|Friday, December 9, 2016
  • NA NDIQ NË

FSK-ja ka nevojë për 800 milionë euro 

Kosovë – Forca e Sigurisë së Kosovës ka përgatitur një plan operacional për shndërrimin në ushtri, një proces që mund të zgjatë dhjetë vjet dhe ka një kosto prej 811 milionë euro.

Sipas sekretarit permanent të FSK-së, Shkelzen Syla, vlerësimi për periudhën kohore dhe implikimet buxhetore për procesin e transformimit janë bërë me ndihmën e ekspertëve të huaj.

“Vlera 811 milionë euro parashihet për të gjitha veprimet që duhet t’i ndërmarrin Forcat e Armatosura në arritjen e kapaciteteve të plota operacionale. Është vlerë e kalkuluar në detaje nga grupet e përbashkëta punuese, edhe nga ekspertët e SHBA-ve dhe tonët”, tha Syla, raporton KALLXO.com.

Ndërkaq, sipas ministrit të FSK-së, Haki Demolli, zgjatja e procesit të transformimit ka ndikuar që të ketë ngecje në shfrytëzim të buxhetit.

“Ne gjithmonë bëjmë planifikimin buxhetor duke marrë parasysh edhe procesin e transformimit, pra ndërrimin e mandatit tonë por me këtë rast disa pajisje si armatimi që parashihet mbeten të pashfrytëzuara si buxhet sepse nuk kemi të drejtë t’i shfrytëzojmë pa ndërrimin e mandatit. Kjo është një ndër pasojat e prolongimit të procesit të transformimit”, tha Demolli.

Buxheti për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka pësuar rritje prej 8.7 për qind, nga 46.9 milionë të vitit 2016 në 51 milionë për vitin 2017.

Sipas ministrit Demolli, ndarja buxhetore nuk është totalisht e kënaqshme por do të vihet në shfrytëzim të avancimit të FSK-së.

“Buxheti do të jetë shumë më i fokusuar në pjesën e uniformuar të FSK-së e jo në administratë apo kabinet të Ministrisë”, tha ai.

Add a Comment

%d bloggers like this: