|E shtunë, Nëntor 18, 2017

Laureta Roshi – Atdheu është i dashamirësve 

11825710_10207232156792515_6204921704221932099_n“Guxoj përmes të vërtetës së jetuar…,jam ndalur vetëm për dashurinë”- kështu përkufizon gjithë jetën e saj, gazetarja e njohur Laureta Roshi. Është e pamundur të mos jetë fiksuar portreti i saj, prej një çupeline që nuk pranon të rritet, por rend e rend për të marrë dhe dhënë të vëretën.

Laureta, ose Lori siç njihet në botën e medias, së fundmi guxoi të pamundurën në emër të së mundshmes që ajo do me aq pasion dhe përkushtim. Në fakt, gjithçka të jetës së saj ajo e ka besuar në këtë intervistë për STAR, një rrëfim që ka nxjerrë atë Lorin, që mbase pak kush e njeh, por Radio Televizioni Shqiptar, me emrin, figurën dhe përkushtimin e saj, humbi garën me profesionalizmin, me dashurinë për atë institucion që është i gjithë shqiptarëve, po që mjerisht prej një jete e përdor politika për të fshirë të gjithë pluhurin e rëndomtë të punëve të saj!!!

Cila është dita e Laureta Roshit?
Regjim i çrregullt po ku data është e reja e parë që më gjen zgjuar. Ditë-Natë–Dita ime-janë një trazim oraresh tani në verë pasi duket se gjithçka e ka marrë atë portokallin e diellit… Përpiqem të ruaj një ekuilibër mes orareve që kushtëzohen nga temperaturat dhe ngjarjet e befta, një renditje mes mureve të shtëpisë dhe mjedisit jashtë. Zgjohem dy herë; si i bie një zgjim në agim, pak orë punë dhe zgjim në 7.30! Si amvisë e çrregullt, po pasionante, bëj një centrifugë lëvizjesh me punët e mëngjesit… soditje e motit, një veshje sportive dhe kafja e mëngjesit, përherë në kafet më të populluara bashkë me shtypin e ditës.

Kur të gjithë preferojnë pushimet, si është për gazetaren të ‘marrë pushime’?
Besoj se ne jemi përherë te fjalia; po pushimet kur të vijnë – ndërsa unë në fakt e “nxjerr” veten pushim sa herë udhëtoj Sarandë-Tiranë- Fier- vende të reja përtej kufirit, pasi udhëtimet e mia për arsye familjare apo pune janë përherë një mundësi rifreskimi ndjesish dhe gjetje të reja. Më grish e panjohura.
Në familjen tonë pushim do të thotë ndonjë fundjavë e lirë ku përherë kemi ndonjë gricje të vogël me Aleksin pasi ndodh që shoh dikund anës rrugës, një portret apo diçka që përbën lajm për instiktin tim dhe dua ta fotografoj pa parë më parë rregullat e qarkullimit, (shpejtësinë në ekstrem) dhe shpesh ndodh të fotografoj e tensionuar nga fjalia “po kemi dal për qejf, jo për punë!”. Se ka seriozisht jo po vërtet instikti i gazetarit të dominon arsyen apo limitin e përkushtimit se je pushim apo nuk paguhesh apo lajmi s`është në territorin tënd gjeografik…
Pushimet e mia janë ditë të vërteta buzë Jonit me njërzit e dashur, familjen tonë me Arbrin që tani në adoleshencë kërkon t`i ikë shoqërisë sonë nga pak, me macen tonë në çantë udhëtimi dhe çadrën alpine. Është normale. Pushimet tona janë mes limiteve kohore të punës së një oficeri policie dhe mes një gazetareje; do të thotë një befasi dhe kërkim vazhdimisht i vendeve të reja. Nuk e njohim rutinën as në vendet ku kthehemi e kthehemi vazhdimisht pasi njerëzit e njohur dhe miqtë s`janë asnjëherë rutinë. Po pushimet sa fillon mësohesh me to mbarojnë… Ndërsa rikthehen në shkrime dhe reportazhe përballë kompjuterit.

Po të jetë në krye të detyrës…?!
Emocionuese dhe stresuese për shkak të linjes editoriale që ka media sot, ku gara e ekraneve përfundon dhe te lajmi më i parë i aksidentit ku kalon; gjë që të streson për padobinë e nxitimit. Ndërsa raportimi nga vendngjarje me elementët e respektuar mbetet adrenalinë e instiktit tim. Nga raportimet-shkrime përmes një faksi poste i viteve ’93 te flakët dhe plumbat e ’97-ës, karvani i maktheve të luftës në ’98 në piramidat ku bombardimet shkretonin jetë, në rrugëtimet apo fluturimin nën shënjestër të njerëzve të armatosur – te lindja e djalit në eklipsin e gushtit ’99, nga transmetimet e drejtëpërdrejta për Top-Channel apo zgjimet me valët e radio Tiranës, një mikrofon me audiencën më të plotë, natyrisht që unë zhvendosem në anën e punës jo të pushimeve. Jetesa në Sarandë këto vitet e fundit na ka krijuar mundësinë e pushimeve pas pune, aty ku deti mbetet liman i dëshirave, pasioneve, humbjeve dhe rikthimeve në qytetin e udhëkryeqeve, Fierin tim, një stacion i ndërmjetëm sërish drejt Tiranës.

