|E hënë, Tetor 23, 2017

Lazarat-Brazil, “itinerari” më i pëlqyer i shqiptarëve… 

fifa-world-cup-2014-brazil-7     Jeta vazhdon me tërë larminë e saj, por Lazarati dhe Brazili kanë qenë emrat më të lakuar të shqiptarëve këto ditë. Hashash dhe futboll! Një ndërthurje e tillë subjektesh dhe temash, vështirë se mund t’i kishte shkuar mendja dikujt që të bëheshin histori të një vendi si ky i yni! Por, ja që Shqipëria e pushtoi botën, pikërisht me hashashin dhe kryeqendrën e tij, Lazaratin, që këto ditë u kthye edhe në shesh lufte, sikur të bëhej fjalë për eliminimin e plantacioneve të Pablo Eskobarit, ndërkohë që finalet e Botërorit të futbollit në Brazil vazhdojnë, duke na mbështjellë e gjithë kjo përzierje tymi dhe emocionesh, me velin më të çuditshëm me të cilin është veshur ndonjëherë ky vend. Të armatosur deri edhe me autoblinda, 800 e ca forca tonat policore, për gati një javë kanë nisur operacionin e asgjësimit të lëndëve narkotike, duke dashur të shkatërrojnë të ashtuquajturën kështjellë të së keqes, që edhe sipas shtypit të huaj thuhet se ishte kthyer në një industri prodhuese hashashi me një vlerë prej 4.5 miliardë euro në vit, kur gati po e njëjta “armatë”, por e përbërë nga gazetarë e çfarëdolloj speciesh të tjera që gjallojnë në këtë vend, kanë “rrethuar” po me aq zell e me një përkushtim të paparë të gjitha ekranet e stacioneve televizivë në Shqipëri, për t’u dhënë “drejtimin e duhur” finaleve të futbollit në Brazil! Në fakt, është esenca e gjithçkaje që përmbledh jetën tonë, mbushur me kotësi dhe një problematikë të ngjizur si mos më keq e që zgjidhjet i pret nëpërmjet rrugëve të tilla, shpeshherë pa krye, siç është edhe rasti i këtyre ditëve, kur itinerari Lazarat-Brazil, edhe pse shumë i largët në hapësirë e perceptim, megjithatë, mbetet më i pëlqyeri për shqiptarët. E ndërsa thuhet se Lazarati dhe të ngjashmit e tij famëkeq po shkojnë drejt zhdukjes, ajo që mbetet ende pa u zgjidhur dhe që me sa duket ka rëndësi këtu, më shumë se çfarë do gjëje tjetër, është se si do të shkojë më tej fati i finaleve të këtij Botërori në futboll?! Jo më kot këto ditë janë mobilizuar të gjitha kanalet televizive të këtij vendi, pa përjashtim, që me skenografi nga më të kushtueshmet dhe panele të ftuarish të panumërt, nga më të përçudnuarit që mund të fantazojë mendja e një njeriu të zhytur në jerm, me orë të tëra kërkojnë, nga mëngjesi e deri në mesnatën e vonë në të gdhirë, t’i bëjnë qejfin vetes e t’i thonë botës se parajsa e vërtetë është pikërisht në këtë vend. Arroganca dhe mospërfillja në këtë rast ndaj vlerave të vërteta ka marrë përmasa absurde, aq sa një temë e tillë e përbotshme dhe gjithëpërfshirëse, por ndërkohë aq e veçantë dhe tepër e ndjeshme, sa ç’është futbolli, të trajtohet sikur të ishte një çështje e thjeshtë vetëm e jona, paçka se ne aktualisht jemi të përjashtuarit e kësaj ngjarjeje. Fakti që nëpër studiot e panumërta të TV-ve rrallë e për mall dëgjohet zëri i specialistëve të vërtetë, trajnerëve apo i atyre futbollistëve që kanë bërë histori në këtë vend, tregon se sa lehtë i marrin gjërat njerëzit në këtë vend dhe sa mosmirënjohës jemi të gjithë ndaj vlerave të atyre njerëzve, që aq shumë i kanë dhënë këtij vendi në fushën e sporteve. Për arsye e shkaqe profesionale, këto ditë kam ndjekur shpesh disa stacione të ndryshme e të huaj televizivë dhe dallimi është mjaft i qartë mes zhurmës që bëjmë e shpërndajmë ne dhe asaj ç’ka të tjerët, përtej kufijve tanë, rrezatojnë plot kulturë e dinjitet nëpërmjet specialistëve të tyre të futbollit, të tillë si ish-kampioni i botës, Marko Tardeli, që bashkë me kolegë të këtij kalibri për çdo mbrëmje komentojnë ndeshjet e skuadrës së tij dhe mbarë finalet e Brazilit nëpër stacione të njohura televizivë të Italisë. Të pranishëm në këtë gjullurdi gjithëpërfshirëse shqiptare ndjehemi keq kur shohim se kjo gjendje apokaliptike prek çdo sferë të jetës sonë, deri në strehën e parlamentit, ku mendohet se duhet të përçohet mendimi dhe fjala e popullit nëpërmjet të zgjedhurve të tij atje. Madje, në një çast të tillë si ky i finaleve të bukura të Brazilit, ku po ndodhin e shfaqen “mrekulli” nga më të ndryshmet, megjithatë, kjo nuk u ka bërë aspak derman parlamentarëve tanë për të ulur armët ndaj njëri-tjetrit e për të ndalur turrin e tyre kafshëror, përkundrazi, fjalori i ndyrë e i pakapërdishëm ka qenë refreni i ditëve të fundit i shfaqjes më perverse që është dhënë atje nga ca burra krejtësisht të frustruar. “Shqipëria, si një rrënojë pa rrugë”, pat thënë e shkruar para një shekulli e ca Edith Durham për këtë vend, që duket se në shumë gjëra ka mbetur po atje ku ka qenë! Vetë fakti se nga rrugët e shumta, tani për tani, kemi zgjedhur si itinerar më të pëlqyer atë nga Lazarati në Brazil, apo atë të hashashit dhe të zhurmës ndaj futbollit, është një tregues i kësaj gjendjeje…

alb365.com/Ahmet Shqarri

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet: KUJDES/ Kopilat po vjedhin lokale e banesa, policia konstaton https://t.co/JP1KBbfvmG via @wwwalb365com
10,375 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Ja vendet që burgosin më shumë femra

Katër vende që kryesojnë listën Në 15 vjetët e fundit, numri i femrave të burgosura është rritur me 50%. Në...

Close