|E shtunë, Tetor 21, 2017

Hijet e frikshme të së kaluarës. 

    karikatura E kaluara sërisht po na vret me hijen e saj të përgjakur  që kohët e fundit po e shfaq hapur qëllimin e vet ogurzi e agresiv për ringjallje. Hijet e saj po enden të etura për gjak nëpër natën e errtë të tranzicinit anonim shqipëtar duke kërcënuar “trimërisht” rrikthimin e saj tragjik. Askënd nuk mund të shqetësoj më kori kukuvajkave enveriane i përbërë nga dordolec të atrofizuar  që bartin akoma në mëndjet e tyre të mykura dhe në zemrat e tyre të kalbura mbajtja e portreteve të diktatorit më gjakatarë  që ka njohur historia e këtij vendi, por duhet të shqetësoj çdo shqiptarë që i dhimbset ky popull e  ky vend për atë që po ndodh aktualisht kohët e fundit. Në qoftë se tendenca e këtij fenomeni rrënues do të ishte ekskluzivizitet apo qëllim në vetvete i një pjese nostalgjikësh arkaik, të lidhur kriminalisht nga komplekset e fajit me të kaluarën dhe e lokalizuar në periferi të jetës politike të këtij vendi ky nuk do të përbënte ndonjë shqetësim të madh,por këtu ka diçka më shumë. Në festimet e fundit komuniste, si në  5 Maj e në 24 Maj nëpër homazhe e tribuna me grushtin ngritur, me grushtin si simbol i  përshëndetjes komuniste dhe përçarjes kombëtare deri në tragjedi deri dje i “harruar”, sot “çuditërisht” ngrihet guximshëm e paturpësisht si mesazh ogurzi për një rikthim të së shkuarës sllavo-komuniste dhe jo si një gjest pa qëllim për “rilindjen”, e premtuar nga politikanët që sot janë në pushtet . E keqja  këtij vendi nuk mund t’i vij kurrë nga një turmë nostalgjikësh që kërkojnë rehabilitimin e figurës makabre të Enver Hoxhës, se në kopshtin e harlisur me barishte të keqija të pseudo demokracisë shqipëtare vërehet me shqetësim e dhimbje se këta rilindas të vetëshpallur të tillë po zhgënjejnë çdo ditë e më shumë shqipëtarët në shpresat e tyre se këtu do të ishin ndryshe, por koha si një laktus i pamëshirshëm po tregon të kundërtën duke shngjyrosur çdo ditë e më shumë premtimet e dikurshme. Rilindja vdiq pa lindur sepse mitra e infektuar ku ajo u ngjiz si ide e premtim nuk mund t’i jepte asaj mundësi për të jetuar, toka e atij livadhi që rriti për 50 vjet vetëm barishte helmuese ishte helmuar njëherë e përgjithmonë dhe ajo nuk mund të riprodhonte lulet e premtuara veçse bimësin e trashëguar. Kur Pandeli Majko ngre grushtin në sy të Ambasadorit  Amerikan,  grushtin si simbol të përshëndetjes komuniste dhe e quan atë si symbol të bashkimit kuptohet që gjërat kanë ecur shumë larg. Majko i vlerësuar aq shumë nga administrata Amerikane e kohës  dhe presidenti i famshëm amerikan Bill  Klinton, simboli unikal i çlirimit të Kosovës i cili e priste Majkon në shtëpinë e Bardhë me përkujdesjen e ngrohtësinë e vëllait të madh për të voglin; kjo tregon se trashëgimia komuniste në Shqipëri ka marrë përmasa tragjike  dhe me shpejtësi po kthehet frikshëm në një kërcënim vdekjeprurës për të ardhmen e këtij vendi dhe e këtij populli. E keqja e madhe është se ky person ka përsëritje të vazhdueshme në “bëmat” e tij kur arrin ta quaj Mitat Frashrin , kokrra e kolaboracionistit; Mitat Frashari një nga potriotët më të mëdhenj të ketij vendi i cili deri në vdekje i shërbeu me devocion proverbial kauzës kombëtare dhe jo kauzës sllovo ortodokse të komunizmit të cilët baballarët tuaj i shërbyen me zellin e shërbëtorit të përulur duke e shndërruar këtë vend në oazin e vdekjes e skllavërisë në mes të europës së qytetëruar e demokratike. Në një bisedë që kam patur shumë kohë më parë, Mars 1999 së bashku me disa miqtë e mi me Sali Berishën, i kam thënë këto fjalë: njëriu gjithçka mund të tradhëtoj në jetë e ngagjithçka mund të tradhëtohet përveç origjinës, atë as nuk e tradhëton dot e as ajo nuk të tradhton kurrë. Mesazhi besoj se është tepër i qartë se kodi gjenetik si në aspektin biologjik e atë politik mbetet gjithmon faktor determinues në mënyrën e të vepruarit dhe të menduarit. S’mund të ndodhte ndryshe më 24 Maj në Përmet, kur Meta së bashku me korin e kukuvajkave do këndonin arjen e vdekjes së këtij kombi