|E shtunë, Tetor 21, 2017

Koha për t’i dhënë fund turpit të skllavërisë moderne në Shqipëri 

10462982_10152259412970838_7965760098758091060_n    Tiranë – Sot, Shqipëria mori lajme të mira për përpjekjet e saj drejt sundimit të ligjit dhe për integrim të mëtejshëm në komunitetin euroatlantik.
Në Raportin e Departamentit të SHBA për Trafikimin e Personave, të nxjerrë sot, Shqipëria përmirësoi performancën e saj, duke u ngjitur në renditjen e ‘Grupit 2’ dhe duke dalë nga “Lista e Vëzhgimit e Grupit.” Qeveria duhet përgëzuar për këtë arritje. Megjithatë, tani është thelbësore edhe që qeveria dhe institucionet të ruajnë ritmin pozitiv dhe të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të luftuar problemet serioze të trafikimit të njeriut që vazhdojnë të këmbëngulin në vend.
Renditja në Grupin 2 nënkupton që qeveria po bën përpjekje domethënëse, por prapëseprapë nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, të parashtruara në ligjet e SHBA dhe ato ndërkombëtare.
Pikërisht në këtë çast, miliona njerëz anembanë botës, si dhe qindra, në mos më shumë, pikërisht këtu në Shqipëri, trajtohen si skllevër të kohës moderne. Nga një e re e detyruar të prostituojë pas një martese me ujdi, tek një fëmijë rom shfrytëzuar nga një i rritur që të lypë në rrugë, këto viktima janë njerëz të vërtetë, jo thjesht shifra në një raport.
Trafikimi njerëzor shpërbën familje, ushqen krimin e organizuar, krijon destabilitet dhe kërcënon sundimin e ligjit. Në fjalët e Sekretarit të Shtetit të SHBA John Kerry, ai është “një çështje e sigurisë kombëtare si dhe një domosdoshmëri morale.”
Kryeministri Rama ka deklaruar publikisht përkushtimin e tij për ta shndërruar në prioritet luftën kundër trafikimit njerëzor. Ne e mirëpresim këtë. Qeveria emëroi një koordinatore të re dhe shumë të efektshme kombëtare për anti-trafikimin; rigjeneroi mekanizmin kombëtar të referimit për raportim; përmirësoi bashkëpunimin me shoqërinë civile; dyfishoi numrin e oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorëve të posaçëm caktuar për trafikimin; si dhe përmirësoi legjislacionin e brendshëm kundër trafikimit.
Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur Shqipërinë në këto përpjekje, duke ofruar afro 2 milionë dollarë në tre vitet e fundit për trajnimin anti-trafikim të policisë, prokurorëve, e gjykatësve, si dhe për të mbështetur organizata joqeveritare. Më së fundi, USAID – së bashku me të tjerë partnerë të përkushtuar – mbështeti zhvillimin e një aplikacioni të telefonisë së lëvizshme, “Raporto! Shpëto!,” me anë të të cilit qytetarët të raportojnë raste të dyshuara të trafikimit.
Megjithatë, trafikimi njerëzor mbetet një problem serioz në Shqipëri.
Më poshtë janë tri gjëra që institucionet shqiptare mund të bëjënë gjatë vitit të ardhshëm për të vazhduar përparimin e demonstrueshëm në luftën kundër kësaj skllavërie të ditëve moderne:
Së pari, të ndjekin energjikisht penalisht dhe dënojnë autorët e trafikimit. Gjykatat shqiptare dënuan vetëm dy kundravajtës të tillë gjatë vitit 2013. Ky numër duhet të rritet në mënyrë domethënëse.
Së dyti, të sigurojnë që viktimat të kenë akses në ndihmë, përfshi shërbime riintegrimi si trajnim profesional dhe kujdes shëndetësor. Qeveria mund ta arrijë këtë duke përmirësuar shërbimet në qendrën e administruar nga shteti, si dhe duke financuar organizatat joqeveritare, si për shembull nëpërmjet Fondit të Posaçëm për Parandalimin e Krimeve.
Së treti, të rrisin numrin e viktimave të identifikuara dhe të ndihmuara. Në vitin 2013, në Shqipëri u identifikuan 95 viktima të trafikimit. Numri i vërtetë i viktimave në vend është pa dyshim shumë më i lartë. Qeveria mund ta arrijë këtë duke zgjeruar mbështetjen për njësitë e lëvizshme që lejojnë grupet e shoqërisë civile dhe policinë të identifikojnë sëbashku viktimat e mundshme, si dhe me anë trajnimesh të mëtejshme për zyrtarët në nivel vendor.
Çdo qytetar mund të bëjë pjesën e tij ose të saj. Fillon me edukimin e vetes dhe duke mësuar shenjat e alarmit që përbëjnë tregues të trafikimit të qenieve njerëzore. Kjo do të thotë të jesh gati të raportosh në linjën kombëtare falas 116006 ose me anë të aplikacionit të telefonisë së lëvizshme “Raporto Shpëto.”
Trafikimi është një problem kompleks që kërkon një përgjigje të qëndrueshme dhe shumëplanëshe. Tani është koha që Shqipëria të ndërtojë mbi sukseset e saj të kohëve të fundit dhe të bëjë përparim të mëtejshëm gjatë vitit të ardhshëm kundër një prej shkeljeve më të rënda të të drejtave të njeriut në kohën tonë – trafikimit njerëzor.

alb365.com/Aleksander Arvizu/ Ambasador i SHBA ne Shqipëri

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Arrestohen 6 shtetas, 5 për vjedhje

Fier -  Policia ndalon 6 shtetas të shpallur në kërkim, 5 për "Vjedhje" dhe 1 për "Vrasje me dashje e...

Close