|Thursday, December 8, 2016
  • NA NDIQ NË

Hajd’ dalim nga Myzeqeja…! 

Nga Naun Kule – Rreth 40 vjet më parë, me këtë titull afirmues, shkrova dhe botova në gazetat e kohës një reportazh për Myzeqenë e begatë, pluguar e gjelbëruar cep më cep, gjer në mezhda dhe ovrate. Titulli i sipërm ishte vargu nisës i një kënge të re, buruar nga fusha dhe fusharakët, e cila këndohej e kërcehej aq shumë. Vargu pasues i titullit “Hajd’ dalim nga Myzeqeja” vijonte me “Të shikojmë tokat e reja…!”

Pikërisht këtu ndalon kënga e sotme…! Vargjet pasuese për “tokat e reja…” janë harruar. I morën me vete ata që ikën… (mbase për shkak të atyre që erdhën…?!) Disa shkuan me të shumtët, por më shumë se ata, janë ikanakët kurbetlinj. Andej nga ngrysin ditët dhe vitet, mbasi këndellen tek sjellin në sytë e mendjes gjithçka që lanë pas…

….Ishte koha kur kjo fushë e begatë – hambar i Shqipërisë e Ballkanit – dhe banorët e saj punëtorë, përbënin modele dhe referenca kombëtare. Maunet shqiptare me logon “Made in Albania” mbushur me prodhimet e Myzeqesë, ishin “ambasadorët” e parë shqiptarë ndër portet, autostradat dhe qytetet europiane. Prodhimet bujqësore e blegtorale të kësaj fushe konkuronin në nivele europiane, në grurë dhe misër, pambuk e mish, qumësht e perime në serat dhe arat e pafundme, bonifikuar dhe sistemuar bukur. Pavarësisht ideologjisë, politikave ekonomike dhe ndarjes së pabarabartë të të ardhurave, myzeqarëve nuk iu deshën më shumë se tri dekada pas Luftës, që t’ia ndryshojnë jo vetëm pamjen Myzeqesë, por të shërojnë edhe plagët e njohura ndër këto anë si moçalet, malarja, përmbytjet etj.

***Gjithsesi, kjo ishte ana materiale e arritjeve. Por jo e vetme. Gjithë ndryshimet emancipuese në përmbysje dhe ringritje gjer në nivele të lakmueshme të kohës, ishin rezultante e një pasurie tjetër, shumë më të madhe se gjithë produktet që numëruam. Ishte pasuria e madhe shpirtërore, një akumulim shekullor etnokulturor, ndonëse paksa i heshtur dhe i ndrojtur në karakterin dhe natyrën e çiltër por të matur të myzeqarit, i cili që dajmas trashëgon porosinë: “Mos pre pa matur disa herë…!”

Pikërisht këtë pasuri të patjetërsueshme të këtyre banorëve, thuajse të gjitha qeveritë shqiptare e kanë anashkaluar, duke i mburrur myzeqarët për misër dhe grurë, për punë dhe bindje, por jo edhe aq për art e kulturë…

Sa herë vlerësojmë shpërfaqjen e kësaj pasurie ndër ta, nuk mund të mos ndalemi në ngjarje, figura dhe emra që kishin për vatër, djep dhe shkollë Myzeqenë, siç janë disa nga kolosët e historisë, kulturës dhe artit shqiptar (disa edhe “Nderi i kombit”), si Naun Doko Prifti (Libofshë, 1896 – Tbilis, 1934), njeri nga dy shqiptarët Rektor Universiteti në botë, atdhetar e dijetar si ai, për të vazhduar me Artistët e Popullit Vaçe Zela, Kristaq Dhamo, Albert Verria, Vilson Kilica, me Mësuesit e Popullit Jani Minga, Anastas Laska, Jani Nushi, Harun Sefa, etj, me shkrimtarët Jakov Xoxa, Vath Koreshi, Faslli Haliti, etj.

Asnjë trevë nuk ka kaq shumë mësues dëshmorë sa Myzeqeja, si Zoi e Jovan Ndreko, Papa S.Saqellari, Papa Isaija, Dhimitër Mino, Jani Dodi, etj

Pallatet dhe shtëpitë e kulturës ndër fshatrat e çerekshekullit më parë, bibliotekat, sallat e shfaqjeve për filma e teatro, dëshmonin pikërisht për këtë pasuri; mbushjen kulturore të botës shpirtërore të myzeqarëve, regjistrin e gjërë të interesave artistike të këtyre banorëve.

Bollëku i prurjeve në panairin e Libofshës këtë fillim muaji ishte i dukshëm, por habia ishte gjetkë. Këtu sheh se sa shumë njerëz ka nxitur ky projekt trashëgimor i Bashkisë së Fierit, ndër këta banorë, në shtëpi, në punë e në shkolla. Sa shumë fëmijë dhe nëna, amvisa e biznesmenë, prodhues e krijues, ka vënë në punë; deri edhe gjyshërit, i ka nxjerrë nga shtëpia për këtu, në qendër të qytezës. Në stendat e shumta të panairit, shtrirë dhe shtruar pastër e bukur, sheh nxënësit pranë prindërve dhe mësuesve që rrëfejnë…

-Ja, kështu melica rrihte bimën e lirit gjersa e kthente në fije që thureshin në tezgjah të linjtat, si bluhej misri në mokër, si rrihej qumështi e dilte gjalpi nga tundësi, si mbushej e ndizej kandili, llampa e feneri, si thureshin qëndisjet dhe gjithë këto stoli në tezgjah e në grep me temina e serma, me sumbulla të bukura e të bardha sa të lëbyrnin sytë…

Më tej, tjetri mburr pijet e ndryshme të prodhuara në familje, tjetri zahiretë e dimrit, shumëllojshmëritë e turshive dhe reçelërat nga frutat e perimet e thata, deri tek kantina e verës, zbritur këtu nga vreshtat e reja në kodrat e Ardenicës.

Amvisat deri edhe fëmijtë të veshur bukur si për festë, na ftojnë t’ua shijojmë ëmbëlsirën, gurabitë e çokollatat, glikotë e liqernat, byrekët e lakrorët. Gastronomia dhe arti kulinar i amvisës myzeqare ndoshta meriton një panair më vete…

Kostumografia tradicionale e djemëve dhe vajzave, folkloristika e shoqëruar me ritet e lindjes e të ninullës mbi djep, ritet e dasmës, demonstrimi pasionant i valles dyshe myzeqare nga nxënësit e shkollës këtu, ishin pjesët më të pëlqyera e të duartrokitura në këtë mjedis festiv të kësaj shpërfaqjeje kulturore tradicionale.

***

E pra, të mërkurën e pazarit të 2 nëntorit, në një ditë të bukur plot dritë dhe diell, qyteza e Libofshës rrëzëlleu duke shpërfaqur vlera dhe virtute, bukuri e stoli të soçme dhe të moçme. Kësisoj Libofsha u “rrëfye…!” Mjerë njeriu që s’ka bërë asgjë për të rrëfyer ndër miq e shokë…!

Bashkia e Fierit, me një projekt të menduar mirë dhe plot “bereqet”, nën logon intriguese “Hajd’dalim nga Myzeqeja” ka nxitur dhe organizuar një tur “plugimesh” për të njohur dhe rrëfyer ndër shokë, gjithçka të vleftë e të bukur që ka krijuar tradita e lashtë dhe e re e myzeqarëve.

Dhe e filluan me Libofshën. Festimi i panairit nis e shoqërohet me këngë e valle, sidomos nga të rinjtë, takijebardhë si gjyshërit dhe shoqeve të tyre, zbukuruar nën qëndisma e fustanella plot ngjyra e stoli. Të zonjat e shtëpisë, administratorja znj. Themije, Nevila Doko, dy drejtoreshat e shkollave këtu, mbyllin sot “javën e dasmës” siç thotë Tefta Deda, me merakun dhe privilegjin e mikpritësit, për të ftuarit e shumtë. Në krye të organizatorëve ishte vetë kryetari i Bashkisë, Armando Subashi me stafin që e ideuan dhe realizuan këtë event.

Por pas gjithë këtyre “të rrëfyerave”, le të na lejohet ndonjë sugjerim. Kjo sepse sipas një kalendari që e shoqëron projektin, Bashkia e Fierit, do ta realizojë edhe në qendrat e tjera administrative., (ish komunat) Pavarësisht përmbajtjes dhe tematikës së pasur të projektit “Hajd’ dalim nga Myzeqeja”, mendojmë se diçka mund t’i shtohet përshtat me vendin ku do zhvillohet. “Nga dasma dhe dasmorët, tek i zoti i shtëpisë, veç nusja mbetet”, thoshnin pleqtë. Për analogji, një “nuse” edhe mund të gjendet për t’ua lënë banorëve ku zhvillohet panairi. Po ç’mund të ishte “nusja”?

Duke arsyetuar mbi ato që u zhvilluan në Libofshë, mendojmë se atij programimi mund t’i shtohej edhe një investim modest, që t’u mbetej këtu banorëve. Kjo mund të ishte psh, restaurimi a plotësimi i muzeut të “Mësonjëtores së Myzeqesë”, ndoshta edhe në një mjedis më të përshtatshëm për ta shpëtuar nga igrasia e një klase të shkollës ku e hapëm në vitin 2008, në 100 vjetorin e Mësonjëtores. Kështu do parabënim edhe punën e një viti më vonë (më 2018-ën) kur po këtu, do festojmë 110 vjetorin e kësaj shkolle. Një tjetër “nuse” mund të ishte edhe dhurimi i librave që shkruajnë për Myzeqenë, nga autorët dhe shtëpitë botuese të cilat, mund të ishin pjesë e stendave të panairit, por pas tij, t’i dhuroheshin bibliotekës së shkollës. Në rastin më të mirë pse jo, Qendra administrative e Libofshës, mund të përuronte me këto libra, bibliotekën e saj, qoftë edhe në njerën nga dhomat jo të pakta të ish pallatit të kulturës. Në botën e qytetëruar ku duam të shkojmë, janë zyrat ato, që ua lenë vendin librave dhe bibliotekave. Përkundër kësaj, në Libofshë (jo vetëm) ishte biblioteka dhe pallati i kulturës “viktima” e parë e zyromanisë kaotike të fillimviteve 90-të.

…Tek vizitonim stendat e panairit, afrohet e më pyet gazetari i një televizioni:

-Në çfarë dallon Libofsha nga simotrat e saj të Myzeqesë e larg saj?

-Ja, shiko përqark dhe numëro! i thashë.

…Atje, është lapidari në nderim të I.Qemalit që bujti këtu më 24 nëntor 1912.

Më tej, busti i Naun Doko Priftit, bir i Libofshës dhe burrë mbi burra …

Lapidari tjetër, përkujton pagëzimin luftarak të Çetës së Myzeqesë, kundër karabinerëve fashistë, këtu, më 28 janar 1943.

Ai tjetri , është lapidari i dëshmorëve të atdheut…

…Po filli i të gjithëve është më tej akoma. Në mjedisin e kompleksit shkollor, ku shquan Obelisku i Mësonjëtores, të cilës, pas një viti e pak, do t’i festojmë 110 vjetorin…! Që këtu, ndër ato dyer e nga mësonjësit e kësaj shkolle mbi njëshekullore, kanë marrë udhë, dije dhe burrëri mijëra djem dhe vajza të Myzeqesë të cilët, sot përcjellin me nderim emrin dhe historinë e Myzeqesë dhe shkollës së tyre, afër dhe larg; në Shqipëri e nëpër botë. Kjo sepse potenciali intelektual i secilit, bulëzon që aty, ku dritësimi i mendjes nis me abetaren… Ndaj shkolla dhe shkollimi fëminor mbetet pjesa më e dashur e njeriut i cili, nostalgjinë e këtyre çasteve e përcjell me vargjet drejtuar vendlindjes: “Ne të lamë, por ti s’na le/ Se ti vjen ku jemi ne…!”

Add a Comment

%d bloggers like this: