë gjëra të jashtëligjshme.

Policia ka dyshime për shuma të mëdha parash të përfituara prej tij nga hakerimi, rreth 675 mijë dollarë… Në fakt, djali juaj me se jetonte, ku i siguronte të ardhurat?

Kjo është absurd fare. Djali im mbahej nga qindarkat e mia. Po t’ia shikoni këpucët u ka dalë hekuri nga poshtë. E vishja me rroba te romët. E mbaja me gjëra modeste. Siç e shikoni, djali flinte në një dhomë 2 me 2 e nuk e ngopa njëherë si duhej. Punoja në 3-4 punë që ta mbaja e prapë s’ia plotësoja dot kushtet për ta bërë si të gjithë të rinjtë e tjerë. Mezi e kam rritur. Ne mbijetojmë e djali po të kishte para, nuk do më linte kurrë të vuaja duke nxjerrë sytë tërë natën për të bërë punë që të fitoj bukën e gojës.

A keni një apel për drejtësinë?

Ç’të të them. Dua të besoj te drejtësia dhe pres të më kthehet djali në shtëpi. I besoj drejtësisë amerikane dhe jam e bindur që do hetohet e do zbardhet e vërteta e djalit tim, që vetëm i pasur nuk është. E vetmja pasuri e tij janë ca qindarka lekësh të vjetra që i mban në këtë kuti… kjo është e gjithë pasuria e Aldos tim.

 

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
BE akodron 1 miliard euro për krizën e emigrantëve

Pas shtatë orësh diskutime dhe...

Close