|Monday, December 5, 2016
  • NA NDIQ NË

Edi Rama që njohëm prej Voltanës 

img_0692

Nga EDI LESI – Voltana Ademi me siguri nuk e ka menduar dhe nuk e ka pasur aspak qellim, po pa dashjen e saj ka zbuluar për të gjithë një prej tipareve më të errëta të Edi Ramës, i cili në një përplasje të paprinciptë dhe të pabarabartë me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës ka treguar se nuk i njeh 40 mije vota.

Nuk e njeh pra vullnetin e rreth 60 përqind të qytetarëve të Shkodrës që zgjodhën Voltanën edhe pse e dinin që idhnaku Rama mund të hakmerrej me atë që ka aktualisht në dorë, qesen e parave, sic edhe kercënoi në fushatë. Shkodranët megjithatë zgjodhën si e menduan vetë duke konfirmuar edhe një herë lirinë e tyre sipas një tradite mjaft të pasur në këtë drejtim.

Nuk ia dorëzuan Ramës bashkinë, pushtetin e tyre, sovranitetin e tyre vendor, edhe pse ai e rrethoi qytetin e Rozafës me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion.

Që ditën e parë pas zgjedhjeve lokale të 2015 e deri më sot kryeministri i vendit nuk e njeh zgjedhjen që kanë bërë shkodranët, nuk njeh ushtrimin e vullnetit të tyre, nuk njeh lirinë e tyre vendore.

Derisa nuk e ka në dorë ta emërojë, me vota nuk e merr dot, atëherë ka zgjedhur thjesht ta bëjë të paqënë.

A është duke ndëshkuar ai Voltanën? Jo aspak, por një qytet të tërë, më të madhin e veriut.

E ka fshirë nga harta këtë bashki në ditë vere, në ditë shiu, në ditë përmbytjesh si kjo e sotmja.

Tokëvilli nga imazhet që vijnë prej tij ngjan se ka pasur shumë flokë po patjetër që do kishte shkulur shumë prej tyre nëse do ishte dëshmitar i kësaj kohe. Ai e quan bashkinë si forcën e popujve të lirë dhe institucionet komunale të asaj rëndësie sic është shkolla fillore per shkencën. Me këto, qytetarët e prekin, shijojnë e përdorin zgjedhjen e tyre, lirinë e tyre. Sipas Tokëvillit Edi Rama nuk dëshiron qytetarë por ca njerëz nën qeverisje.

Liritë vendore përvecse e bëjnë njeriun sovran në lagjen e tij, në komunitetin e tij, krijojnë po ashtu organizëm, trupa sociale që shërbejnë si amortizatorë ndaj yryshit të shfrenuar të pushtetit qendror.

Kjo nuk është një luftë që e ka ndjellur, dhe as nuk e ka dëshiruar Voltana, e cila ka refuzuar ti përgjigjet Ramës edhe pse ai e ktheu gati në fushatë kombëtare goditjen e saj, duke e shpallur edhe nga Skrapari i largët që nuk do ti japë asaj asnjë qindarkë, sepse ai nuk e kuptoka atë. Ja ku nxorri kryet një kriter i ri për të marrë para nga qeveria.

Ndërkohë është fiksuar thellë në opinion hakërrimi me neurone të cekuilibruara në stadiumin e Shkodrës, tek përsëriste si automat i cakërdisur kafeje me dy gishtat rrumbullakë që tundte në ajër; zero leke, zero leke, zero leke.

Voltana nuk i është përgjigjur kësaj ftese për zjarr, ajo vazhdon punën me mundësitë që ka dhe ka dërguar në qeveri vetëm për këtë vit rreth 19 projekte për ndërhyrje në infrastrukturë, për zhvillim, për arsim e shëndetësi, plane që prekin fshatrat, periferitë dhe qytetin. 19 projekte të refuzuara nga Edi Rama, pa asnjë motiv, por thjeshtë sepse ai nuk njeh zgjedhjen dhe lirinë e shkodranëve. E jo vetëm kaq, por ka vënë në lëvizje gjithë instrumentat që ka dhe stimulon dhe të tjerë për një betejë frontale e asgjesuese ndaj kryetares së bashkisë Shkodër. Pse? Sepse shkodranët rezistuan duke i prishur rëndë humorin vezirit të Surrelit.

Add a Comment

%d bloggers like this: