|E martë, Janar 24, 2017

Krushqi 

Nga EDISON YPI – Faleminderit që e ndale makinën dhe më more. Po nuk deshe pare, të jap rrush nga ky që kam te kjo qesja. U nisëm, që thua ti, për të parë një djalë në një katund të Fierit; unë që u bëra sebep për atë krushqi, babai i çupës, shoferi dhe një mik i shoferit që nuk e di pse erdhi me ne.

Merr po deshe nga ky rrushi, merr pa teklif. Babain e djalit tani afër e kam njohur. Babain e çupës e njoh prej kohësh se ka dhënë tre çupa në katundin tonë afër Quksit. Një çup të tij e ka për grua njëri nga djemtë e m’i. Meqënse i kanë vajtur mirë krushqitë me çupat, krushku nga Fieri më pyeti një ditë si t’ja bëjmë t’i gjejmë djalit të tij një nuse këtej nga anët tona, këtej nga Elbasani. Se ka ardhur koh e keqe. Baballarët i zë frika se mund tu mbeten në derë çupat, por edhe se mund tu mbeten pa martuar çunat që bëjnë si të shkathët por janë ngordhalaqa.

Pyet njërin e tjetrin, ja gjeta krushkut nga Fieri një çupë për çunin në një katund afër Gjinarit. Mos kujto se është ndonjë perri e bukur ajo çupa. Po çupë si gjithë çupat o burr i dheut. Ndoshta pak mbi mesataren sa i përket bukurisë dhe shkathtësisë. Pra krushqi e mirë, edhe nëse djali fierak është nën nivelin e saj, se ashtu është më e përshtatshme për vajzat e sotme kur janë pakëz të shkathëta që ta vënë burrin përfund, por edhe nëse djali fierak është pak më lart se çupa elbasanllie, se e kam nga përvoja që në këto raste familja del më e fortë dhe nuk vriten e priten pas tre muajsh si po na shohin sytë ditpërdit në televizor. Pse nuk merr nga ky rrushi ?! Po merr o merr, se rrush është, nuk është helm. E mora këtë rrush te vreshta e shoferit që u nisëm për në Fier. Ka tre hektarë vreshta shoferi dhe dy vila, një në Sulovë afër Urës së Gostimes, tjetrën pak pa vajtur në Ndroq.

Në fakt as vet s’e di pse e mora këtë rrush. Se nga rrushi te rrushi po shkoj. Nga rrushi i shoferit te rrushi i dhëndërrit që e kam në Tiranë. Se ja kam dhënë çupën vëllait të një bosi në Tiranë. Po deshe të dalësh nga fiqiri duke parë sa mbrapa botës ke mbetur, shih dhëndërrin tim, me vila me gjithato makina, dyqane, vreshta. Kam qënë gjithmonë në punëra të mira. Edhe në diktaturë kisha punë të mirë. Isha magazier. Bëja fshehtas ndonjë dallavere nga ato që quheshin punë private që ishin të ndaluara. Mos më pyet çfarë ishin ato punë se duhet një dimër pranë vatrës të të llafos për të gjitha. Kam ngrënë mirë, jam veshur e mbathur mirë, për atë kohë natyrisht. Rëndësi ka që jam mirë me shëndet. Ku e lamë ? Ah po. Ja ta them si u lidha me atë bosin.

Kur isha beqar, kaloi në katundin tonë një kamion nga Tirana nga ata që ngarkonin trungje ahu andej nga Stravanji. Më thotë mua shoferi që ishte nga fshatrat e Tiranës; dua një nuse nga anët tuaja. Ama e dua taze, të pa zënë me dorë, të paprekur, besoj se më kupton. Po të kuptoj, i thashë, veç mos më ngut, më ler ca ditë kohë. J’u futa t’i gjej një nuse si e deshte, s’lashë vend pa kërkuar, se më vjen doresh për të tilla gjëra, dhe ja gjeta një gollobordse të paprekur bardh si bora. Kaluan vite. Aq i pëlqeu tiransit gollobordsja që e ka edhe sot për grua, sa një ditë prej ditësh pas kaq vitesh më dërgon haber, thotë më duhet një nuse për vëllanë, ama edhe këtë të paprekur, njëlloj si gollobordsja ime.

S’kisha më të verifikuar se çupën time. Ja dhashë çupën vëllait të bosit që gjithë Shqipëria e njeh. Në fakt dy vëllezërve, çështë e vërteta, ua ka zënë sytë leku, ama çupa ime me vëllanë e bosit tiranas dhe kunatën gollobordse, shkojnë birinxhi. Kanë fëmijë, kanë të gjitha. Po merr o merr rrush se më plase. Që thua ti, ku e lamë se e humba prap fillin? Ah po, ja se e lidha, pra u nisëm të katër, unë, babai i nuses, shoferi, shoku i shoferit që s’e mora vesh pse erdhi edhe ai me ne, për të parë djalin në atë katundin e Fierit për t’ja bërë për burrë asaj elbasanllies nga ai katundi i Gjinarit. Llaf e muhabet, që thua ti, kur sa patëm kaluar çelikun e kurvit, shoferi e ndali makinën te një karburant. E ndali dhe po priste. Ra heshtja. Pamë njëritjetrin në sy. I thotë shoferi babait të nuses kandidate për burrë fierak; Po fute dorën në xhep o krushk t’i hedhim një pikë naftë se nuk punon me ujë kjo e shkretë, punon me naftë. Krushku nuk lëvizi. Obobo, thash me vete, ç’jan këto tersllëqe që më ndjekin gjith jetës këmbakëmbës edhe tani që kam grumbulluar tërë këtë përvojë dhe po pres me gjak të ngrirë ditaditës të aprovohen ligjet përkatëse të bëj krushqira me kurva dhe kurvarë të legalizuar dhe të martoj gra me gra e burra me burra.

Për të dalë nga situata, i them krushkut; Jepi ore 20 mijë lek se për hallin tënd po vemi në Fier. S’kam, tha krushku pa i lëvizur qerpiku. As un s’kam, tha shoferi. S’kam njëri s’kam tjetri. Kushqia u prish për 20 mijë lek. U kthyem mbrapsht. Ata në Elbasan duke bërtitur me njëritjetrin. Unë te dhëndrri në Tiranë me rrush në dorë.

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: Tirana Bank pranon zhdukjen 150 mln lekëve nga llogaria e emigrantit https://t.co/3Hyxc4OdFd https://t.co/ZdCjyRMsZw
505 people follow ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Ja shqiptarët , skena dashurie në stacion të autobusëve

Kohët e fundit kanë qenë të shpeshta rastet kur shqiptarët e kanë shfrenuar fare “fantazinë” e tyre për të bërë skena të nxehta dashurie, madje edhe akte seksuale në ambiente...

Close