|E shtunë, Tetor 21, 2017

Ekonomia si fushe krimesh. 

USA – pellumb kullaFirmat piramidale.
Por kryekrimi i gjeneratës enveriane që ndërmori transformimet, do të mbeten firmat e ashtuquajtura piramidale.
Kompani që nuk bënin asgjë përveç hileve me arithmetikën më fillestare, ato angazhonin mijëra vetë në tërë vendin, të cilët merrnin hua, gjoja për prodhimet e tyre me leverdi. Duke u mbështetur fillimisht mbi bazën e ca parave me prejardhje të errët, i kthenin huatë, madje me përfitime shumë të mëdha për qytetarët huadhënës. Më pas rritej besimi tek kompania, huadhënësit e kënaqur, bëheshin vetiu propagandistë dhe reklamues të saj. Huadhënësit e shpërblyer, sillnin në sportelet e këtyre kompanive fqinjët, të afërmit, shokët e deri tek kushurinjtë e punësuar në … Australi! Jetëgjatësia e kompanive shkonte me muaj e deri në vite. Nga huat e mëpasme, lanin huatë e mëparshme, të cilat as xhepin e të zotërve nuk e ngrohnin, pasi joshja i gënjente të futeshin përsëri në valle, për t’i rritur edhe ca. E pastaj erdhi një ditë, që kompanitë fantazma, këta çarqe të mjeshtrave të xhunglës financiaro politike e të Sigurimit, shpallën falimentimin. I mbetën popullit huara të papaguara që arrinin miljona e më tej. Kështu u shkrinë edhe trashëgimitë e fituara me lodhje në ngjitjezbritjet gjyqësore, paratë e shtëpive të shitura, të paketave “Karelia”, të nxjerra dimrit për t’i blerë kalimtarët tek porta e oborrit, si edhe dollarët e fituar nga droga e hedhja e kurdëve përtej detit, apo kursimet e refugjatëve të stërlodhur në pyllin europian, fitimet e kurvave nga pasmesnatat e Milanos e të Selanikut…
Pavarësisht se ishin dhjetëra firma, le të përfytyrojmë veç një. Kështu kuptohet më mirë se këto kapitale u bashkuan prapë në një dorë, ku me fundin e pashmangëshëm të piramidave, do të vendosej kujt t’i ktheheshin e kujt jo. Do të vendosej kush do të bëhej i lumtur e kamës, e kush do të dënohej me falimentim, kandidat për helm, hedhje nga kullat apo për koburen në tëmthat. Kjo skemë gjigande hajdute me një qendër politike, se, natyrisht, politikë quhet përzgjedhja dhe vendimi mbi fatet e shtetasve, si oktapodh i përrallave të frikëshme, zgjati tentakulat pompa, thithi çdo sukses familjar e personal, çdo kursim, lek e qindarkë, pastaj lëshoi bojën e zezë për të humbur nga sytë dhe u zhduk pa I hyrë gjemb ferrë në këmbë.
Edhe nëpër këtë udhë do të kryhej superdetyra që kish marrë për urdhër Sigurimi, për të bashkuar besueshëm pinjollët e gjerarkëve stalinistë, në klubet e milionerëve të mbarë botës. Ky ishte misioni bazë, e jo ai tjetri, me zhurmë dhe breshëri fitoresh, për votat dhe ardhjen në pushtet të kësaj a të asaj partie, për mbështetjen apo jo të Vranickit me shokë. Detyra u zbatua, dhe me vënien në punë të këtyre firmave, shartesat e mafies enveriane, italiane dhe greke fituan përvojë, dekorata dhe para. Shpërblim i merituar për ata që ëndrrat, shpresat dhe besimin e shqiptarëve të rraskapitur, i mbështetën me shpinë në mur dhe i bënë shoshë me kallashnikovë të zinj.
Kjo vepër i duhet faturuar partisë bolshevike me dy gjysmat e saj të këtyre kohërave. Kush hyn në qerthullin e llafeve, nëse kjo është vepër e kësaj apo e asaj partie, humb kohë dhe ndihmon piratët të shtyjnë ditën e dhënies llogari. Që të dy palët kacafytëse, premtuan se do t’i qëronin deri në një ndodhitë, se do të sillnin transparencë, siç përdorin ata një fjalë moderne, por, siç e parashikuan plot analistë të ndershëm, transparencë nuk pati e nuk do të ketë kurrë.
Nuk mund të paraqiten në dritë gjakpirësit, që kuletat e shqiptarëve i zbrazën në kuletat e tyre. Askush të mos shpresojë se në luftën e tyre politike, ata do të zbulojnë hilet reciproke. Edhe në se dy banditë urrejnë për vdekje shoku shokun, dhe ndodh që një natë e shohin befas njëri tjetrin pikërisht në thesarin e asaj banke, të cilën kanë muaj, që veç e veç, bënin plane ta grabisin, a vërtet mendon ndokush se të nesërmen, në zhurmën e grabitjes, banditët do të zbulojnë diçka për shkak të një palo urrejtje mes tyre?
Përplasja që tregoj mëposhtë e ilustron më së miri këtë:
Në shkurt ‘97, në valën në rritje të revoltës së Jugut, një delegacion nga të mashtruarit e Vlorës mbërriti në Tiranë dhe takoi Presidentin e Republikës. Vlonjatët i treguan Presidentit mbi pisllëqet e kompanisë Gjallica dhe i parashtruan disa kërkesa. Ai u premtoi se do të punonte që t’ ua përmbushte ato. Njëra prej atyre kërkesave ishte tepër e vështirë, por kreu i shtetit e premtoi dhe atë: bëhej fjalë për vendimin e prerë të parlamentit, që pasuritë, mjetet dhe fondet e mbetura të Gjallicës të falimentuar, të ngurtësoheshin dhe t’u ndaheshin proporcionalisht të mashtruarve. Vlonjatët u qanë se dy ditë pas ngurtësimit, nga Tirana patën ardhur njerëz të rëndësishëm dhe patën… tërhequr paratë e tyre!.. Delegacioni vlonjat kërkonte të shpallej publikisht lista e këtyre njerëzve hijerëndë, që i kishin marrë të plota paratë e tyre dhe kishin pakësuar në minimum ato të përbashkëtat që do të ndanin dhjetëramijërat e të mashtruarve.
Kjo ishte shprehja më konkrete e ushtrimit të lidhjeve me pushtetin politik për t’u veçuar nga fatkeqësia. Ky ishte thelbi i arsyes së shpërthimit të revoltës.
Ka shumë njerëz që mund të pranojnë të ulin kokën nën murtajën e fatkeqësisë së përbashkët. Por që të shohin, se dikush edhe këtu bën hile, ka forcë dhe miq të zhvatë akoma nga fondi zyrtarisht i ngurtësuar…! Ja pra rasti kur “leshko” është dhjetë herë plumb më i rëndë, se nofka “dështak”. Cilët ishin zotërinjtë e privilegjuar të asaj liste? Se ata ishin leqevënësit e vërtetë, jo ata shegertët lolo që u quajtën “presidentë firmash” e “gjeneralë”, në krye të këtyre ndërmarrjeve të vdekjes. Këta të listës, që i pari i vendit premtoi se do t’i zbulonte publikisht, ishin njerëz me pushtet, politikanë nga të dy partitë kryesore, familjarë të elitës shtetërore. Këta ishin vatra e infektuar e atij çibani që volli gjak e solli mort. Ishin emra shumë, shumë të rëndësishëm. Ishin zotërinj, që kishin komoditet të vidhnin dhjetëra e qindramijëra të tjerë pa i njohur hiç. Ata mendonin se, kur nuk e di se cilin po vjedh, është punë si të gjitha punët, njësoj si të punosh me nder nëpër galeri minierash!.
Presidenti e premtoi listën e këtyre çakejve. Po t’i jepte ata emra, ai do të humbte shumë njerëz nga orbita e tij, por ai vetë, si burrë shteti, do të fitonte jashtëzakonisht tepër.
Partia Socialiste nuk ishte shumë e interesuar të shpallej kjo listë. Kishte dhe shumë prej tyre në ata emra. Kuptohet që pushtetarët e PD-së dhe familjarët e tyre ishin të interesuar që nga paratë e ngrira të Gjallicës të shpëtonin edhe paratë e disa socialistëve.
Fjalën e dha, por presidenti nuk e shpalli kurrë këtë listë. As tani nuk po e shpall. Edhepse është vetëm kryetar i Opozitës, ai mund të japë shembullin e të punojë për të hedhur dritë mbi lëmshin e piramidave.
Ai nuk e bën këtë. Ai nuk mund ta bëjë këtë. Edhepse i premtoi popullit për transparencë dhe vlonjatëve të delegacionit për afishimin e listës. Jo, ai nuk mundet ta bëjë këtë. Ky, pikërisht ky takim me vlonjatët, është humbja e vërtetë e tij dhe jo ajo kur i rrëmbyen tanket dhe bazat detare! Ky ishte xhuxh-dimensioni i vërtetë i tij në historinë e shtetit të vuajtur shqiptar.
E shumta që mundi të bëjë ai, ishte vetem zija, zija që dekretonte ai herë pas here për viktimat e Kompanisë huamarrëse Gjallica që, të mbetur si mos më keq, në pikëllim të thellë e pa rrugëdalje, hidheshin nga ballkonet e apartmenteve, i futnin plumbin vetes, a mbyteshin duke kapërcyer Otranton, në mes të dimrit të atij viti famëndyrë, 1997….
Piramida, kjo tortë e helmatisur, që gëlltitën me endje miljonat e shqiptarve, sikurse bebja hap gojën para lugës së nënës, do të zerë vend në historinë e kombit si një faqe nga ato që turpërojne shqiptarët e këtij fundshekulli, shtetas dhe shtetarë. E pruri farën e kësaj peme Ramiz Alia, që piramidabërësit të parë i dha vilat dhe helikopterin e vet si shenja të autoritetit dhe konfidences të të parit të vendit. Shoqëria e krerëve të shtetit demokratik më pas, shfaqjet në televizion krah-për-krah me presidentët e kompanive-ushunjëza, ishin boll për hapat e para të garancisë që merrnin të tri milion foshnjat naive dhe paksa idiote në shtëpinë e re, ku shkeleshin me këmbë dollarët, me besimin se mblidheshin kollaj. Në këtë hark kohe, të parët e vendit, që plasën zjarrin gjëmëmadh, arritën të lenë pa mbrojtje gratë dhe foshnjat shqiptare; lanë në mëshirë të lukunisë të përdhunuesve me maska, vajza dhe nuse të reja; lanë të vriten afro tri mijë vetë, gati dy të tretat e tyre të rinj e pa asnjë faj; traumatizuan veshët dhe psikenë e vocërrakëve shqiptarë, të cilët nga shpërthimet e krismat u lebetitën pesë herë më shumë nga sa ishin lebetitur tërë gjeneratat e vocërrakëve gjatë gjithë luftrave të këtij shekulli mbi truallin e vendit. Lanë të digjen e shkatërrohen vlera kulturore e strehët shqiptare, pa as më të voglin sens. Ata, si kurrë në histori, dorëzuan arsenalin e armëve të mbrojtjes së kombit, hapën perden për të treguar dobësinë e ushtrisë së vendit dhe pas kësaj, e asgjësuan fare atë.
Ky çark i madh u shkreh e zuri çka desh të zinte. Ai solli fitim për një pjesë, dhe zi e pështjellim të përgjithshëm. Në këtë lëmsh të madh tragjik nxorën fitime tërë ata që e thurrën edhe e vunë në punë. Ngjeu në atë tepsi të lyrëshme, kushdo që erdhi me vrap: armiq të vendit, pushtetarë të vjetër e të rinj, biznesmenë të huaj, futbollistë të shquar e tje… deri dhe bukuroshet-mise të Europës me artistë shtiranë vendas.
Fjalë përmbyllëse
Pasanikët u bënë. Projektet, me pak përjashtime, u zbatuan me përpikmëri.
Tani kemi milionerë dhe miliona. Kemi zhgënjim, krim dhe imoralitet. Kaq hëpërhë arritën të bëjnë Lenini, Stalini dhe shovenët fqinj në Shqipëri.
Dekretimi i pasanikëve u krye. U caktuan të kamurit dhe u bënë. Veçse na ra rëndë… Ishte çmim shumë i shtrenjtë. Këtë vetëm ata që u dekretuan pasanikë nuk e kuptojnë.
Bota dhe Europa kërkojnë të gjitha format efikase që të frenojnë emigrimin e shqiptarëve duke lënë pa vëmendje një tipar origjinal të këtij emigrimi: shqiptarët nuk emigrojnë nga Shqipëria, ata e braktisin atë. Edhepse në Otranto, mbyten çdo javë njerëz që nisen drejt perëndimit, shqiptarët nuk rreshtin së kaluari andej, jo ngaqë janë të çmëndur a kurajozë, por ngaqë janë të dëshpëruar…

alb365.com/Pellumb Kulla

 

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Kuqezinjtë kthehen sot në Tiranë, pritje zyrtare në aeroport

Kombëtarja e Shqipërisë e mbylli sot (dje) përvojën e saj mbresëlënëse në Euro 2016. Barazimi i Portugalisë na la jashtë...

Close