|Saturday, December 10, 2016
  • NA NDIQ NË

Ku është Koço ? PS e ‘zhduk’ nga faqja e saj e internetit 

Tiranë – Një “detaj” që flet shumë: në faqen zyrtare të PS (www.ps.al) jepen të dhëna të detajuara, foto e CV mbi sekretariatin e PS. Janë 8 sekretarë me mandat drejtimi 4 vjeçar. Por midis tyre bie në sy mungesa e fotos dhe e CV për njërin prej sekretarëve, pikërisht atë që zyrtarisht mbulon reformën strukturore në PS. Koco Kokëdhima nuk është më mik e bashkëpunëtor i afërt i kryetarit të partisë dhe kaq mjafton që gjithçka rreth tij të zhduket nga faqja zyrtare e PS dhe historia e saj.

Është një detaj tipik për mjedise para-demokratike siç është politika shqiptare, por edhe një tregues sesa arrogante, denigruese, fyese dhe hakmarrëse është sjellja e politikës ndaj kritikës/kritikëve të shefit partiak të radhës. Sentence e revolucionarëve “kur themi partia nënkuptojmë Leninin dhe anasjelltas” vlen edhe për Shqipërinë, për të shkuarën e për të sotmen e saj.

Partia dhe kryetarët e saj mbeten të paprekshëm, të pacenueshëm, të pakritikueshëm, dhe kushdo që ka një mendim ndryshe dhe që për këtë, shefi i partisë nuk e ka më për zemër, – është kandidat potencial për armik, turmat e militantëve në parti e konsiderojnë armik, partia e konsideron të huaj dhe linçimi e denigrimi i tij është pritshmëria e radhës.

Mbajtësit e faqes zyrtare të PS janë kujdesur që në të dhënat e grupit parlamentar të “zhdukin” edhe gjurmët e deputetëve Blushi e Hafizi, tashmë pjesë e një partie të re politike, siç mungon tërësisht aspekti historik, ndërkohë që proomovohen me deklarata e qëndrime politike të ditës figura të afërta me kryetarin aktual, si Shalsi, Balla, Beqja, Kodheli, etj.

Ndonjë lajm, kronikë, fjalim apo foto nga kritikët në parti? As edhe një. Zero. Ata nuk ekzistojnë për sa kohë nuk janë më pjesë e oborrit të ngushtë të kryetarit! E njëjtë edhe në faqen e PD për figurat kritike brenda grupit të saj parlamentar.

Në historinë e një parti serioze politike zënë vend arritjet më të mëdha të tyre, – vitet e suksesit elektoral, propozimet e rëndësishme, si dhe figurat e larta shtetërore të zgjedhura prej tyre.

Në partitë shqiptare historia fillon me vitin zero, nuk ka memorie dhe as respekt për të. Ja p.sh, PS ka zgjedhur dy një nga gjashtë Presidentët e Republikës pas 1990, por në historikun e saj nuk përmendet dhe as gjendet asnjë e dhënë për R.Alinë e R.Meidanin, ky i fundit, edhe kryetar i Grupit të të Urtëve më 2013.

Tek PD ndodh e njëjta gjë për dy nga katër presidentët e propozuar prej saj, A.Moisiun dhe B.Topin. E njëjta gjë ndodh edhe me figurat e tjera politike drejtuese, ish-kryetarë të partisë, ish-kryeministra apo ish-kryetar parlamenti, shumica absolute e të cilëve vijojnë të shihen si armiq nga partitë respektive që i kanë zgjedhur, me të vetmin argument, se pikëpamjet e tyre politike në moment të ndryshme kanë qenë kritike me pikëpamjet e kryetarit në parti.

Dhe së fundi, ia vlen të theksohet edhe një detaj jo pa rëndësi e interes publik. Për publikun nuk ka shumë rëndësi se përse/kur janë thyer marrëdhëniet personale midis Ramës e Kokëdhimës. Ata ishin miq, mbështetën njëri tjetrin në politikë, bënin plane për të sotmen dhe vitet e pleqërisë së tyre, drekonin e bisedonin së bashku për orë e ditë të tëra. Marrëdhëniet personale janë individuale dhe nuk përbën interes publik.

Për publikun merr rëndësi fakti se thyerja e raportit institucional midis një kryetari partie dhe sekretarit të partisë për reformën strukturore ka ndodhur pas zgjedhjeve në parti në qarkun Vlorë e Gjirokastër, ku aplikimi i një skeme të re organizimi solli ndryshime tërësore të strukturave lokale.

Rivaliteti midis organizimit tradicional dhe atij të aplikuar në këto qarqe solli thyerje, dhe dominim nga grupi tradicional në parti, i cili përbën edhe shumicën në kryesi dhe në grupin parlamentar. Pra, nuk ishte çështje votash, vendimmarrje, debati, por çështje preferencash, cilësi që në një demokraci normale nuk përbën në asnjë rast tipar e vlerë për karrierë.

Në këtë histori ka një detaj tjetër me rëndësi, që e bën interesin publik më të madh dhe që meriton vëmendje: Kokëdhima, i cili ende është sekretar strukturor në PS, ka propozuar me insistim një reformë përfaqësimi në PS, – kalimin nga sistemi i emërimeve vertikale të deputetëve tek sistemi i zgjedhjeve me sistemin e primareve nga baza e partisë.

Kërkesa e propozimi i tij janë teza e vetme politike pozitive që është dëgjuar në PS gjatë vitit të fundit, që nga koha kur partia u thirr në referendumin absurd të marsit, për të votuar që kryetari të mos votohet! Votimi nga baza, vendimmarrja nga anëtarësia, sistemi i primareve në zgjedhjen e deputetëve përbën një trend modern të partive, aplikohet në shumicën e vendeve perëndimore dhe përbën një standard më të lartë demokracie sesa modeli aktual i emërimit dhe personalziimit të politikës dhe parlamentit përmes miqve, shokëve, militantëve mbështetës dhe figurave dytësore politike.

Edhe PD përmes kryetarit të saj ka lajmëruar javën e fundit se do të aplikojë të njëjtin sistem. Nëse është premtim serioz, në dy rastet duhet mbështetur pa rezerva. Studimet tregojnë se aplikimi i këtij parimi i bën partitë më demokratike dhe transparente, parlamentin më përfaqësues, zgjedhësit më aktiv dhe të përgjegjshëm, sistemin më funksional dhe vetë politikën më të besueshme e të lidhur me qytetarin.

Përmes votimeve të tilla SHBA surprizoi me Presidentin e ri, Franca largoi nga politika brezin e vjetër politik, Italia kreu reformimin e partive kryesore politike, Greqia kapërceu krizën në partitë tradicionale, Gjermania vijon të ruajë pjesëmarrje maksimale në zgjedhjet parlamentare, Austria po zgjedh Presidentin dhe po ashtu, shumica e vendeve serioze po e trajtojnë politikën e qytetarin, ashtu siç duhet, me shumë seriozitet.

alb365/afrim krasniqi

Add a Comment

%d bloggers like this: