|E premte, Shkurt 23, 2018

Eksodi që po zbraz Kosovën . 

cipa-aleksanderNga ALEKSANDËR ÇIPA             Tiranë – Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi janë në qeveri. Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj janë bërë bashkë, si pas zgjedhjeve të fundit, kur donin të sajonin një kabinet qeverisës në koalicion paszgjedhor. Mirëpo tashmë nuk janë në koalicion për qeveri, por për të rrëzuar Hashimin që ishte, dhe Isën që mezi erdhi.

Të dyja palët, ndonëse nuk janë palë të qëndrueshme, kanë njëra-tjetrën si arsye dhe si kundërshtarë. Kosova është jashtë arsyes dhe aq më shumë, jashtë kujdesit dhe përgjegjësisë qeverisëse të tyre.

Ka më shumë se një muaj që në stacionet e autobusëve dhe në agjencitë më të përmendura të Kosovës po vërshon, e pandalshme, zbrazja e qyteteve. Drama të tmerrshme eksodi po luhen nëpër sheshet e agjencive në Prishtinë, Pejë apo Gjakovë, prej ikjes së qytetarëve, familjeve dhe mijëra të rinjve. Është një zbrazje e cila, pa mëdyshje, mund të konsiderohet pasuese e asaj të vitit 1998-1999. Bëhet fjalë për një zbrazje me përmasa kolektive dhe fisnore, familjare dhe qendrash banimi. Të tillë, në kësi kohe, asnjë vend tjetër i Ballkanit apo Europës Juglindore nuk po përjeton.

Si nisi dhe pse po ngjet? Pse kaq e beftë dhe cili është skenari i shpërthimit të saj? Pse po e inkurajon këtë fenomen tronditës indiferenca vrastare e qeverisë, Kuvendit, opozitës dhe faktorëve të tjerë institucionalë e publikë në Kosovë? A ka lidhje kjo zbrazje e vendit me përfshirjen, madje dhe këmbënguljen, e Lista Srpska për mospranimin e shkarkimit të Jabllanoviçit?

Të gjitha këto pyetje përkojnë me një fakt tronditës:

Gjer më tash, sipas burimeve jozyrtare, por rikonfirmimeve mediatike, janë larguar mbi 23 mijë qytetarë nga Kosova. Bëhet fjalë për masën e qytetarëve të emigruar përgjatë valës së fundit të largimeve me autobusë të shumtë dhe mënyra të tjera në shtete të ndryshme të Europës. Realiteti i udhëtimeve dhe sidomos dramave që po përjetojnë disa mijëra familje në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë dhe këtë të fundit me Hungarinë dhe shtete të tjera, është ende i papasqyruar dhe në tërësinë e vet, mbetet një tablo e pazakontë që rikthen motet e eksodeve masive të shqiptarëve.

E gjithë kjo tablo më se tronditëse, i gjithi ky realitet alarmant, për Kosovën dhe jo vetëm atë, fatkeqësisht nuk ka mundur të tërheqë aq sa duhet dhe si duhet, vëmendjen e institucioneve të shtetit të Kosovës. Kjo tablo në zhvillim, nuk ka mjaftuar të imponojë një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë së Kosovës për të marrë në trajtim çështjen apo të ndjekë një raportim nga disa ministra të linjës për situatën, gjendjen dhe rrjedhën e mëtejshme të saj. Ky eksod masiv në Kosovë ka pasoja jo vetëm për zbrazjen e qyteteve, fshatrave dhe qendrave. Kjo sjell pasoja në përbërjen demografike të popullsisë dhe sidomos në krahët e punës që gjer më tash i ka pasur të paaktivizuar. Vendi dhe ekonomia në rënie e degradim, bujqësia dhe sipërmarrjet e Kosovës po pësojnë një goditje dhe dëmtim, pasojat e së cilës do të ndihen e peshohen pas dy apo tri viteve. Mirëpo kaq nuk mjafton që Kryeministri Isa Mustafa, i gjendur në strukjen e vet për shkak të “çështjes Jabllanioviç”, së paku të shprehet para alarmit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun, për këto ikje masive të kosovarëve! Kuvendi i Kosovës nuk ka zhvilluar asnjë seancë të posaçme për këtë gjendje të jashtëzakonshme. Madje në axhendën e opozitës nuk ekziston fare përmendja apo listimi i këtij problemi kombëtar, duke u eklipsuar nga “çështja Jabllanoviç” dhe kërkesa për mosprivatizim të Trepçës. Sot, krerët e opozitës, mund të festojnë “triumfin” e tyre për shkarkimin e ministrit të pakicës që nuk do të shkarkohet, por ndoshta nuk e kanë mirëllogaritur pasojën që vjen prej saj në raportet Kosovë-BE apo Prishtinë-Bruksel.

Kosova është në ditët më të vështira pas pavarësisë së vet. Një krizë që nuk buron prej një procesi rrethanash dhe pasojash të paparalajmëruara por prej një realiteti të politikës së keqe brenda saj dhe paaftësisë për një ekonomi stabile e me kapacitete vetëprodhuese. Kësaj here, i gjithë faji është i kastës politike të Prishtinës.

Nisi qysh prej momentit që qeverisësi Hashim Thaçi në dy mandate, pretendonte, me çdo kusht, mandatin e tretë dhe kur kundërshtarët e tij, të dalë prej përballjes së kahershme dhe pakënaqësisë së vonuar, pazarizuan koalicionin paszgjedhor për ndarjen e posteve qeverisëse. Ngjau ajo që aq lehtë zhbëhet! Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi e ndanë më mirë mes tyre “tortën e pushtetit” dhe të pakënaqurit apo të zhgënjyerit prej pazarit të parë, (Haradinaj-Limaj dhe Albini e të tjerë), iu rikthyen luftës opozitare duke e gjetur pretekstin. Të dytët si dhe të parët nuk po bëjnë asnjë llogari me interes për Kosovën dhe qytetarët e saj. Koha do ta dëshmojë këtë, më mirë nga sa thuhet si profeci.

Kështu nisi dhe, për kësi arsyesh, po ngjet që qytetarët e Kosovës nën presionin e varfërisë masive dhe në minimumin jetik historik të tyre, po zgjedhin arratinë sociale. Bien në prehër të emigrimit, duke mos menduar se cilat janë kostot dhe se sa kohë tjetër po humbasin prej jetës së tyre në kërkim të një fati të pashfaqur në shtetet e Europës së trazuar. Ikin duke lënë pas krahëve, me lot fëmijësh dhe dhimbje mospasjeje, viset dhe shtëpitë e tyre në Kosovën që po sapo bën shtatë vjet shtet në pavarësi.

Kujt i vlen dhe kush e inspiroi këtë skenar?

Udhëheqësit politikë të Kosovës nuk kanë vëmendje dhe nuk po ndezin asnjë fije diskutimi për këtë dramë sociale që po e kaplon qytetarinë e vendit. Në sheshet e agjencive të autobusëve ku ngjishen të rinj e prindër me fëmijë në krahë, duke u përshëndetur dramatikisht me lot e klithma me njëri-tjetrin, nuk ka pasur asnjë vizitë qeveritari e politikani. Ikja po ngjet pa u shoqëruar as me gjest ndalimi e as me shenjë përshëndetjeje njerëzore. Kjo indiferencë kujt i vlen dhe cilin po inkurajon? A do të duhej opozita të linte sheshin “Skëndërbej” në Prishtinë dhe të dyndej tek agjencitë e autobusëve për të zbritur qytetarët dhe për të kapur fëmijët nga krahët e prindërve që po marrin arratinë, për t’u thënë se “fatin tonë ne do ta ndërtojmë veç këtu!” Pse nuk po e bën opozita e Albin Kurtit këtë gjë? Fitorja për shkarkimin e Jabllanoviçit, po rezulton si këmbëngulje e Lista Srpska për të qëndruar në qeveri e për të dëshmuar fiktivisht se qenka më e vendosur se vetë kosovarët për të ekspozuar vullnet pjesëmarrjeje në qeverisjen e vendit dhe përfshirje në institucione(!)

Qeveria, Kuvendi dhe Presidentja e Kosovës nuk kanë konsumuar dhe sipas gjasave, ende nuk kanë vendosur ta konsumojnë, qoftë edhe një mbledhje për zbrazjen e re të Kosovës. Pse nuk po e bëjnë këtë gjë? Mos vallë ka shterur dhimbja dhe dhembshuria për qytetarët dhe vendin e tyre?

Kasta politike duket se ka rënë në lojën sadiste të përfitimit prej qeverisjes dhe abuzimit në posedimin e institucioneve të një republike rishtare të paradehur nga liria e mëvetësimit. Nuk duhet harruar se pushteti i iluzionit, fsheh edhe ekzistencën e lirisë reale dhe të vërtetë. Pasi t’i ikin këtij iluzioni (sipas të cilit, në vise të tjera, jeta mund të jetë më e mirë, se në emigracion së paku do të gjejnë punë), qytetarët dhe të rinjtë e Kosovës, mund të mbarsin pakënaqësi të tjera dhe për ata që nuk janë fajtorë eminentë. Është fjala për pakënaqësinë e cila mund të shprehet dhe të ndëshkojë pa arsye dhe me aq egërsi siç ngjau me xhamat e qeverisë në Prishtinë. Kësi egërsie kur vërshon, vë para si ata që shembën besimin dhe premtimet e pushtetit të atyre, ashtu edhe ata që lozën e u paguan në robëri, apo çlirimtarët që shfrytëzuan abuzivisht lirinë pas fitores.(!)

Në Prishtinë nuk duhet të soditen më autobusët që mbushen dhe pikëkalimet që gëlojnë prej azilkërkuesve. Është e turpshme që nga Tirana nuk ka një apel apo reagim solidar për të spostuar vëmendjen ndaj kësaj plage të re e dhimbjeje të beftë sociale që ka vërshuar e shpërthyer në “anën tjetër të gardhit”. Pasojat e këtij eksodi të ri shqiptar nuk do të mbeten vetëm për Kosovën, por pasojnë ndikim e reflektim në krejt hapësirën dhe shtetet e shqiptarëve. Nesër mund të marrin provën e tyre edhe Shqipëria edhe Maqedonia. Por për ta shmangur sa më shumë e më shpejt këtë, nevojitet së paku t’u kujtojmë qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, qeverisë së Shqipërisë dhe Parlamentit, të zhvillojnë së paku një mbledhje vetjake e pse jo, edhe të përbashkët, e të kenë një raport, i cili të mos i gjejë të papërgatitur para Brukselit apo Uashingtonit(!). Pashmangshmërisht, pas pak ditësh Brukseli, kryeqytetet e tjera të BE-së dhe Kombet e Bashkuara, do të pyesin e kërkojnë raportim. Ndoshta, jo sepse u dhimben kosovarët që ikin, por sepse janë të inatosur prej shtetasve që po u dynden… Dhe koha e sotme askund nuk rezervon mikpritje si në të shkuarën.

alb365.com

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Ja mesazhi i tifozave “kuq e zi” dje në Francë për Platininë.

Tifozët Kuq e Zi kanë...

Close