|E hënë, Shkurt 19, 2018

Ja si grabiten 45 milionë dollarë nga rrogat e naftëtarëve! 

albpetrol1   Letër e hapur, drejtuar Kryeministrit dhe institucioneve ligjzbatuese

“Albpetrol”-in po e “mjelin” drejtuesit e rinj

– Për zhdukjen apo keqpërdorjen e mbi 45 milionë dollarëve duhet të binte “tërmet” 7-ballësh.

-Dhe pse janë pushuar 2834 naftëtarë, prapëseprapë fondi i pagave prej mbi 45 milionë USD që duhej të rezultonte i kursyer nga këto pushime, është harxhuar plotësisht dhe askush nuk përgjigjet.

– Në stafin e ri menaxhues të shoqërisë “Albpetrol”, përveç Administratorit, e disa kokrrave pa frymë, në pozicionet kyç mbetën po ata “ustallarë” që kishin qenë edhe para qershorit 2013.

-Nuk ka burrë që t’i luajë “ustallarët” prej andej, derisa edhe eprorët e tyre nuk kanë lëvizur prej vendit.

– “Ustallarët” që atëherë ishin të pozicionuar Djathtas dhe me arrogancën më të madhe, në vitin 2010 hodhën në rrugë arbitrarisht mbi 1200 naftëtarë, sot i sheh majtas.

– Ministri i dikurshëm i METE-s i quante ata punonjës të atij ministri (D. Prifti), që i ishte bashkuar opozitës së asaj kohe.

– Ish-ministri i Qeverisë që “ra nga kali”, sot është ministër i Drejtësisë i Qeverisë, që “hipi mbi kalë” dhe deri tani ka lejuar shkeljen e të drejtave edhe për ata punonjës që u zotua për t’i trajtuar me shpërblimin e vjetërsisë.

– Në “Albpetrol”sot, ashtu sikurse dje, nuk vepron ligji, por “Maliqi”.

-Shuma e vjedhur naftëtarëve nga këto pehlivanllëqe të Administratorit “Maliq” shkon mbi 3 milionë USD.

-“Albpetrol” 1999 e quan veten trashëgimtar të ligjshëm të pasurive nëntokësore të zbuluara që nga 1919 – dhe ligjërisht i tillë është, ndërsa refuzon të njohë e vlerësojë mundin dhe djersën e punëtorëve.

– Përse është mashtrim i paramenduar dhe me vetëdije të plotë deklarimi i Administratorit të “Albpetrol” sh.a. dhe i Këshillit Mbikëqyrës se shpërblimi i vjetërsisë së punonjësve fillon që nga data 06.04.1999?

Box

Ku janë ata që nxirrnin mbi 48 milionë tonë naftë

Në “krijimin”e “Albpetrol” sh.a. të “djemve” në vitin 1999 prej tyre ishin nxjerrë mbi 48 milionë tonë naftë ose 85 % e gjithë naftës së nxjerrë deri në fund të vitit 2013 (duke llogaritur dhe naftën e nxjerrë nga konçensionarët), pa përmendur miliarda Nm3 gaz. Këtë pasuri sot e gëzojnë pothuajse të gjithën kompanitë e huaja (97% e sasisë së përgjithshme të naftës për vitin 2013 është prodhuar nga koncensionarët), të cilët inkastrojnë fitime marramendëse, ndërkohë që frymëzuesit, arkitektët, heronjtë e vërtetë të asaj pasurie që nderon kombin dhe e bën atë më të plotë dhe të pasur nga shteti i tyre, dërgohen në shtëpi të fyer, të nëpërkëmbur

Vladimir Mici

(Pedagog UMSH)

Todi Goga ish- naftëtar

Nën titullin “Mafia e Naftës zhduk 45 milion dollarë”, botuar në gazetën “Telegraf” të datave 23-24 Korrik 2014, me fakte reale e dokumente të siguruara nga institucionet përkatëse në rrugë zyrtare, kemi trajtuar problemin e punësimeve abuzive të 1527 punonjësve nga jashtë “Albpetrol” sh.a. brenda periudhës Janar 2007- Gusht 2010, pa vendimmarrje të vlefshme, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe janë pushuar 1100 naftëtarë në zbatim të VKM Nr. 261, datë 27.02.2008 për shkak të mbylljes së vendeve të punës nga dorëzimi i objekteve tek koncensionarët. Për të kompensuar këtë punësim të paargumentuar, “Albpetrol” sh.a., përsëri pa vendime të vlefshme, nga gushti 2010 deri në Dhjetor 2011, ka pushuar nga naftëtarët ekzistues numrin ekuivalent të punonjësve të shtuar (1527 naftëtarë), për me keq, pa i trajtuar në përputhje me Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë. Megjithëse, në total, deri në maj 2013, janë pushuar 2834 naftëtarë, prapë se prapë fondi i pagave prej mbi 45 milionë USD që duhej të rezultonte i kursyer nga këto pushime, është harxhuar plotësisht dhe askush nuk përgjigjet, si dje ashtu edhe sot. Ky fakt flet për papërgjegjshmërinë e institucioneve përkatëse, sidomos për ato kontrolluese e ligjzbatuese, teksa krahasuar me reagimin e ligjshëm për vjedhjen e 7 milionë dollarëve në Bankën e Shtetit Shqiptar, për zhdukjen apo keqpërdorjen e mbi 45 milionë dollarëve duhet të binte “tërmet” 7-ballësh. Në mungesë të reagimit të pritur nga institucionet përkatëse dhe vazhdimit të shkeljeve edhe nga stafi i tanishëm i “Albpetrol” sh.a. pranë redaksisë suaj po dërgojmë Letrën e hapur drejtuar Kryeministrit dhe institucioneve ligjzbatuese “Vajmedet “Albpetrol” në dorë të kujt ke rënë”.

“Albpetrol” në dorë të kujt ke rënë?!

Partia Socialiste në vitin 2013, në aleancë edhe me aleatë të rinj nga maxhoranca e mëparshme, u bëri thirrje qytetarëve të mbështetnin fuqishëm platformën e saj elektorale, zbatimi i së cilës mbas fitores do të zhbënte çdo akt të padrejtë e antiligjor të kryer nga paraardhësit. Në këtë kuadër premtimesh përfshihej dhe rikthimi në punë i gjithë naftëtarëve të përndjekur në kohën e PD-LSI, përfitimi i shpërblimit për vjetërsi në punë dhe si gjithmonë dhe nga gjithkush i premtuari – miratimi i Statutit të Naftëtarit. Fitorja u arrit, madje e bujshme. Ish-naftëtarët prisnin me padurim kthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur. Më në fund, për ta do të merrte fund diskriminimi. Por nuk po ndodh ashtu. Fitimtarëve veprimet e ligjshme iu janë transformuar në të pamundshme, e, për pasojë, realizimet janë arratisur në drejtim të paditur. Në stafin e ri menaxhues të shoqërisë “Albpetrol”, përveç Administratorit, e disa kokrrave pa frymë, në pozicionet kyç mbetën po ata “ustallarë” që kishin qenë edhe para Qershorit 2013, jo sepse nuk ka kush t’i zëvendësojë, por nuk ka burrë që t’i luajë prej andej, derisa edhe eprorët e tyre nuk kanë lëvizur prej vendit; ata thjesht sa janë zhvendosur Majtas për të mbyllur “yçin” në një “kur me çelës” të radhës, sikundër kanë bërë para Prillit 2013. Po këta që atëherë ishin të pozicionuar Djathtas dhe me arrogancën më të madhe, në vitin 2010 hodhën në rrugë arbitrarisht mbi 1200 naftëtarë. Ministri i dikurshëm i METE-s, i quante ata punonjës të atij ministri (D. Prifti), që i ishte bashkuar opozitës së asaj kohe, ndaj nuk e meritonin trajtimin sipas Kodit të Punës (për faj të Dritan Priftit) dhe deklaronte në Tv se të tjerët do t’i trajtonte edhe me shpërblim vjetërsisë, për të cilët kishte dalë VKM NR.106, datë 1.2.2012, veprim që nuk u krye kurrë, deri në fund të qeverisjes së mëparshme, megjithëse, ai vendim kishte hyrë në fuqi që më 20 mars 2012. Për ironi të fatit, ai ish-ministri i qeverisë që ra nga kali, sot është Ministër i Drejtësisë i qeverisë, që hipi mbi kalë dhe deri tani ka lejuar shkeljen e të drejtave edhe për ata punonjës që u zotua për t’i trajtuar me shpërblimin e vjetërsisë. Sot nuk presin më drejtësi nga ai. Naftëtarët e përndjekur nga puna në vitin 2010 nuk janë kthyer në vendet e tyre të punës, ndërkohë që, në mënyra jo transparente ish-ushtarakë, agronomë e qytetarë të profesioneve jashtë sferës së Naftës janë punësuar në “Albpetrol”; nuk është bërë asgjë për përfitimin e shpërblimit të vjetërsisë të naftëtarëve të përndjekur, megjithëse atë e ka kërkuar dhe Avokati i Popullit si dhe është shprehur me vendim edhe Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë; deri tani asnjë sinjal pozitiv nuk ka për Statutin e Naftëtarit dhe asnjë institucion nuk angazhohet, të paktën për të sqaruar këto mosveprime, duke filluar që nga institucioni i Kryeministrit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë e deri tek “Albpetrol” sh.a.; asnjë deputet apo titullar i forcës qeverisëse nuk vihet në dispozicion të naftëtarëve të përndjekur nga puna, qoftë edhe sa për t’iu dëgjuar hallin. Me kërkesat e naftëtarëve luhet loja e kungulleshkave duke e zhvendosur përgjegjësinë nga njeri institucion në tjetrin nga lart-poshtë, por pa e mbyllur ciklin e për rrjedhim askush nuk e konsideron veten pikë fundore përgjegjëse për zgjidhjen e problemit. Zyrat dhe telefonat e tyre funksionojnë vetëm gjatë fushatave elektorale dhe mbyllen ose fiken sapo marrin mandatin apo postin e lakmuar. Një veprim i tillë mund të jetë i mirëkalkuluar për përfitime klienteliste, por kurrë për të përmbushur programin e hartuar e të shpalosur gjatë fushatës zgjedhore, duke dëmtuar e kompromentuar rëndë seriozitetin e zotimeve të forcës kryesore qeverisëse, me pasojë zemërimin dhe distancimin e mundshëm të mbështetësve të saj. Para Qershorit 2013, naftëtarët e përndjekur nga puna ndiheshin të nëpërkëmbur, të diskriminuar, por kryelartë, me shpresë e besim se kjo gjendje do të zhdukej njëherë e përgjithmonë nga “Rilindja” që po agonte. Sot janë dyfish kokulur, të fyer, të keqpërdorur e të mashtruar dhe me shpresë që venitet nga dita në ditë, teksa përballen me indiferencën e MEI dhe veprimet e papërgjegjshme të Administratorit të sotshëm të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., i cili me zbatimin skandaloz të VKM Nr. 106, datë 1.2.2012 “Për trajtimin e punonjësve që dalin të papunë nga ristrukturimi i shoqërisë “Albpetrol” sh.a.” në shkelje të Kodit të Punës, po rrit akoma më tej numrin e naftëtarëve të keqtrajtuar, ndërkohë që bën punësime të reja në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në njoftimet e shpallura në mediat e shkruara.

Në “Albpetrol” sot, ashtu sikurse dje, nuk vepron ligji por “Maliqi”.

Punonjësit naftëtarë të pushuar në zbatim të VKM Nr. 106, datë 1.2.2012, duhet të ishin vetëm ata që u mbyllej vendi i punës, të cilët do të trajtoheshin me përfitimet që detyron Kodi i Punës si dhe me pagesën një-vjeçare që ka shtuar akti nënligjor, VKM në fjalë. Përfitimet nga Kodi i Punës përbëhen nga pagesa për afatin e njoftimit, përcaktuar sipas nenit 143, pika 2 (në rastin konkret afati i njoftimit është një muaj) dhe shpërblimin për vjetërsinë e punës sipas nenit 145, të paktën sa paga e një 15- ditëshi, mbi çdo vit pune të plotë. Sipas përcaktimit të nenit 6 të Kodit të Punës, “Në të gjitha rastet, punëmarrësit i llogaritet vjetërsia në punë që nga fillimi i marrëdhënieve të punës”. Krejt të kundërtën bëri Administratori i “Albpetrol” sh.a. Fillimisht ai u kërkoi punonjësve, me dhe pa vend pune, që “dëshironin të trajtoheshin me VKM Nr. 106, datë 1.2.2012, të nënshkruanin formularin me përfitimin e shpërblimit të vjetërsisë që nga fillimi i punës tyre, por me kusht që të hiqnin dorë nga respektimi i nenit 143 të Kodit të Punës, çka do të thotë, të pranonin vullnetarisht t’u vidhej një rrogë bazë mujore. Ndërkaq, oreksi shtohet dhe vjedhja thellohet. Nëpërmjet Drejtorit të Burimeve Njerëzore dhe Administratës (për çudi kryetari i PS për Qytetin e Patosit), i detyron punonjësit të pranojnë edhe vjedhjen tjetër, duke mashtruar haptazi se shpërblimi për vjetërsi llogaritet nga data e krijimit si sh.a. e kompanisë “Albpetrol” që, sipas tij, përkon me datën 6.4.1999 me vendim nr. 21158 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke përdhosur përveç nenit 143 edhe nenin 6 të Kodit të Punës, i cili përcakton se “Në të gjitha rastet, punëmarrësit i llogaritet vjetërsia në punë që nga fillimi i marrëdhënieve të punës”.

Shuma e vjedhur naftëtarëve nga këto pehlivanllëqe të administratorit “Maliq” shkon mbi 3 milionë USD

Një veprim të tillë, kaq të trashë e cinik, duke shkelur me paramendim e vetëdije të plotë Kodin e Punës, nuk e bënë as nallbanët e maxhorancës që shkoi, kur pushuan 1100 punonjës ne zbatim të VKM Nr. 261, datë 27.2.2008, me trajtim në përputhje të plotë me Kodin e Punës. Guximi i Administratorit “Maliq” kapërcen çdo kufi dhe pandëshkueshmëria e shkeljeve të tij flet se ka mbështetjen e “Maliq”-ve të tjerë më me peshë në nivele të larta, teksa arrin të fyejë edhe punonjëset femra me fjalor që vetëm nga kategori të caktuara i dëgjon të përdoren.

Për të mbrojtur “Maliq”Drejtorin, “djemtë” u tregojnë “baballarëve” arat.

Për të justifikuar bëmat e “Maliqit” Drejtor, “ustallarët” e stafit të vjetër të mbetur dhe të riardhur në stafin e ri dhe ata të rinj puthadorë të Administratorit “Maliq”, me vetëdije të plotë e me paturpësinë më të madhe, u vunë në rresht për të mashtruar naftëtarët, se “Albpetrol” sh.a. na qenkërka krijuar në vitin 1999 (hajde baba të tregoj arat). “Djemtë” e paraqesin këtë datë si “ditëlindje” të shoqërisë dhe datë fillimi për njohjen e detyrimeve për punonjësit e saj, ndërkohë që vetë organizuan festimin e ditëlindjes së 95-të të “Albpetrol”-it (çfarë hipokrizie!), që përkon me zbulimin e vendburimit të parë të naftës në vendin tonë – v.b. Drashovicë, nëpërmjet rezultateve që dha shpimi i pusit D1. (Buletini informativ-shkencor dhe statistikor “Industria e Naftës dhe e Gazit në Shqipëri – viti 2002”, botuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Hidrokarbureve, Ministria e Industrisë dhe Energjetikës, me financim të “Albpetrol” sh.a. Patos). Ky festim jubilar jep dëshminë e pamohueshme të ngjizjes dhe më vonë lindjes e rritjes të “Albpetrol”-it, derisa në vitin 1999, në moshën 80-vjeçare, i lodhur, i dërmuar e i konsumuar nga vështirësitë e shumta, kompania shtetërore “Albpetrol” sh.a., ristrukturohet (Po aty – Bulentini informativ-shkencor…) duke shënuar në realitet përgatitjen e modaliteteve të nevojshme për të dalë në pension, për të mos thënë fillimin e lëngimit drejtë “vdekjes”. – Sa turp! Nuk mund të ketë staf serioz dhe të përgjegjshëm që për të njëjtin problem të përdorë dy kute vlerësimi të ndryshëm: një për të drejtat dhe një tjetër për detyrimet: “Albpetrol” 1999 e quan veten trashëgimtar të ligjshëm të pasurive nëntokësore të zbuluara që nga 1919 – dhe ligjërisht i tillë është, ndërsa refuzon të njohë e të vlerësojë mundin dhe djersën e punëtorëve dhe specialistëve të naftës që kanë krijuar atë pasuri që para vitit 1999, (mbas vitit 1999 nuk është zbuluar as edhe një vendburim i vetëm naftë-gazmbajtës), duke iu shmangur detyrimeve ligjore për punonjësit e saj para 1999 si djalli temjanit. Ky veprim fsheh shumë brenda vetes dhe u takon organeve kompetente të hedhin dritë mbi to. Vlera e “vjedhur” e shpërblimit të vjetërsisë për të gjithë naftëtarët e pushuar (2013- 2014) llogaritet mbi 3 milion USD, pa marrë në konsideratë shumën prej mbi 45 milion USD të keqpërdorur nga 2007 deri në Maj 2013.

Në dorë të kujt ka rënë “Albpetrol” sh.a. dhe punonjësit e saj?

Duke pasur në konsideratë se Drejtori i Burimeve Njerëzore dhe Administratës i shoqërisë “Albpetrol” sh.a. dhe një nga anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj, janë kryetar të Partisë Socialiste, përkatësisht në qytetin naftëtar të Patosit dhe atij të Fierit, si dhe të tjerë drejtues të drejtorive në “Albpetrol” e në filialet e tij, janë eksponentë në strukturat e Partisë Socialiste, akti i mësipërm konsiderohet si thikë mbas shpine për naftëtarët që iu ishte premtuar vendosja e drejtësisë sipas programit të Partisë së tyre. Një veprim i tillë, edhe nga stafi drejtues aktual i shoqërisë “Albpetrol” sh.a. as më shumë dhe as më pak, është futje e duarve në xhepat e punonjësve në mënyrën më të pistë të mundshme. Mbi të gjitha, është diskriminim dhe fyerje me dashje i mijëra punëtorëve naftëtarë e specialistëve të naftës të cilët në kushte të vështira deri në vetëmohim, kanë zbuluar e vënë në shfrytëzim njëri pas tjetrit vendburimet e naftës, ndër më kryesorët Marinëza, Visoka, Gorisht-Koculi, Ballsh-Hekali, Cakran-Mollaj, Amonicë, etj. dhe të gazit si vendburimi Divjakë, Frakullë, Ballaj, Povelçë, Delvinë (gazo-kondensat) etj.. Për zbulimin, konturimin e shfrytëzimin e tyre janë dashur të shpohen mbi 4900 puse dhe deri në “krijimin” e “Albpetrol” sh.a. të “djemve” në vitin 1999 pej tyre ishin nxjerrë mbi 48 milion ton naftë ose 85 % e gjithë naftës së nxjerrë deri në fund të vitit 2013 (duke llogaritur dhe naftën e nxjerrë nga konçensionarët), pa përmendur miliarda Nm3 gaz. Këtë pasuri sot e gëzojnë pothuajse të gjithën kompanitë e huaja (97% e sasisë përgjithshme të naftës për vitin 2013 është prodhuar nga koncensionarët), të cilët inkastrojnë fitime marramendëse, ndërkohë që, frymëzuesit, arkitektët, heronjtë e vërtetë të asaj pasurie që nderon kombin dhe e bën atë më të plotë dhe të pasur nga shteti i tyre, dërgohen në shtëpi të fyer, të nëpërkëmbur, të pambrojtur nga askush, të vjedhur në xhepat e tyre nga ata që duhet t’i mbrojnë, të diskriminuar dhe, mbi të gjitha, me shijen e të mashtruarit nga ata tek të cilët besuan për rimëkëmbje. Mungesa e reagimit nga të dy krahët e politikës, si nga e Djathta ashtu edhe nga e Majta, sidomos nga e Djathta pas daljes në opozitë, e cila nuk lë rast pa dalë në foltore edhe për pushimin e një punonjësi të vetëm, kur vjen puna në këtë sektor, hesht. Shkeljet janë të shumta e shumë herë të bëra publike nëpërmjet mediave të shkruara, pa përmendur këtu vënien në dijeni dhe kërkesat e përsëritura për të mbajtur qëndrim, që nga Presidenti i vendit, ish-Kryeministri, ish-METE, ish-MPÇSSHB, ish-MF, Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, “Albpetrol” sh.a. dhe Këshilli Mbikqyrës i saj e deri emisionin investigativ “Fiks Fare”. Kjo tregon se të gjithë dhe gjithmonë e kanë trajtuar “Albpetrol” sh.a. si “lopë” për ta mjelë dhe qumështin e kësaj lope ua ka lënë të huajve ta mjelin e ta pinë, sepse shqiptarët duhet të pinë qumësht made in Europa dhe made in China, duke e blerë sa frëngu pulën, përçmojnë punën e naftëtarëve shqiptarë që i kanë shërbyer ndër vite duke i reduktuar shpërblimin e merituar. Në shoqërinë tonë të gjithë luajnë të paditurin dhe shurdh-memecin. Një gjë të tillë e meriton edhe kryeministri i vendit, i cili shkruan në Facebook-un e vet, se “Albpetrol”-in e kemi kthyer në një shoqëri që kontribuon në buxhetin e shtetit. “Albpetrol”-i i tillë ka qenë, është e do të jetë, në qoftë se ai do të menaxhohet si pasuri kombëtare dhe jo e një grupi mafioz. Në një artikull tjetër do t’ju bëjmë me dije, z Kryeministër, për shkeljet e bëra me qëllim, nga ana e stafit tuaj të drejtimit në Albetrol, në lidhje me marrëveshjen e shkurtit 2014 (sekret sipas “Albpetrol”-it, me kompaninë Stream Oil, atë me Bankers të vitit 2010) në lidhje me shtyrjen e pagimit të tatim fitimit të kompanisë tej vitit 2015, të cilat kanë përgjegjës konkret dhe ju keni dijeni absolute. S’kemi parë asnjë reagim tuajin, por vetëm përgëzime, gjë që s’ju nderon, z Kryeministër.

Përse është mashtrim i paramenduar dhe me vetëdije te plotë deklarimi i Administratorit të “Albpetrol” sh.a. dhe i Këshillit Mbikqyrës se shpërblimi i vjetërsisë punonjësve fillon që nga data 06.04.1999?

Të gjithë naftëtarët e dinë fare mirë se shoqëria “Albpetrol” e ka zanafillën e krijimit të saj që nga shtetëzimi i pasurisë të shoqërisë A.G.I.P. në vitin 1945. Në vazhdim ndërmarrje shtetërore të shumta u krijuan për kërkimin, zbulimin, shfrytëzimin, përpunimin e tregtimin e nënprodukteve të naftës e gazit. Në vitin 1948 krijohet Drejtoria e Përgjithshme e Kombinatit të Naftës me qendër në Kuçovë; më pas transformohet në “Drejtoria e Përgjithshme e Naftës” (D.P.N.) me qendër ne Fier, dhe së fundmi në “Drejtoria e Përgjithshme e Naftës dhe Gazit” (D.P.N.G.) me qendër në Patos. Deri në vitin 1992 numëroheshin 43 ndërmarrje e institucione që zhvillonin veprimtarinë e tyre në Industrinë e Naftës. Me VKM Nr. 92, datë 12.03.1992, me këto ndërmarrje e institucione u Krijua Bashkësia Ekonomike e Naftës “Albpetrol” duke vepruar si ndërmarrje shtetërore. Marrëdhëniet e filialeve me “Albpetrol” fillimisht ndërtoheshin në përputhje me statutin e “Albpetrolit” të miratuar në VKM te krijimit tij dhe më pas me Statutin e miratuar nga VKM Nr. 159, datë 26.03.1993. Sipas neni 7 të këtij statuti objekti i veprimtarisë tij ishte “kërkimi, shfrytëzimi, përpunimi dhe shitja e naftës, gazit, rërave bituminoze dhe nënprodukteve të tyre si dhe kryerja e studimeve shkencore për këtë veprimtari

”. Sipas nenit 19 “Albpetroli” garantonte dhe përgjigjej me pasurinë e tij për të gjitha detyrimet ndaj të tretëve, çka do të thotë se edhe në gjendjen e re pas transformimit ai garantonte dhe detyrimin e shpërblimit për vjetërsinë e punës për kohën para krijimit tij si “Albpetrol”.

Në vitin 1995, me ligjin Nr. 7926, datë 20.04.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, “Albpetrol” transformohet në shoqëri tregtare anonime me emërtesën “Albpetrol” sh.a. dhe në bazë të nenit 9 të ketij ligji “merr përsipër të gjitha detyrimet që ndërmarrja ka pasur para transformimit dhe përgjigjet ndaj të tretëve me pasurinë e saj”.

Më vonë akoma, në mbështetje te ligjit nr. 8306, datë 14.03.1998 “Për privatizimin e sektorëve me rëndësi të veçantë të ekonomisë” dhe të ligjit nr. 7638, datë 19.1.1992 “Për shoqëritë tregtare” me VKM Nr. 756, datë 26.11.1998 “Për ristrukturimin e “Albpetrol” sh.a.”, ristrukturohet, duke u reduktuar në 12 filiale dhe në objektin e veprimtarisë me vetëm “kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve”. Shoqëria e ristrukturuar trashëgoi dhe mori mbi vete të gjitha të drejtat dhe detyrimet që shoqëria e mëparshme “Albpetrol” sh.a. kishte nga marrëveshja hidrokarbure që lidhen me kërkimin, zhvillimin e prodhimin e hidrokarbureve si dhe detyrimet ndaj të tretëve.

Mbas këtij ristrukturimi , Gjykata e Rrethit Tiranë, me kërkesë të Drejtorit të Përgjithshëm të “Albpetrol” sh.a., “Në bazë të ligjit nr. 7638 datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare” si dhe nenit 33 të ligjit nr. 7667 datë 28.01.1993 “Për regjistrin tregtar dhe formalitetet që duhen plotësuar nga shoqëritë tregtare” me Vendimin nr. 21158, datë 08.04.1999 V E N D O S I “Regjistrimin si person juridik të shoqërisë anonime “Albpetrol” sh.a. Patos, Fier me kohëzgjatje pa afat të caktuar , … me objekt veprimtarie kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve” dhe jo krijimin e shoqërisë anonime të “Albpetrol”, e cila e tillë figuronte që nga viti 1995. Gjithashtu pas kësaj date shoqëria “Albpetrol” sh.a. i është nënshtruar edhe dy herë të tjera ristrukturimit të saj: në vitin 2007 – në zbatim të VKM Nr. 784, datë 15.09.2006 dhe në vitin 2010 – në zbatim të VKM Nr. 275, datë 26.04.2010, të cilët kanë “zhbërë” “Albpetrol” sh.a. të “krijuar” sipas trillimeve të “djemëve” duke u rikthyer brënda saj një pjesë e filialeve të “Servcom” sh.a. e shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara “Transnafta” Patos, “Uzina Mekanike e Naftës Kuçove” dhe “Uzina Mekanike Patos”. Ristrukturimet e fundit nuk ishin pasojë e Marrëveshjeve Hidrokarbure me koncensionarët, por e dështimit të politikave privatizuese të Qeverive të kaluara që çuan pa të drejtë në rëndim e pozitave të punonjësve të shoqërisë “Albpetrol”, të cilët as Dje edhe as Sot nuk trajtohen të barabartë me gjithë pjesën tjetër të mbarë shoqërisë shqiptare, madje as brenda shoqërisë “Albpetrol”.

Në të gjithë zinxhirin e transformimit nga ndërmarrje shtetërore deri në shoqëri anonime, ristrukturimit me ndarje në shoqëri të tjera e me vonë ribashkimi me përthithjen e shoqërive të ndara ne vitin 1999, të drejtat dhe detyrimet e çdo hallke të mëparshme, janë mbartur e transmetuar deri tek hallka më e fundit. Për këtë arsye punonjësit e “Albpetrol” sh.a. të pushuar në vitet 2010, 2013, 2014 dhe ata që do të pushohen deri në fund të privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., duhet domosdoshmërisht të trajtohen me shpërblimin e vjetërsisë që nga data e fillimit të punës në filialet përbërës të kësaj shoqërie, në përputhje me nenin 6 të Kodit të Punës, do apo nuk do “Administratori” i “Albpetrol” dhe puthadortët e tij. Urdheri i “Maliqit” është tepër i pafuqishëm për të përdhosur Kodin e Punës të miratuar nga Parlamenti.

Është detyrë e MEI të garantojë zbatimin korrekt të VKM Nr. 106, datë 01.02.2012, si institucioni përgjegjës për zbatimin e tij (pika 8 e VKM), pa shmangur Kodin e Punës. Është e pafalshme që deri më tani ajo ministri nuk ka bërë detyrën dhe nuk ka vënë para pergjegjesisë Administratorin “Maliq” të shoqërisë “Albpetrol” sh.a., për shkelje të VKM në fjalë dhe Udhëzimit të Ministrit Nr. 14, datë 03.09.2013. Është e pafalshme gjithashtu që një Admninistrator i papërgjegjshëm të diskriminojë naftëtarët në të gjitha mënyrat, dhe të qëndroj akoma pa marrë atë që meriton.

Gjithshtu nuk është aspak serioze, madje shpërfillëse e tepër fyese, që ajo Ministri nuk i është përgjigjur shqetësimit të naftëtarëve të “shpronësuar” padrejtësisht nga administratori i mëparshëm (2010) dhe atyre të “vjedhur” në djersën e ballit nga administratori i tanishëm (2013-2014), megjithëse materialet përkatës argumentues dhe kërkesat e tyre për takim me Ministrin ndodhen në tavolinën e tij që nga data 4 Tetor 2013, të pasuara edhe nga të tjera në vazhdim. Naftëtarët nuk e trashëgojnë dot brez pas brezi pronën (vendin e punës), sikundër trashëgohet toka që i u shpërnda punonjësve të bujqësisë, ndaj shteti duhet të siguroje paprekshmërine e saj për aq kohë sa ajo ekziston dhe të kompesojë naftëtarët në se ajo “humbet” jo për fajin e tyre, si në rastin konkret kur ajo u kalohet konçensionarëve apo u dhurohet “elektoralëve”. Është krim t’i marresh dikujt gjithçka për të pasuruar një tjetër, duke e detyruar të parin që “vullnetarisht” të “falë” edhe deri 21% e masës së pensionit të pleqërisë për shkak të aplikimit të parakohshëm për mbijetesë. Miratimi i Statusi i Naftëtarit, sikundër është vepruar me Statutin e Ushtarakut apo Minatorit, është premtuar nëpër fushata nga çdo krah i politikës sa herë që ka patur zgjedhje të radhës, por harrohet me përfundimin e tyre.

Si përfundim Konkludojmë se është e pafalshme:

Që asnje strukturë drejtuese dhe përgjëse që kanë shkuar pa ndërmarrë një veprim të tillë, që të verë në vënd ligjin dhe vetëm ligjin.!

Përr institucionet e tanishme që nuk po japin as shënjën më të vogël të veprimit për trajtimin që u takon naftatarëve!

Shumë më tepër për “djemtë”, që u futin duart në xhepa “baballarëve” në vend që të kontribuojnë për mirëqënien e tyre!

Siç e kanë zënë ruajna zot e u mbaj mendtë këtyre “djemëve”, te mos marrin hapin ekstrem e t’ju kërkojnë naftëtarëve të pushuar në vitin 2008 të kthejnë shpërblimin e vjetërsisë që kanë përfituar për periudhën para vitit 1999!

Të gjitha makinacionet e thirrura në ndihmë nga “djemtë” për të përmbushur detyrimet, që veçse nga ligji nuk burojnë, janë të dështuara, të ndyra dhe që proceset gjyqësore të zhvilluara deri tani midis punonjësve dhe “Albpetrol” e kanë dëshmuar këtë fakt duke i u njohur naftëtarëve të pushuar të drejtën e shpërblimit të vjetërsisë në punë që nga data e fillimit të saj.

Kjo është e dyta goditje që marrin drejtuesit e shoqërisë “Albpetrol”, MEI dhe gjithë strukturat vartëse e përgjgjëse, në pritje çfarë do të thotë kryeministri, që të veprojnë.Pas asaj të dhënë nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë në muajin Prill të këtij viti për shpërblimin e vjetërsisë të punonjësve të pushuar në vitin 2010, ndaj duhet të kthjellohen dhe të kuptojnë se Sot është koha e ligjit, e jo e “Maliqit”.

Turp përsëdyti herë për këta “djemë” që detyrojnë “baballarët” të bredhin dyerëve të gjykatave për probleme të stisura për qëllimet e tyre të ndyra.

Ju kujtojmë naftëtarëve të padisin punëdhënësin “Albpetrol” për të bërë të mundur marrjen e plotë të shpërblimit të vjetërsisë – djersës tyre, ashtu sikurse Gjykata ua ka akorduar atë naftëtarëve që tashmë e kanë bërë një veprim të tillë.

E gjithë strategjia e “djemëve”, për ta paraqitur “Albpetrol”-in të krijuar në vitin 1999, duket se është hartuar për arritjen e qëllimeve të mëposhtme:

1. Te vulosnin njëherë e përgjithmonë padrejtësitë e kryera ndaj naftëtarëve para Qershorit 2013 me synimin final mosprekjen e interesave të punonjësve nga jashtë Albpetrolit që ishin punësuar padrejtësisht në dëm të naftëtarëve të dëbuar në Korrik 2010, duke siguruar njëkohësisht dhe mosprekjen e paraardhësve.

2. Te pajisnin me “tapi” të punësuarit elektroral.

3. Të largonin nga “Albpetrol” puntortët naftëtarë me vjetërsi pune të madhe dhe specialistë me paga bazë mesatare sa dyfishi i atyre që duhej faktikisht të largoheshin (punonjësve elektorale), masa e munguar e shpërblimit të vjetërsisë të cilëve do të mundësonte pagesën paralele të punonjësve të rinjë që do të zëvendësonin naftëtarët e larguar “vullnetarisht”.

4. Të zvogëlonin sa më shumë që të ishte e mundur fondin e pagave për punonjësit e mbetur me qëllim që të ulej fatura financiare që do të duhej të përballonte në vitin 2015 blerësi fatlum i shoqërisë “Albpetrol” sh.a.

I bëjmë thirrje Kryeministrit të vendit, t’i kërkojë vartësve të tij dhe konkretisht Ministrit të Energjisë dhe Industrisë:

a. Të kthejnë menjëherë në punë të gjithë ata naftëtarë të përzënë në vitin 2010, vendet e të cilëve janë akoma të pambyllur dhe mbahen të uzurpuar nga “elektoralët”.

b. Të hartojnë sa më shpejtë që të jetë e mundur draftin e Statusit të Naftëtarit dhe ta paraqesin atë për miratim para privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a.

c. Të gjenden modalitetet apo të miratohet ndonjë status për ndihmë ekonomike të përkohshme me afat veprimi deri në moshën e kapjes së pensionit për të gjithë ata punonjës të ndjekur padrejtësisht në vitin 2010, vendet e punës të të cilëve janë mbyllur më vonë dhe që nuk kanë përfituar me ligj pronë të çfardolloji.

d. Të zbatojnë me korrektesë të gjitha aktet ligjore e nënligjore të nxjerra për trajtimin e punonjësve të shoqërisë “Albpetrol”, si për të shpërndarë të gjithë fondin e miratuar për punonjësit e pushuar në vitin 2010 (nga 600,500,000 lekë të miratuara, punonjësit kanë përfituar vetëm 428,000,000 lekë), ashtu edhe për të dhënë shpërblimin e vjetërsisë për gjithë kohën e punës punonjësve të pushuar në vitin 2010, 2013 e 2014.

Në mbështetje të kësaj kërkese ligjore qëndrojnë dhe propozimet e Avokatit të Popullit, vendimet e Gjykatës së Apelit Vlorë, Vendimi Nr. 130, datë 10.04.2014 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë për shpërblimin e vjetërsisë në pushimet kolektive, si dhe vendimet e Gjykatës të Shkallës Parë Fier për përfitimin e plotë të shpërblimit të vjetërsisë për punonjësit e pushuar në vitin 2013 dhe 2014.

Do të jetë zhgënjyes fakti në se edhe institucioni Juaj do të vazhdojë të mbajë të njëjtin qëndrim që ka mbajtur deri tani MEI, Administratori i “Albpetrol” sh.a. dhe Këshilli Mbikqyrës i shoqërisë.

Marrja e përgjegjësive nga ana e Qeverisë Tuaj për likuidimin e faturave fianaciare për punimet e kryera para Qershorit 2013, pa marre të njëjtën përgjegjësi edhe për shpërblimin e vjetërsisë së munguar të punonjësve të pushuar në vitin 2010, thellon më tej diskriminimin ndaj naftëtarëve edhe nga Qeveria Juaj.

alb365.com

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Meshkuj, mos i provoni këto pozicione sexuale

Jo të gjitha pozicionet gjatë...

Close