|E martë, Qershor 27, 2017

Jeff Sessions – Nuk kemi bashkëpunuar me Rusinë 

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Jeff Sessions, mohoi me forcë se kishte patur ndonjë bashkëpunim me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar. Duke folur të martën para një komisioni të Senatit, zoti Sessions mbrojti vendimin e Presidentit Donald Trump për të shkarkuar ish-drejtorin e FBI-së James Comey dhe në mënyrë të përsëritur refuzoi të komentojë rreth ndonjë bisede që ai vetë mund të kishte pasur me presidentin.

Zyrtari më i lartë amerikan i zbatimit të ligjit u përpoq të hiqte vellon e misterit rreth takimeve që kishte pasur me ambasadorin e Rusisë, në kohën kur shërbente si njëri ndër mbështetësit kryesorë të fushatës së Trump, takime të cilat ai nuk i përmendi gjatë konfirmimit në Senat disa muaj më parë.

“Kurrë nuk jam takuar apo kam biseduar me ndonjë zyrtar rus apo zyrtar të huaj lidhur me ndonjë lloj ndërhyrjeje në një fushatë apo zgjedhje në Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, nuk kam dijeni për ndonjë bisedë të këtij lloji nga ndonjë person i lidhur me fushatën e Trump.”

Ish senatori hodhi poshtë me forcë çdo aludim se ai mund të kishte bashkëpunuar me Rusinë.

“… kjo është një gënjeshtër e tmerrshme dhe e neveritshme”, tha ai.

Prokurori i Përgjithshëm tha se e kishte tërhequr veten nga hetimet rreth Rusisë thjesht për t’iu përmbajtur rregulloreve, e jo se kishte bërë ndonjë gabim.

Sessions dëshmoi para komisionit të Senatit vetëm pak ditë pas ish-drejtorit të FBI, James Comey, i cili në dëshminë e tij përmendi tërthorazi faktorë të tjerë që do ta kishin bërë pjesëmarrjen e zotit Sessions në hetimet mbi Rusinë “problematike”, siç u shpreh ai.

Senatori Ron Ëyden pyeti se cilët ishin këta faktorë.

“Nuk ka asnjë tillë. Këtë mund t’jua them me siguri absolute,” u përgjigj Prokurori i Përgjithshëm.

Sessions tha se kishte qenë dakord me vendimin e presidentit për të shkarkuar kreun e FBI-së Comey me arsyen se Byroja Federale e Hetimeve kishte nevojë për “një fillim të ri.” I pyetur nëse shkarkimi kishte ardhur për shkak të hetimeve mbi Rusinë që kryesonte zoti Comey, Prokurori i Përgjithshëm tha se kjo pyetje le t’i bëhej vetë presidentit.

“Pra, nuk keni pasur biseda verbale me të për shkarkimin e zotit Comey?” – pyeti senatorja Dianne Feinstein.

“Nuk mund të flas me ju, të konfirmoj ose mohoj natyrën e bisedave private që mund të kem patur me presidentin”, u përgjigj Sessions.

Kjo përgjigje i zemëroi demokratët.

“Ju po e pengoni hetimin,” tha senatori Martin Heinrich.

Sessions tha se Presidenti ka të drejtë t’i mbajë konfidenciale bisedat që bën, megjithëse Presidenti nuk i është referuar shprehimisht kësaj të drejte.

Disa republikanë i erdhën në mbrojtje zotit Sessions. Senatori Tom Cotton tha se aludimet për bashkëpunim me Rusinë u ngjajnë novelave të spiunazhit.

“A keni dëgjuar ndonjëherë një fabul kaq qesharake, pra që një senator i Shteteve të Bashkuara dhe një ambasador i një qeverie të huaj të kenë bashkëpunuar në një mjedis të hapur, në praninë e qindra njerëzve të tjerë për të shënuar sensacionin më të madh në historinë e spiunazhit?”

Demokratët nuk panë asgjë për të qeshur në komentet e tij.

“Nuk jam i sigurt se nëse do të kishte bashkëpunim midis fushatës së zotit Trump dhe qeverisë ruse, kryesorët aty do të ishin Senatori i Alabamës Jeff Sessions dhe ambasadori rus. Por seanca e sotme po ngre më shumë pyetje sesa po merr përgjigje,” tha senatori Chris Murphy.

Sipas njoftimeve të medias, Presidentin Trump e zemëroi fakti që Prokurori i Përgjithshëm u tërhoq nga hetimi mbi Rusinë, gjë që zoti Sessions as e konfirmoi dhe as e mohoi.

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: Zgjedhje 2017/ Ja deputetët e Qarkut Fier (lista) https://t.co/XiiMbGc9nc https://t.co/lkj13QHCd2
11,390 people follow ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Ja si u shëronë disa sëmundje supa e të ‘varfërit’

Thuajse të gjithë e kanë provuar të paktën një herë në fëmijërinë e tyre supën nga kockat e këmbëve të...

Close