|Thursday, December 8, 2016
  • NA NDIQ NË

Ekspozitat e “pafajësisë” së Ramës 

Nga ENTON ABILEKAJ- Ekspozitat e Edi Ramës që nga 2013-a, kanë nxitur gjithkënd të kërkojë shpjegime. Të gjithë, edhe Rama, e dinë që kjo nuk është karrierë artisitike, sepse po të ishte e tillë do ishte zhvilluar përpara se Edi të bëhej kryeministër. E dinë gjithashtu se nuk ka asnjë efekt pozitiv ekonomik dhe as artistik, se nuk pasqyrohet në asnje media serioze, as kulturore e as politike. Vetën tek- tuk disa shkrime të paguara (nuk kuptohet nga cili buxhet), mundohen dëshpërimisht t’i bëjnë jehonë aktivitetit artistik të kryeministrit shqiptar.

Gjithashtu të gjithë e dinë, se nuk ka asnjë efekt në ndërtimin e imazhit të Shqipërisë, aktiviteti artistik i Kryeministrit, sepse asnjë diplomat apo gazetar i huaj nuk e ka evidentuar këtë fakt kur shkruan për Shqipërinë. Në përgjithësi fjalët e mira për Shqioërinë nuk i adresohen politikës dhe politikanëve, por tolerancës fetare, bukurive të natyrës dhe suksesit personal të shqiptarëve jashtë kufijve. Emri i Edi Ramës nuk ka dalë gjëkundi në këto histori suksesi, pavarësisht se ka hapur dhjetra ekspozita pikture në Europë dhe tashmë edhe në SHBA.

Ekspozita që kanë edhe një kosto. Nuk ka asnjë informacion kush e paguan këtë kosto, por për këtë nuk shqetësohen tashmë as shqiptarët, aq më pak të huajt që i përfitojnë fondet.

Kështu, ndërsa sheh Edi Ramën, që flet në variantin e tij të anglishtes, përpara një grupi modest të interesuarish në një galeri të shtrenjtë të New York-ut, gjithkush mendon që nuk ka arsye për të vënë alarmin. Duket si një abuzim minimal me pushtetin, krahasuar me bëmat e paraardhësve dhe në fund, mund të jetë një sindromë joshqetësuese, ajo e kompensimit të dështimit profesional, kur arrin suksesin në një profesion tjetër. Shumë shqiptarë e mbyllin kështu diskutimin, për çartjet artistike të Kryeministrit. Por, perveç faktit që, si tentativa artistike nuk kanë asgjë për të na bërë krenarë, ka shumë arsye për tu shqetësuar. Jo vetëm sepse niveli i pikturës në Shqipëri nuk mund të përfaqësohet me atë grup shqetësues vizatimesh që ekspozohet, jo vetëm për faktin se këndvështrimi intelektual shqiptar për të shkuarën dhe të tashmën e Shqipërisë dhe botës nuk mund të përfaqësohet nga disa barsaleta bajate që përsëriten nga Stambolli në New York, por edhe për përdorimin politik të këtyre eventeve të kushtueshme.

Duke u ekspozuar bashkë me pikturat dhe skulpturat në galeritë më në zë të botës, Rama tenton të krijojë një imazh për veten dhe qeverinë e tij, jo për vendin. Ai shpjegon se si dallkaukët dhe hajdutët në Shqipëri nuk e pranojnë qeverisjen e tij, se si kundërshtarët kanë frikë nga reformat e tij të suksesshme, se si nuk e kuptojnë vizionin e tij. Ai kërkon që nga një audiencë e painteresuar për politikën dhe, si rrjedhim, miratuese për ekspozenë e tij politike, të krijojë një imazh ndërkombëtar, që e ndan, e ndan Shqipërinë në të mirë dhe të këqinj dhe ku të mirët i përfaqëson ai, të këqinjtë, kundërshtarët e tij politikë.

Nëpërmjet këtyre eventeve të kushtueshme, ai kërkon të kompensojë imazhin që ka në vend, si një politikan që ka mbledhur rreth vetes njerëz me precedentë penalë, që ka marrëdhënie të afërta me disa nga kapot e krimit të organizuar dhe i përdor ata për zgjedhje e i fut në Parlament. Duke u ekspozuar bashkë me veprat e veta në një galeri të shtrenjtë në Perëndim, Rama e ka fare të lehtë t’i kundërvihet imazhit në vendin e tij. Dhe pyetjet e qytetares shqiptare, e revoltuar nga makiazhi i shtrenjtë i kryeministrit, ai kujdeset t ‘i përgjigjet me qetësi, por pa arritur të shmangë notat e prepotencës.

Duke ndryshuar edhe faktet historike, siç bëri me historinë e fillimit të lëvizjes studentore dhe me ikjen e tij në Francë, ai kërkon të ribëjë edhe biografinë e tij, duke përdorur një auditor që buzëqesh, pa e ditur të vërtetën, madje të interesuar për trillime të bukura që e zëvendësojnë të vërtetën e mërzitshme. Trillime të bukura që për ata janë të padëmshme, por që këtu sjellin rrezikun e ndryshimit të historisë nga një tjetër njeri i pushtetshëm.

Add a Comment

%d bloggers like this: