|E premte, Dhjetor 15, 2017

Kryeministri që “fluturon” . 

Anila-BashaTiranë – A e do Edi Rama vendin e tij apo jo? Pas zgjedhjeve të 23 qershorit të 2013, shumë qytetarë janë të prirur të ndajnë opinione të ndryshme për këtë pyetje. Vetë Rama, në konferencën për shtyp të fundvitit të kaluar, pranoi se nuk do të ishte përjetë në pozicionin e kryeministrit. Por kaq duket se nuk mjafton. Qeveria, ka ndërmarrë gjatë këtyre muajve reforma drastike që kanë bërë të pakënaqur shumë socialistë; por demokratët janë kaq shumë të paorganizuar, sa ia bëjnë akoma më të thjeshtë qeverisjen, e shumë shpesh, edhe arbitraritetin e reformave.

Në gjithë këtë panoramë që gjithsecili nga shqiptarët e ka para syve dhe e prek çdo ditë, duket se ka një fakt real: Edi Rama, ka filluar të ngjasojë më shumë me Fatos Nanon sa i përket ecejakeve të tij nga brenda vendit, në udhëtime jashtë.

Fillimi i këtij viti, nuk e gjeti në Shqipëri. Siç raportuan mediat online, Edi Rama, i kishte lejuar vetes pushime disa ditore jashtë vendit. Zyra e shtypit e kryeministrit, nuk denjoi të thoshte asnjë fjalë për këtë udhëtim, edhe pse, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar apo mund të ishte thjesht një lajm gossip ai i kreut të qeverisë që i lejonte vetes të bënte pushime.

Por nuk mjaftoi kjo. Sapo mbërriti në Tiranë, nuk pati asnjë ditë kohë që të merrej me punët e qeverisë. Takimet që kishte skeduluar i kreu shpejt e shpejt, sepse një lajm tragjik vinte nga Franca ku kreu i qeverisë shqiptare, do të duhej të shfaqej detyrimisht, krah autoriteteve më të larta franceze, por edhe atyre botërore, që morën pjesë në marshimin e madh në Paris pas ngjarjes tragjike në Charlie Hebdo.

Kthimi nga Franca i la vetëm një a dy ditë kohë të kthente sytë e të shikonte ç’bëhej brenda oborrit të shtëpisë që duhet të administrojë. Ministrat ankoheshin poshtë e përpjetë se “shefi nuk kishte kohë për t’i takuar” ndërsa një pjesë e madhe e punëve zgjidhej nëpërmjet email-it apo sms për zyrtarë të ndryshëm, nga ata që ngrihen në këmbë kur u vjen mesazhi i “shefit”. Në Shqipëri,  nuk pati ndonjë katrahurë (falë Zotit) që të dukej hapur në aktivitete. Por një të tillë e shfrytëzoi. Ndau ca letra pensionesh, për njerëz që i puthnin dorën, zuri minutazhin qendror të ekraneve kryesore mediatike nëpërmjet regjisë qendrore; gjithë populli e pa që ai po kujdesej për ta, dhe, me vrap, i hipi avionit drejt Londrës. Do të shkonte në këtë qytet, për ekspozitën e dy artistëve shqiptarë. Dhe e përktheu këtë aktivitet, si një vizitë, që edhe për shkak të prezencës së vetë kryeministrit, rriti ndjeshmërinë e londinezëve, apo arkitektëve të shquar evropianë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në fund të fundit, e gjithë kjo ecejake dyditore Tiranë-Londër-Tiranë, ishte vetëm për një ekspozitë.

Eshtë data 19 janar, dhe kryeministri shqiptar gjithë e gjithë nuk i ka bërë pesë ditë bashkë në zyrën e tij të punës, siç duket nga axhenda e ngarkuar që ka pasur.

E të mos mjaftojë kjo, duket se do të udhëtojë sërish. Drejt Vjenës këtë radhë. Të paktën kështu është raportuar nga stafi afër tij, se në faqen zyrtare apo në facebook, ku më së shumti e ndjekim kryeministrin tonë, nuk ka asgjë të shkruar për këtë vizitë. Ose edhe për të tjera në axhendë që do e ndjekin pas saj.

Brenda datës 20 janar, kryeministri ka vizituar katër shtete. U takon vetë qytetarëve dhe opinionit publik të bëjnë ndoshta një analizë për impaktin që kanë pasur këto udhëtime për Shqipërinë e shqiptarët.

Ajo që është e sigurt, është se vetëm Fatos Nano shquhej për “dashurinë”
e tij të madhe për t’u arratisur nga Shqipëria.

Dhe tjetra që është e sigurt, është raporti i nxjerrë nga “Mjaft”, një OJF, e kaluara e së cilës është shumë e qartë. Ditën e djeshme, të rinjtë e Mjaft na thanë se për 1 vit, nga 23 premtime që ka bërë kjo qeveri, vetëm 6 ka realizuar. Ndoshta kryeministrit i duhet të qëndrojë më shumë brenda vendit, për ta vendosur në pozita pune qeverinë, e për t’i mbajtur të gjitha premtimet e bëra.

alb365.com/Anila Basha

 

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
LDK-AAK-Nisma drejt “Sërpska”-s.

    Kosovë - Bllokut opozitar, LDK-AAK-Nisma...

Close