|E premte, Shkurt 23, 2018

Ivan i “100 Vitrinat”: Tirana qytet fashist, femrat i ka shumë të bukura. 

Pietro GenuardiAktori i njohur italian Pietro Genuardi, i famshëm edhe në Shqipëri sidomos për rolin e Ivanit tek seriali “100 Vitrinat” ka vizituar këto ditë Tiranën, si i ftuar në premierën e filmit “Un’ insolita Vendemmia” kjo është hera e parë që aktori viziton vendin tonë, por me Shqipërinë e shqiptarët na tha se është njohur shumë më herët.

E takuam në Kinema Millenium, pak çaste para fillimit të filmit, ku Pietro luan rolin e protagonistit. Artisti u shpreh se shqiptarët e kanë surprizuar, dhe se paragjykimi që italianët kanë për vendin tonë është i gabuar…

z.Pietro, kjo është hera e parë që vizitoni Shqipërinë?
Po, është hera e parë që vij këtu. Mbërrita dy ditë më parë në vendin tuaj.
E si po ju duket? Çfarë ju bëri përshtypje më së shumti?
Njerëzit. Më pëlqejnë shumë. Kisha tjetër mendim, dhe në Itali është krijuar perceptim i gabuar për shqiptarët. Zbulimi më i madh e më i bukur që bën kur vjen në Shqipëri është pikërisht e kundërta e kësaj. Është një popull i gjallë, shumë bujar dhe me dëshirë të madhe për të ecur përpara.
Keni njohur shqiptarë në Itali?
Shqiptarët që kanë jetuar në Itali, fillimisht kanë menduar se do të gjejnë një shtet shumë të pasur, por në të vërtetë gjetën një shtet me vështirësi të mëdha. Po kam njohur shqiptarë në Itali, dhe mendoj se janë punëtorë të mëdhenj, por ka dhe shumë nga ata që nuk kanë pikën e dëshirës për punë. Ndaj për fat të keq edhe paragjykimi ndaj shqiptarëve në Itali është shumë i fortë. Mirëpo me ardhjen time këtu, u surprizova. Mënyra se si janë njerëzit, raporti që kanë ndërtuar me njëri-tjetrin dhe ajo çka i ofrojnë dikujt që e njohin për herë të parë është mbresëlënëse.
Femrat shqiptare si ju duken?
Oh, ju lutem, mos ma bëni këtë pyetje… Këto jo… (qesh) Femrat shqiptare janë vërtetë shumë të bukura!
Po Tirana ju pëlqen?
Tirana nuk është shumë e bukur, nuk më pëlqen. Është një qytet që në pjesën më të madhe nga ana e urbanistikës, është ndërtuar nga italianët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ka një pamje “fashiste”. Është një stil urbanistik që ne në Itali nuk e duam dhe aq, këto hapësirat gjigante, ndërtesat imponuese… Kam parë vetëm qendrën. Periferinë dhe zonat përreth nuk kam patur ende mundësi t’i vizitoj.
“100 Vitrinat” është një telenovelë që shfaqet prej vitesh në Shqipëri, a ju njohin shqiptarët, e ndjetë këtë në rrugë?
Po, shumë. Nuk e dija që isha kaq i njohur në Shqipëri. Është diçka fantastike!
Si u ndjetë nga ky fakt?
Më bëri të ndihem vërtetë shumë mirë pasi ishte diçka e papritur, që unë nuk e dija dhe s’e kisha menduar. Kur vura re që këtu jam një personazh popullor, dhe kjo përveçse më çuditi, edhe më gëzoi pa masë. Bëra shumë mirë që erdha, jam i lumtur që e pranova ftesën dhe sigurisht tani e tutje do të vij më shpesh.

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
4 në pranga për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugorë

Fier - Nga Specialistët e...

Close