Ishit pjesmarrëse në garën për drejtuese të RTSH. Publiku e mbështeti fuqishëm kandidaturën tuaj? Pse e doje gjithë atë risk, kur TVSH prej një jete është menaxhuar politikisht dhe keq?
Unë e dua vendin tim! Për mua atdheu im i bukur është pronë e njerëzve dashamirës, e atyre që e kemi ëndrrën e përbashkët se ky vend po bëhet… RTSH është një institucion si të gjitha institucionet për financat që janë publike po është shumë strategjik për imazhin që përcjell dhe rolin ligjor që ka informim, edukim dhe argëtim, një detyrë kjo e sanksionuar në Kushtetutë dhe në momentet që standartet e BE e kërkojnë një RTSH të publikut, politika nuk mund të lërë për më vonë ndryshimin e ekranit që flet shqip në hapësirën më të madhe të sinjalit mbulues në vend dhe rajon.
Unë me RTSH lidh plot 12 vite pune, në fillim të pjesshme, por përherë në transmetim të drejtëpërdrejtë për publikun, audiencën e radios dhe shikuesit më vonë të TVSH-së. Dhe kur rrugëton jashtë Tirane e kupton mirë se njerëzit nuk duan vetëm lavazh truri me modele e show, duan informim edhe mbi ngjarjet mbarë kombëtare edhe ndryshimet ligjore, edhe mundësitë e përfaqësimit të tyre dhe transparencën e përdorimit të fondeve të publikut; misioni i RTSH është gjithëpërfshirës. Në realitetin kur mikrofonat e mëdhenj zënë gjysmën e ekranit, sigla kuq e zi e RTSH është më e besueshmja, pasi ka përgjegjësinë e së vërtetës dhe interest të publikut. Dhe unë u përpoqa me bindjen se mundem. Nuk e llogarita humbjen; nuk e llogaris ndonjëherë (edhe pse rezultati nuk varet nga unë) pasi ndryshe nuk përpiqem dot…
Guxova në fakt edhe nga mbështetja e Aleksit, njeriut që në jetën time fal dashuri dhe sakrifica që vertet s`dalin në ekran) po janë mbështetëse. Ai më tregoi për një njoftim publik të dëgjuar në radio Tirana duke më thënë se “Lori provoje, t`i i plotëson të gjitha kushtet”, dhe vërtet i plotësoj të gjitha kushtet, ku kushti i parë është dashuria e publikut. Publikut, një audiencë e prekshme në ditën time si gazetare terreni pavarësisht logos që ka mikrofoni im.
Avantazh për mua këtë herë ishte dëgjesa publike një ditë para votimeve për zgjedhjet lokale. Një nismë për tu përshendetur e vendimmarrësve që këtë herë e kanë seriozhisht ndryshimin e RTSH-së duke i dhënë mundësi publikut të ndjekë kapacitetet e mundshme për të drejtuar RTSH.

Menduat se do t`ia arrinit të ishit ju-ju në atë sipërmarrje?
Jo! Po të mos ishte bërë degjesa publike jo. Pasi drejtuesit e RTSH-së përherë janë zgjedhur në orët e vona, kafeneve me politikanë apo në udhëtimet jashtë shtetit në avione me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Janë zgjedhur edhe personalitete por me kushtin të mbajnë urtë ekranin e RTSH dhe të lulëzojnë ekranet private. Kur shkova aty isha vetëm. Aleksi kishte ngjarje, dhe qëndrimi në mjediset e ftohta me lodhi me refrenin “oo sa mirë që guxon se kot është caktuar..” Njerëz dashakeq që mu dhimbsën. Nga kjo dhimbje u bëra koshiente se duhej të jepja maksimumin tim ashtu si kisha punuar dhe punoj çdo ditë duke menduar audiencën, njerëzit që do takoja pas kësaj gare. Për herë të parë im atë tha; “Ishe shumë mirë!” Dhe këtë herë është ndryshe. Pjesmarrja e lirë me kritere dhe përballja e drejtëpërdrejtë me publikun janë avantazh bashkë me politikën e hapur të përzgjedhjes ku respektimi i standarteve të BE po kërkon një drejtim ndryshe dhe kryeministri i vendit, mesa duket, e ka marr seriozisht edhe ndryshimin e imazhit publik.

Jeni një prej gazetareve më me eksperiencë në vendin tonë; jeni në gjendje të jepni një koment mbi gjendjen aktuale të medias?
Do të jap një koment të vogël duke ua kushtuar vetëm gazetarëve, atyre që ndajnë jetën me profesionin; raportoni, shkruani, lexoni duke përfytyruar njerëzit e dashur të familjes, rrugicës, shkollës, zyrës, rrugës, fëmijën që gugat dhe ndjek lajmet me gjyshin e gjyshen…, të rinjtë që vrapojnë në kërkim të shpresës. Teknologjia ka sjellë avantazhe po fuqinë e shpirtit të njeriut se ka asgjë përveç se krijimi. Jini krijues në përditshmëri dhe kjo mjafton si fillim …

Çfarë ka ndryshuar në misionin tonë?
Ka një humbje reputacioni në publik, kjo për shkak të paragjykimit, karakteristikë e një tregu të vogël, ku aksionerët e tv/ve janë dhe fqinjët, shokët e fëmijërisë, ish-kolegë, apo persona të bërë publik me blerjen e akisoneve në media, pasi shpesh themi; “të gjithë i njohin të gjithë”. Kjo teori e barazitizmit, rrjedhojë e dëmtimit të shtyllës kurrizore nën diktaturat më të egra që kemi kaluar, bën shpesh që barrierat e qëllimit të aksionerëve të ndalin karrierat e gazetarëve, të mos u japin atyre mundësinë të jenë emra individualitet aftësish, por diçka po ndryshon për mirë. Programet e gazetarëve të mbështetur nga ndërkombëtarët dhe talentet që nuk i nënshtrohen skemave parazitare apo gjobvënieve të rëndomta. Ajo që ka ndryshuar është se ka më pak adoleshentë idealist që duan të bëhen gazetarë dhe më pak mbrojtje sociale për gazetarët. Mungon sindikata dhe kjo kushtëzon disa marrdhënie hapësira publikimi të kufizuara dhe mungesën e një këshilli ankesash ku gazetari të matej me gjurmën e lajmit te publiku dhe të mos punonte në të zezë si sot. Misioni i gazetarit nuk ndryshon, ndyshon vetëm numri i atyre që duan të bëhen apo mbeten gazetarë.

Jeni lodhur ndonjëherë me këtë profesion?
Lodhur jo, zhgënjyer nganjëherë po, rrezikuar edhe po, ndodh që të mos kap telekomandën me dorë dhe të të më mjaftojnë lajmet online po sërish rifiton dëshira për të punuar… Sado të lodhem, unë ringrihem mbase kjo është genetike deri diku; nuk njoh dorëzim. Saranda më mësoi se cepat e gurëve i ha deti… e kështu dhe rebelizmi im paqtohet pas një shkrimi apo kronike ku unë e gjej mënyrën t`i rezistoj të vërtetës që shoh, ngjarjes që ndodh, interesit që pata që nuk kanë mundësi të flasin vetë, në një farë mënyre kur lodhem forcoj shpirtin që zëri im të jetë i qartë në mundësinë e radhës.

Çfarë lidhjeje mendoni që ekziston mes politikës dhe medias në vendin tonë? A është e dëmshme kjo lidhje?
E preka pak më parë. Eshtë një simbiozë e bërë beton tani në detin e lirisë… një breg i shëmtuar në hapësirën e demokracisë. Në fillim ishte shenjë demokracie dalja e kanaleve dhe gazetave private, një uri mediatike normale; hapësira komunikimi dhe thyerje tabush, pastaj politikanët ju afruan medias dhe ofruan mbështetje ligjore për investitorët. Emrat e aksionerëve realë të mediave rrallë bëheshin publike, aq më shumë bilancet financiare aq më shumë borxhet e tyre ndaj RTSH/së si në ëprdorimin e hapësirave të transmetimit dhe në fuqinë e rrjetit të antenave, borxhet ndaj RTSH-së asnjëherë nuk u shlyen derisa avantazhi i teknologjisë mundësoi që kapitalet financiare të rrisin fuqinë transmetuese të privatëve dhe natyrisht cilësinë e shërbimit ndaj potikanëve. Rrallë ka politikanë të deklaruar si investitorë në media në zakonshmëri investitorët e medias vet`rreshtohen para politikanëve. Ndërsa fenomeni që gazetarët bëhen politikanë e shoh “pozitivisht” për aq kohë sa pushteti i politikës e nëpërkëmb pushtetin mediatik, dhe vetëm gazetarët mund ta thyejnë këtë embargo. Fuqizimi i RTSH-së vendos rregulla të reja në tregun mediatik. Ky fuqizim si pushtet i ligjshëm i publikut do të rrisë transparencën dhe shënojë rritje të interesit të politikanëve për atë ekran ku ka aksione çdo familje shqiptare.

Keni ndonjë mesazh për lexuesit e revistës STAR në këtë numër vere dhe stinë vere?
Ju uroj një kometë yjesh me orë të gëzuara të një stine ku natyra kërkon ta shijosh në çdo moment. Dhe kështu lexim të këndshëm dhe faleminderit për kohën që më kushtuan..!

alb365.com/ Nikoleta Kovaci

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Daçiç – Shqiptarët frikacakë, nuk flasin për Shqipërinë e Madhe

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, vazhdon të merret me “deklaratat e fundit për krijimin e Shqipërisë së...

Close