|E hënë, Tetor 23, 2017

Komploti i Botërorit. 

pedro-rodriguez     Është një prej skandaleve më të mëdhenj të Kupës së Botës, dhe 25 vjet më vonë, Kili do të rikthehet në “skenën e krimit” që shkaktoi ndalimin e shtetit amerikano-jugor që të merrte pjesë në Kupën e Botës së vitit 1994. Është një histori mashtrimi e pacipë dhe hileje të paturp që, po të mos kish qenë për aftësitë fotografuese të vetëm një njeriu, rekordi i Brazilit si ekipi i vetëm që ka marrë pjesë në të gjithë Kupat e Botës do të ishte vënë seriozisht në rrezik. Qoftë Brazilin, qoftë Kilin, vetëm fitorja në ndeshjen e fundit kualifikuese në Stadiumin “Marakana” do t’i çonte në Kupën e Botës të vitit 1990. Kur mbeteshin edhe 20 minuta lojë, Brazili po fitonte 1-0 dhe dukej qartë që kishte shanse të mëdha të ishte ai i kualifikuari, sidomos duke pasur parasysh që edhe barazimi i dërgonte në Botëror. Por papritur, bota e tyre u shemb. Në zonën e rreptësisë së Kilit, portieri Roberto Rojas u rrëzua përtokë, në dukje i goditur nga një fishekzjarr që vazhdonte të digjej dhe nxirrte tym vetëm pak centimetra larg tij. Teksa futbollistët legjendarë të Brazilit, Bebeto, Dunga dhe Careka rrinin e vështronin, lojtarët e Kilit nxituan tek Rojas dhe nisën të thërrasin me urgjencë mjekun. Me gjakun që i rridhte nga koka dhe mbi fanellë, Rojas u nxor me shpejtësi jashtë fushe dhe në mesin e fërshëllimave të stadiumit “Marakana”, zyrtarët e ndalën ndeshjen. Duke qenë se fishekzjarri kishte ardhur nga pjesa e tifozëve brazilianë në stadium, superfuqia më e madhe e futbollit përballej me një eliminim të paprecedentë. “Unë u terrorizova”, tha për “CNN” Rikardo Gomez, kapiteni i Brazilit në atë kohë. “Mendova menjëherë që do humbisnim shansin për të shkuar në Kupën e Botës. Ishte gjë shumë e keqe”. Një agjent futbolli, Paulo Teixeira po punonte atë ditë si fotograf pranë fushës së lojës. “Sado e pabesueshme që duket, por asnjë prej kamerave televizive që ndodheshin në stadium nuk e filmuan fishekzjarrin që fluturoi dhe që supozohet se goditi portierin”, tha ai. “Ne fotografët po qëndronim përgjatë vijës anësore dhe pamë fishekzjarrin që të vinte. U habita kur pashë Rojasin që të shembej përtokë dhe me syrin mbushur me gjak, pasi kisha parë që fishekzjarri kishte rënë një metër larg tij”. Pa filmime dhe pa prova fotografike, Brazili ishte në telash të madh, por ata nuk e dinin që ishin në anën e gabuar të një mashtrimi të madh. Në një incident të planifikuar, Rojasi – një portier shumë i respektuar që në atë kohë luante në Brazil për Sao Paulon – kishte përdorur një brisk të fshehur në dorezat e tij për të prerë kokën në momentin kur ndodhej përtokë. Ishte veprimi më makiavelist i mundshëm për të siguruar eliminimin e Brazilit, por askush në Brazil nuk kishte shpresë ta vërtetonte këtë gjë. Deri kur u gjetën provat. “Sigurisht, që sot me gjithë kamerat dhe telefonat celularë në qarkullim do të ishte e pamundur”, thotë Gomes. “Unë nuk arrita ta fotografoj ashtu si shumica e fotografëve të tjerë”, kujton Texeira. “Por ishte një djalë përbri meje, Rikardo Alfieri, një shok i mirë – dhe e pyeta: Rikardo, a e kape fishekzjarrin? – Ai më tha – Sigurisht, 4 apo pesë poza”. Texeira kuptoi menjëherë rëndësinë e madhe që do të kishin ato fotografi, por në një kohë kur kamerat i kapnin fotografitë në filma, dhe jo dixhitalisht, kishte shumë pengesa. “Rikardo kishte një problem. Ai ishte i paguar nga një revistë japoneze dhe i duhej të dërgonte filmat në Tokio – të papërpunuar – mëngjesin tjetër, dhe japonezët i besonin vetëm laboratorit të tyre”, kujton Texeira për shokun e tij fotograf, që tani punon për Conmebol. “I thashë: Rikardo, dëgjo, ti je i vetmi që ke provat se Rojas po bën me hile. Nuk të lë të dalësh nga Brazili pa i larë ata filma”. Menjëherë pasi loja ishte ndërprerë, Teixeira kishte parë i tmerruar teksa një komentator kilen i kish thënë për një stacion radiofonik se si kish parë që fishekzjarri kishte goditur Rojasin, duke i ngulur kështu thikën pas shpine Brazilit. “Gjeta gazetarin radiofonik dhe i thashë që Rikardo kishte fotot. Ai e mori menjëherë Rikardon të fliste direkt në transmetim dhe e gjithë atmosfera ndryshoi”, kujton Teixeira. “Dhjetë minuta më vonë, presidenti i futbollit brazilian u fut në dhomat e zhveshjes ku ndodheshim ne. Një ngjyrë i ikte e një i vinte. ‘Kush i ka filmat? – pyeti – I kam unë”, – i thashë. Në atë moment unë isha aseti më i çmuar mbi faqen e Tokës dhe presidenti brazilian i futbollit më pyeste gjithë kohës nëse isha i sigurtë. Por unë e dija që mund të besoja tek fjala e Alfierit, sepse ai ishte më i miri”. Dhe kështu nisi një përpjekje e jashtëzakonshme për të parë nëse fotografitë e Alfierit do të vërtetonin se Rojasi kishte bërë me hile. “U deshën katër orë të ngrohnim dhe përgatisnim laboratorin. Zonja që punonte aty ishte e zemëruar – e kishim nxjerrë me zor një ditë të diele në darkë”, kujton Teixeira. Ndërkohë që përgatitej laboratori, po kështu nisi gara se cila agjenci do të nxirrte fotografitë. Me kërkesën e Teixeiras, për pesë mijë dollarë, rrjeti i famshëm ‘Globo’ ra dakord të paguante. “Kur dolën fotografitë, katër prej tyre tregonin shumë qartë – duke filluar me fishekzjarrin në ajër dhe më pas rënien përtokë një metër larg Rojasit. Edhe presidenti i futbollit brazilian u çlirua”, thotë Teixeira. Të hënën në mbrëmje, Globo nxori scoop-in, duke treguar foto të aktrimit të Rojasit në një program të quajtur “Jornal Nacional”. Një kopje të tyre presidenti i Federatës së Brazilit ia dërgoi FIFA-s, pasi fluturoi drejt zyrave qendrore të saj në Zvicër. E kënaqur prej provave dokumentare, FIFA ia dha Brazilit ndeshjen 2-0 në tavolinë, një fitore që e çoi në Botërorin e 1990-ës. FIFA vendosi që Kili kishte thyer rregullat, duke lënë ndeshjen para përfundimit dhe më pas nxori gjykimin final, duke e pezulluar Kilin nga Kupa e Botës 1994. Organi botëror i futbollit e ndaloi përgjithmonë Rojasin që të luante futboll, ashtu sikurse dhe doktorin e ekipit kilen. Sot, Kili do të rikthehet në “Marakana” në ndeshjen e dytë të këtij Botërori. Duke parë që Spanja ka humbur ndeshjen e parë, ndërsa Kili e ka fituar, me shumë gjasa do të jetë një ndeshje shumë e fortë, por pa fishekzjarret e ndeshjes së 1989-ës.
alb365.com/bota.al

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Ja kënga që do të na përfaqësojë në Eurovizion (video)

Ishte kënga Diell me të cilën Elhaida Dani do të përfaqësonte Shqipërinë në Eurosong, por pas problemeve që hasi me...

Close