Enver Hoxha tunjateta Ilir Meta gjithçka që ka arritur në politik ose më mirë në bisnes politikën e tij e ka realizuar me sensin e fort pragmatist duke u shëndërruar në një rast të vaçantë në politikën shqiptare e më gjërë. Biri i një oficeri që deri vonë shiste lakra te pazari i ri me ambicje politike e qëllime të qarta pasurimi, diti të lundronte mjeshtërisht në ujrat e turbullta të politikës shqiptare duke u ngjitur dhe për hir  të disa konjukturave deri në majat e saj më të larta . Kur dinaku Nano ja ndërpreu karrierën e tij në pushtet ai ishte bërë mjaftueshëm i fuqishëm ekonomikisht për të krijuar lëvizjen e vet politike të cilën e pagëzoj LSI. Në këtë lëvizje u përfshin të gjithë të pakënaqurit prej Nanos, ekstremistët komunistë, ish sigurimsat si dhe zyrtarët e nënpunësit e doganave dhe policisë të hequr për korrupsion ( dhe kur të hiqte Nano për korrupsion, kuptohet se sa i ndershëm ishte). I mbijetoi rastësisht dështimit të plotë në 2009 për shkak se Berisha nuk e arriti numrin e nevojshëm për të qeverisur duke hyrë në një koalicion nga i cili përfitoi shumë dhe duke dëmtuar akoma më shumë Berishën, të cilin e braktisi si aleat në momentin që i kishte rrëmbyer gjithçka, si dhe mundësinë e fitores së pamundur. Sot ai ka rreth vetes pjesën më konservatore e më fajsore të diktaturës, si enveristët e ish ushtarakët (ish sigurimsat), me të cilin bashkohen për të kënduar arien e vdekjes së këtij populli “Enver Hoxha Tungjatjeta”. Komunistët kanë 70 vjet që akuzojnë Zogun për një krim të pakryer, vjedhjen e floririt nga arka e shtetit shqiptar, ndërsa “çuditërisht” për thesarin e shtetit që u vodh ditën për diell kur ju zoti Meta ishit kryeministër, po hesht plotësisht. Në këtë vend kanë kaluar shumë pushtues, por askush nuk u ka rrëmbyer shqiptarëve pronën e pasurinë, me dhunë siç bëri “babai juaj” Enver Hoxha, që u rrëmbeu shqiptarëve gjithçka që ata kishin, deri edhe jetën. Mijra e mijra shqiptarëve j’u rrëmbyen pronat dhe floriri nëpërmjet torturave më çnjerëzore; floriri i grumbulluar prej shekujsh në këtë vend prej stergjyshërve, gjyshëve, baballarëve dhe prej vetë atyre… dhe sot ai flori dergjet në heshtje si një dëshmi tronditëse në bankat e huaja, ku në çdo kallëp të tij është një rënkim, një grusht lot, si dhe një jetë e marrë padrejtësisht nga kryexhelati Enver Hoxha, të cilin ju sot kërkoni t’a rehabilitoni padrejtësisht në formën më fyese për një popull të tërë. Zoti Meta, kur ti festoje bashkë me veteranët në përvjetorin e Kongresit të zi të Përmetit ( i zi për vendimet që mori), ne të burgosurit politikë ishim në Qaf-Bari për të përkujtuar 30 vjetorin që u bë atje kundër diktaturës, duke përkujtuar shokët tanë të pushkatuar nga dora e xhelatëve komunist. Zoti Meta nuk besoj se do jetë në pa vemendjen tuaj dhe jo rastësi vendosja e Ilir Mustafarait, ish-zevendës ministër të diktaturës që ishte pjesëmarrës dhe drejtues në shtypjen me gjak e me dhunë të asaj revolte sërish si zëvendës ministër i punëve të brëndshme dhe përfaqësuesi juaj në atë dikaster. Ata u pushkatuan më 24 Maj të 1984, më 24 Maj të 1973 u pushkatuan edhe martirët e tjerë të revoltës së Spaçit dhe për ne të burgosurit politik do të mbetet gjithmonë një ditë e zezë po aq edhe krenare. Sot mbas 20 vjetësh “demokraci” në vend që të çoni një tufë lule tek varri i martirëve, ju preferoni t’i çoni lule xhelatit. Turpi i politikës e i politikanëve shqiptarë, që në atë ditë aq kuptimplotë për gjithçka që ka ndodhur në Shqipëri gjatë diktaturës nuk erdhi kurrkush të vendoste një tufe lule në Qaf-Bari. Turp për zyrtarët e sotëm se në karriget ku janë ulur është edhe gjaku i atyre martirëve e dhimbjet e sakrificat e mijra e mijra të burgosurve politik. I vetmi zyrtar i lartë i këtij shteti që e nderoi atë përkujtimore me pjesëmarrjen e vet ishte vetëm zoti Bujar Leskaj, kryetar i kontrollit të lartë të shtetit, i cili në vazhdimësi ka reflektuar pa mëdyshje e gjithmonë vlerat e veta njerëzore e morale në mbështetje të kësaj shtrese. Një pjesë e madhe e juaja, me angazhim të inspiruar nga dëshira për ndryshim apo edhe për arsye të tjera që u futën në politikë nga dhjetori i ’90 e këtej akoma kini pretendimin absurd që ishit ju që na nxorrët nga burgu; Jo, zotërinj, ne ju nxorrëm nga burgu juve, ku ju kishte futur Enver Hoxha, juve dhe një popull të tërë që nga Berisha e deri tek më i fundit. Ishte dhe do të mbetet gjithmonë kauza jonë për liri e demokraci, dhimbjet e sakrificat, gjaku i derdhur dhe rinitë e humbura për këtë kauzë e për këtë ëndërr që kurrë nuk e lanë të humbiste e të vyshkej. Ndërsa ju, në kopshin e bukur të ëndrrave dhe idealeve tona, nën marshin Katovician të Ramiz Alisë u turrët të babëzitur duke e shkatërruar tërësisht atë, dikush me qëllim e dikush jo. Nga ai kopësht tani s’ka mbetur asgjë, se ju i shkulët ato lule të bukura për t’i mbjellë në tokat e egra të babëzisë tuaj për pushtet e pasuri dhe një pjesë i bëtë buqeta për t’ua çuar te varrezat etërve tuaj xhelat, e për t’u thënë se ne tani jemi bërë “demokratë”. Ato lule aq të bukura e me aromë u thanë shpejt se lulet nuk rriten në shkretëtirë. Sot ju zotërinj politikanë, të majmur padrejtësisht duke kullotur azat në livadhet e një shteti pa shtet keni krijuar oligarkinë e frikshme të një pushteti të keqpërdoruar dhe “trimërish”e tinëzisht kërkoni të rehabilitoni figurën e kryexhelatit Enver Hoxha dhe bandës së tij gjakatare në kuadrin e “rivlerësimit të drejtë” të Luftës Nacional Çlirimtare. Unë kam respekt për çdo pikë gjaku të kujtdo qoftë që është derdhur në luftë kundër okupatorit dhe deri në momentin që ajo luftë qe e tillë, unë dhe kushdo shqiptar tjetër do t’a nderojmë e do t’a respektojmë gjithmonë, por kur ajo luftë u kthye në një luftë barbarase dhe qëllim në vetvete nga krye krimineli Enver Hoxha dhe banda e tij gjakatare për të marrë pushtetin, pushtetin që lundronte si një varkë vdekje mbi lumin e gjakut të derdhur nga shqiptarët, dhe për kapidenë të saj kishte Tushan Mugoshën, i cili me dorën e vetë ka vrarë me dorën e vetë më shumë se 100 shqiptar patriot, duke i dhënë leksione kriminale Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, unë si dhe çdo shqiptar tjetër që e ndjejmë veten si të tillë, gjithmonë do ta dënojmë atë luftë me pasojat e veta shkatërruese si njollën më të errët në historinë e këtij vendi. Përpjekjet qesharake dhe rrehjet idioteske për të rretushuar të vërtetën duke i dhënë asaj lufte meritën e mospërbërjes e copëtimit të Shqipërisë janë sa qëllim keqe aq edhe me tendenca profaniste mbi historinë. Italia që pushtoi vende të tjera, mbas lufte mbeti po ajo, Austria që j’u bashkua Gjermanisë nuk j’u prekën kufinjtë, si dhe çdo vendi tjetër europian me përjashtim të atyre vendeve që Stalini i pushtoi dhe u detyroi me forcë ndryshimin e kufinjve. Historia tashmë e ka dhënë verdiktin e saj për atë luftë dhe figurën e nxirë të krye përbindëshit Enver Hoxha. Ajo e ka dhënë përfundimisht mendimin e saj të drejtë. Ju avokat të paguar me dashje dhe emocional apo të bërë palë me të keqen për shumë e shumë arsye, s’mund tu pranoj më asnjë lloj revokimi të paraqitur në gjykatën e saj supreme. Figura e kryexhelatit Enver Hoxha, që i bëri gjëmën një kombi të tërë do të mbetët përjetësisht figura më e zezë në historinë e këtij vendi. Ka ardhur koha dhe ndoshta është tejkaluar me kohë shkëputja njëherë e përgjithmonë nga tentakulat gjakthithëse dhe endrrat vrasëse të enverizmit. Zoti Rama, ata “kolopuçët enverist” që ke rreth vetes, të detyruar nga rrethanat për të qeverisur këtë vend, këshilloi të mos luajnë me zjarrin sepse nuk do të kenë asnjë mundësi për ta fikur dhe në flakët e atij zjarri do të digjet Shqipëria, e cila akoma po lëngon e drobitur deri në vdekje nga plagët e shkaktuara nga enverizmi dhe enveristët që e sundojnë këtë vend për 70 vjet.

alb365.com/Fatmir Lamaj

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Ekzekutim mafioz i të riut nga Fieri, shkak hakmarrja mes dy familjeve

Gjermani - Një 25 vjeçar shqiptar është vrarë dhe shoku i tij është plagosur. Tabloidi gjerman “Bild”, shkruan se motivi...

Close