|Saturday, December 10, 2016
  • NA NDIQ NË

Frika nga Erdogan, Greqia “mobilizon” shqiptarët 

Nga FATOS MAHMUTAJ – Ka disa kohë që Greqia ka nisur politikën e zbutjes ndaj problematikave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në vend, duke lehtësuar së fundmi edhe mundësitë e përfitimit të nënshtetësisë. Pikërisht kjo e fundit ka nisur në formë fushate masive për rivlerësimet e kërkesave të bëra në vite nga shqiptarët, duke përjashtuar ata që vijnë nga vende të tjera origjine. Kjo ka filluar pak kohë më parë dhe është bërë intensive javën e fundit, çka të çon në dyshimin se ka arsye të tjera të kamufluara pas “zemërgjerësisë” greke ndaj shqiptarëve.

Dashur pa dashur, viti 2016 ka prodhuar dy momente historike të cilat grekët i konsiderojnë si të lidhura drejtpërdrejt me politikën e jashtme të tyre. E para është fakti se pas dy javësh Shqipëria pritet të marrë në Bruksel dritën jeshile për të nisur negociatat e anëtarësimit në Unionin Europian, çka është parë gjithmonë me skepticizëm dhe pengesa nga ana e Greqisë zyrtare. Dhe e dyta, ajo çfarë është më e rëndësishmja, janë deklaratat e para një jave të presidentit turk, Erdogan për mbajtjen e referendumeve në zonat jashtë Turqisë, të banuara gjerësisht nga turqit. Duke pretenduar se kjo e prek Greqinë në një pjesë të konsiderueshme të territorit, për të mos thënë rreth 40 përqind, ka vënë në alarm Athinën zyrtare.

Dhe zgjidhja si përherë, është parë tek shqiptarët. Siç duket grekët, të cilët i prisnin me dru dhe tortura maleve emigrantët e varfër shqiptarë vetëm pak vite më parë, tani e kanë kthyer totalisht pllakën ndaj tyre, duke i quajtur vëllezër dhe duke iu ofruar nacionalitetin lehtësisht, me shpresën që së afërmi t’i përdorë kundër Turqisë, në një luftë të mundshme midis dy vendeve. Dmth, historia po përsërit vetveten. Njëlloj si në fillim të shekullit të XIX, kur shqiptarët u përdorën masivisht nga kisha greke kundër Portës së Lartë. Është fakt, se atëherë, pasi themeluan shtetin e tyre me shumicë të popullsisë shqiptare dhe sapo siguruan njohjen e tij nisën pabesitë ndaj shqiptarëve çka kulmuan me masakrimin total ndaj tyre. Por edhe pse e rrudhur deri në minimum dhe herë pas here paraqitet me shifra të manipuluara, popullsia arvanitase (shqiptare) në Greqi është sërish e konsiderueshme; ndryshe nga popullsia çame, e cila u asimilua forcërisht duke u zhvendosur në zona të tjera të Greqisë, apo ata që nuk pranuan konvertimin u masakruan nga ushtarët e bekuar prej kishës greke dhe ata që mundën të shpëtonin u strehuan si emigrantë në Shqipëri.

Vjedhja dhe shtrembërimi i historisë nga grekët është një tjetër problem me të cilin shqiptarët janë përballur prej shekujsh të tërë, që nga koha kur helenët lanë brendësinë dhe lindjen e Anadollit dhe u dyndën në jug të Ballkanit ku u asimiluan me vendasit ose i zhvendosën këta të fundit drejt veriut. Politika greke mbeti e njëjta deri në ditët e sotme, kur veç 10 ditë më parë kreu i diplomacisë greke kërcënoi hapur Shqipërinë për luftë, madje krahasoi edhe kapacitetet ushtarake të dy vendeve. Kërcënimet e tij nuk u morën seriozisht nga Tirana zyrtare, ndërsa lëvizja e fundit e Athinës, vetëm pak ditë më vonë, e ktheu në komedi, duke e nxjerrë lakuriq shtetin helen. Kjo për faktin se dhënia në masë e nënshtetësisë për shqiptarët konsiderohet si një zgjidhje e Greqisë për të mbyllur problemin e rekrutimeve në ushtri. Ende nuk dihet se cili do të jetë reagimi i emigrantëve shqiptarë, pas tundimit për të përfituar me lehtësi ‘letra greke’, kur vetëm pas pak kohësh pritet të mos kenë më nevojë për to. Ajo çka mbetet të vlerësohet është pyetja: Pse kaq e paaftë Greqia përballë Turqisë duke kërkuar sërish, si dy shekuj më parë të përdorë ushtarë shqiptarë kundër turqve?!

Add a Comment

%d bloggers like this: