|Saturday, December 10, 2016
  • NA NDIQ NË

Ja si të zgjoheni herët çdo ditë 

A jeni lodhur nga të zgjuarit vonë?

A jeni lodhur me fajin që ndjeni sa herë që zgjoheni vonë?

A keni provuar çdo mënyrë të mundshme për t’u zgjuar herët dhe sërish keni dështuar?

A dëshironi të bëheni një person që zgjohet herët?

Le të supozojmë që ju doni të shkarkoni një film përmes lidhjes suaj të internetit me shpejtësi 512 kbps (kilobit për sekond) por ka një problem të madh me rrjetin e internetit që rezulton në përgjysmimin e shpejtësisë.

Në këtë situatë, shkarkimi do të merrte shumë kohë për t’u kryer. Problemi nuk është me numrin e orëve që ju i keni kaluar duke shkarkuar por me shpejtësinë e vogël të lidhjes që është përdorur gjatë këtyre orëve.

Por, çfarë ka lidhje e gjithë kjo me të zgjuarit herët? Është pothuajse e njëjta gjë. Problemi nuk është me numrin e orëve gjatë të cilave fleni por me kualitetin e gjumit që bëni gjatë këtyre orëve.

Të zgjoheni herët dhe të fleni mirë

A nuk e keni vërejtur se në disa ditë ju flini për 6 apo 7 orë dhe zgjoheni duke u ndjerë energjetik mirëpo në ditë të tjera ju flini më shumë se 8 orë por zgjoheni të lodhur?

Ju mund të flini 10 orë por nëse nuk dini se si të flini mirë, ato 10 orë mund të jenë të barabarta me vetëm 4 orë gjumë kualitativ. Në anën tjetër, ju mund të flini vetëm 6 orë dhe të zgjoheni duke u ndjerë që keni bërë gjumë të mjaftueshëm sepse ato 6 orë janë të barabarta me vlerën e tyre të vërtetë.

Si të flej mirë?

A mund të flini mirë duke kalëruar një kalë? Patjetër që jo. Por nuk është fjala për kalërim fizik. Fjala është për kalërim mendor.

Sa herë keni ëndërruar për punën tuaj deri sa jeni duke fjetur? Sa ditë keni vazhduar së menduari për probleme që kanë të bëjnë me punën tuaj dhe për probleme tjera personale para se të flini?

Disa njerëz flenë me trupat e tyre por asnjëherë nuk ia jepin shansën mendjes së tyre të flejë thellësisht. Këta njerëz shkojnë në shtrat dhe marrin me vete të gjitha problemet e tyre, brengat dhe frikat dhe pastaj habiten se pse nuk mund të zgjohen pa u ndjerë të trullosur dhe të lodhur.

Nëse vërtetë dëshironi të flini më pak atëherë ju duhet të mësoni se si t’i lini të gjitha brengat, frikat dhe problemet jashtë shtratit tuaj. Ja si mund ta bëni këtë gjë:

Mos mendoni për asnjë problem personal apo rreth punës tuaj kur jeni në shtrat

Bëni diçka relaksuese para se të shtriheni në shtrat si p.sh. të lexoni një libër të lehtë

Mendoni diçka të këndshme para se të flini

Nuk janë të rëndësishme numri i orëve që bëni gjumë por se si e bëni këtë gjumë gjatë kësaj kohe.

Si të zgjohem herët?

Tashmë ju keni mësuar se si të flini mirë por ende nuk dini se si të zgjoheni herët. Për t’u zgjuar herët ju duhet ta ushtroni reagimin tuaj ndaj alarmit të orës.

Merreni orën me alarm dhe caktojeni që të bjerë pas disa minutash dhe shtrihuni në shtrat. Kur të bjerë alarmi, ngrihuni nga shtrati sikur me të vërtetë po zgjoheni nga gjumi. Përsëriteni këtë ushtrim disa herë dhe mendja juaj e ndërdijshme do ta ruajë këtë sjellje.

Herën tjetër kur ta dëgjoni alarmin tuaj ju do të ngriteni nga shtrati menjëherë sepse ju tashmë e keni ushtruar reagimin tuaj ndaj sinjalit.

Flini vetëm atëherë kur ju vjen gjumi, sepse trupi juaj i di nevojat e veta më së miri. Sidoqoftë, mos u zgjoni vetëm atëherë kur doni të zgjoheni, përndryshe s’do të zgjoheni fare.

Mos provoni ta forconi veten të fleni më herët sepse rezultati do të jetë se ju do të qëndroni zgjuar në shtrat deri sa të ju marrë gjumi. Do të ishte më mirë sikur këtë kohë ta përdornit duke punuar, lexuar apo duke bërë diçka tjetër të dobishme për ju.

Kontrollojeni tërë sistemin

Një veturë mund të mos punojë mirë sepse mund të ketë problem me një nga gomat. Ju nuk mund gjithmonë ta fajësoni mungesën e karburantit apo motorin sapo të gjeni një problem me makinën tuaj por ju duhet ta kontrolloni tërë sistemin dhe e njëjta vlen për veten tuaj.

Ndoshta ju nuk po zgjoheni herët sepse jeni në depresion! Dhe mund të jeni në depresion sepse keni një synim të parealizuar apo një problem personal. Në këtë rast, përpjekja për të bërë më shumë gjumë do të ishte humbje kohë. Është një pjesë tjeter e sistemit me të cilin duhet të merreni në mënyrë që të fleni mirë. Nëse vërtetë dëshironi të zgjoheni herët atëherë gjejeni se kush është armiku i vërtetë që po ju pengon të fleni.

A është frika juaj nga errësira? A është një problem që ka të bëjë me punën dhe që s’mund ta hiqni dot nga mendja?

Gjejeni shkaktarin rrënjë dhe pastaj trajtojeni atë në vend se të humbisni kohë duke ndrequr probleme të pafajshme dhe të parëndësishme që nuk janë përgjegjëse për problemet tuaja

Add a Comment

%d bloggers like this: