|E premte, Shkurt 23, 2018

” Kurva ” dhe polici . 

jonida-150x150Nga JONIDA HITOVEIZI

Skandali, ku një femër përleshet me fjalë dhe pastaj fizikisht me dy policë, i ka ndarë njerëzit në dy kampe. Ata që kryqëzojnë policët, simbol të meshkujve vulgar në shoqërinë tonë dhe që janë të tronditur se si shteti mund të dhunojë qytetarët, aq më pak një femër  dhe të tjerët që e përdorin ngjarjen politikisht, por me këtë nuk dua të merrem.

Të qëllosh femër, mbetet akt për tu dënuar si në rrugë ashtu edhe në shtëpi apo kudo qoftë. Por dhuna nuk shpërthen krejt papritur. Se ku i ka tentakulat filmimi mbetet për tu parë, por ajo video duket si pasqyrimi më i mirë i realitetit të shoqërisë sonë, jo pse kemi policë të “dhunshëm”, por se gjithçka ka ndodhur në atë video tregon se në fakt ne jetojmë në një shoqëri “kurvash” dhe “policësh”. Imoraliteti dhe injoranca kanë kurorën e sundimit prej vitesh dhe vështirë t’ua shkulë dikush rrënjët.

“Polici” dhe “Kurva” janë personazhet idealë për tu përdorur si simbol i amoralitetit dhe mungesës së kulturës në komunikim në shoqërinë tonë, përfshirë gjithë brezat,  pa përjashtuar as burrat as gratë as fëmijët as adoleshentët, askënd.

Është fyese të shohësh se si një femër vepron me aq agresivitet, me fjalë rruge dhe gjeste neveritëse, po aq sa është fyese të dëgjosh cilësimet e policit ndaj saj dhe qershia mbi tortë kemi përleshjen fizike mes tyre që i vë kapakun banalitetit të ngjarjes.

Policët u dënuan, por besoj se ata nuk janë të vetmit fajtor. Ajo femër nëse do të kishte një problem në rrugë, ndihma e parë që kërkonte do ishte ajo e policit më të afërt. Fakti që u ndalua pas videos nuk do të thotë gjë, duhet të ishte ndaluar nga policët në fjalë në momentin e ngjarjes, në flagrancë dhe të mbante përgjegjësi për veprimet e saj bashkë me policët e përfshirë në sherr.

Rasti nuk tregon se kemi policë të pakulturuar po tregon se ne kemi një shoqëri, e cila nuk di të komunikojë. Një shoqëri ku secili ka të drejtë të fyejë, të dhunojë, të lëndojë tjetrin dhe të ketë frikë nga komunikimi sigurisht të tilla pjella do ketë. Një shoqëri ku të gjithë janë shenjtor dhe nuk bëjnë shkelje apo padrejtësi, ku askush nuk ka gabime, sigurisht që do ketë vetëm fajtor, por kurrë xhelatë. Një shoqëri ku askush nuk di të kërkojë falje, të dhurojë pozitivitet në komunikim, të pyesë dhe të shpjegohet sigurisht do lulëzojnë drama dhe tragjedi. Dhe ajo që të krijon akoma më shumë një ndjesi të pakëndshme është se gjithë hataja ka ndodhur për një gjobë. Fatkeqësisht ne komunikojmë duke u rrahur, sharë e fyer dhe fakti që je femër nuk ta justifikon sjelljen agresive dhe jashtë normave bazë të edukatës.

Ngjarja e videos me policët dhe femrën, që shpërthen në histeri nuk është fytyra e shtetit, është fytyra jonë. E palyer fare, por e sapozgjuar nga gjumi.

Dhe ai nuk është vetëm një rast. Në këtë vend nuk çuditet njeri nga dhuna, por nga e kundërta e saj, mirësia, pranimi, mirëkuptimi, falja komunikimi dhe sqarimi. Këto janë veprime që cilësohen jo vetëm si të dala mode, por dhe si mungesë karakteri dhe force madje. Të tjerat, histori “policësh”,  “kurvash”, rrahjesh dhe degradimesh, nuk thonë asgjë. Janë normale. Ato ne i rritim çdo ditë, ndaj mos u çuditni dhe ju lutem mos jeni kaq shenjtor. Se e bukura është që njerëz që sillen më keq se ai polici në video në tavolinat e tyre shoqërore bëjnë sikur sapo panë mbretin lakuriq.

Edukimi i shoqërisë sonë ndoshta do të dojë shekuj, por nga diku duhet nisur. Ndaj le ta fillojmë nga vetja. T’i gjejmë së pari qeli imoralitetit, pastaj t’i kërkojmë shtetit të na mbrojë “nderin”!

alb365.com

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
MES PD-së DHE LSI-së NUK KA PROBLEME

Nga LUAN RAMA - Me...

Close