|E martë, Janar 17, 2017
  • NA NDIQ NË

Kombëtarja dhe Albpetroli, dy njohjet me Lihtenshtejnin 

Fillimisht është Albpetroli i Patosit që ka luajtur me një skuadër nga Lihtenshtejni. Ka qenë edicioni i ish-Kupës së Kupave më 1993-1994. Patosarakët drejtoheshin nga një trajner si Fatmir Dogani që ka lënë gjurmë të veçanta në historinë futbollistike të këtij qyteti edhe prej këtij debutimi historik në Europë po dhe përfaqësimeve dinjitoze në Kategorinë Superiore.

Ka disa vite që për fat të keq Albpetroli nuk është më ai i dikurshmi, sepse militon në ligën inferiore. Megjithatë duhet theksuar se historia e këtij ballafaqimi për Albpetrolin erdhi jo dhe aq drejtpërdrejt. Madje nga një “dhuratë” tjetër që sportivisht ndodh me natyrshmëri. Partizani me aq emër e potencial fitonte në sezonin futbollistik 1992-1993 edhe kampionatin edhe Kupën e Shqipërisë.

Kështu që në turin paraeliminator të ish-kupës së Kupave të sezonit 1993- 1994 do të luante finalistja e kupës Albpetrol që kishte humbur me një gol të “vockël” 0-1 finalen me Partizanin për Kupën e Shqipërisë luajtur në Durrës më 19.05.1993. Për nostalgji ka qenë e mbetet kjo “maja” e vetme më e lartë e futbollit modest patosarak që trajneri Fatmir Dogani, po dhe shumë lojtarë të talentuar të këtij qyteti të vogël, por mjaft futbolldashës, për dy dekada radhazi ditën të shpalosnin me dinjitet.

Kujtojmë se nga sezoni 1973-1974 kur luajti për herë të parë në Kategorinë Superiore deri më 1993-1994 kur u përfaqësua në Europë, Albpetroli, sikurse më parë Apolonia, Naftëtari apo tani Bylisi janë treva të njohura sa naftëtare, po aq dhe sportive që ka pasur e ka futbolli shqiptar.

Dy ndeshjet e Albpetrolit

Në prani të 1600 spektatorëve vendas, Albpetroli ka bërë një debutim mbresëlënës, deri në momentin që ka arritur të barazonte golin e parë të Balzersit. Por menjëherë pas golit, duke mbetur me një lojtar më pak, pas kartonit të kuq marrë nga A.Hasa (38′), natyrisht edhe prej përvojës fare të pakët, patosarakët, me gjithë dëshirën e tyre për të marrë një rezultat pozitiv, kanë mbyllur në paqe vetëm 45′ e para. Në fillimin e pjesës së dytë, lihtenshtejnasit tregohen të aftë të shënojnë shpejt (në harkun e 10′ të para të kësaj pjese) dy gola me të njëjtin autor M Frick

Një humbje që nuk iu duk dhe aq normale futbollistëve patosarakë. Megjithatë ai gol në transfertë jepte sadopak shpresë për “përmbysje” në ndeshjen e kthimit. Udhëtuan plot 2000 sportdashës nga Patosi në Tiranë për të ndjekur me shumë interes takimin e kthimit. Me dëshirën e mirë që, përveç kërshërisë që sërvirte një ndeshje europiane, të ëndërronin pse jo dhe kualifikimin e skuadrës së tyre.

Ndeshja është komanduar totalisht nga ekipi i Albpetrolit përgjatë tërë 90 minutave të saj. Por eksperienca e pakët, pesha e humbjes 1-3 në takimin e parë, ngarkesa emocionale e psikologjike e një ballafaqimi të këtij karakteri shtrinë efektet “kufizuese” të mbetjes në fuqi të shifrave të rezultatit të bardhë 0-0, rezultat që solli dhe eliminimin e skuadrës së Albpetrolit. Edhe në ndeshjen e dytë, A.Poci (në 89′) do ta mbyllte ndeshjen duke marrë një tjetër karton të kuq.

Ndeshja e Kombëtares

Nuk është hera e parë që Shqipëria luan përballë një kundërshtari modest si Lihtenshtejni. Tani që Kombëtarja kuqezi vërtet është në një kulm sportiv real e aspak si dikur “virtual”, ndryshe nga tetë vite më parë kur ballafaqimi “njohës” ka qenë miqë- sor, ndeshja e dytë me Lihtenshtejnin është për kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”.

Jo vetëm prej përfaqësimit në finalet e “Francë 2016”, po dhe për të tjera arsye të një tendosje shumë më pozitive se në të shkuarën, futbolli ynë ka marrë formë dhe rezultate që janë për t’u admiruar.

Pa shkuar thellë, por duke iu referuar ndeshjeve më të shumta në numër të Shqipërisë pas viteve ’90, duhet thënë se Shqipëria ka shkruar historinë e vet edhe në duele me skuadra të “kalibrit të ulët”, siç është momentalisht Lihtenshtejni. Konkretisht Lituania, Letonia, Moldavia, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Malta, Armenia, Qipro, Maqedonia, Andorra, Bahreini, Estonia, Luksemburgu, Malta, San Marino, Bjellorusia, Uzbekistani, Kazakistani etj. Pa përmendur dhe të tjera ekipe që ndodhen tani shumë vende poshtë Shqipërisë në renditjen europiane të UEFA-s apo atë botërore të FIFA-s.

Me përfaqësuesen e Lihtenshtejnit Shqipëria ka pasur vetëm një ballafaqim të mëparshëm. Në një ndeshje miqësore. Luajtur në kryeqytetin shqiptar Tiranë, më 20 gusht 2008. Në krye të pankinës shqiptare ishte tetë vite më parë Ari Haan. Një teknik holandez që kishte goxha njohje për nivelin e kundërshtarit të zgjedhur për këtë miqësore.

Shqipëria arrin të fitojë pastër 2-0, me dy gola të shpejtë në harkun e 18′ të para të lojës. Sigluesit e fitores janë Jahmir Hyka në 1′ dhe Edmond Kapllani në 18′. Nëse mesfushori Hyka vijon të jetë pjesë e Kombëtares, sulmuesi Kapllani për shkak të “rrëshqitjes” në ligat e ulëta të futbollit gjerman duket “i harruar”. Njohja e parë me Lihtenshejnin ka qenë pozitive. Dhe kjo është një arsye që ndryshe nga ndeshja e tetë viteve më parë, edhe tani, paçka se do të luajmë në transfertë, të guxojmë dhe të arrijmë të marrim maksimumin në këtë ndeshje.

Sinjali i dhënë me fitoren jo dhe aq të lehtë me Maqedoninë luajtur në Shkodër, është një tjetër inkurajim. Duke parë me vëmendje skedën e ndeshjes së vetme deri më sot ndaj Lihtenshtejnit, të tetë viteve më parë, te Kombëtarja shqiptare vijojnë të jenë pjesë e grupit aktual vetëm tre futbollistë: Ansi Agolli, Andi Lila, Jahmir Hyka. Ka luajtur edhe Hamdi Salihi ndaj Lihtenshtejnit tetë vite më parë, por ai nuk është më pjesë e përfaqësueses shqiptare.

Alb365/FATMIR EFICA

Add a Comment

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Kjo është historia jonë

Nga SPARTAK NGJELA - Enver Hoxha u kujtua për sovranitetin e vendit atëherë kur Nikita Hrushovi i tha: “ti duhet të ikësh se ke bërë krime”.Dhe, për pushtetin e tij,...

Close