|E enjte, Qershor 22, 2017

Lazarati duhet të bjerë. 

     524Në datën 16 qershor 2014, Saimir Tahiri dhe Artan Didi kanë hedhur në ruletë karrierat e tyre. Pas kësaj date do të kemi
një Shqipëri tjetër. Duke filluar nga protagonistët.
Nëse sipërmarrja është serioze dhe e kthejnë shtetin në Lazarat duke e hequr nga harta botërore e drogës, ky është aksioni më i madh i tyre në bursën e politikës. Do të mbahen mend për një sipërmarrje nga ku janë zbythur gjithë qeveritë e pas ‘90-ës, dhe meritojnë çdo premium që mund të jepet nga shteti.

Kjo është gjithashtu një betejë ku nuk pranohet humbja. Nëse policia dështon në Lazarat, do të jetë një inkurajim për të gjitha territoret e tjera, të cilat e kanë mbjellë, dhe që fshati jugor i frymëzonte. Zonat malore e të humbura të Tropojës, Kukësit, Kurveleshit e të tjera, secila më vete, prodhojnë më shumë se Lazarati. Por ky fshat, është bërë i famshëm për praninë e tij afër rrugës kombëtare, organizimin dhe lidhjet politike. Nëse bie ai, gjithë të tjerët i lëshon zemra. Në të kundërt, miti i tij bëhet i pathyeshëm, shteti bëhet qesharak, dhe kultivimi në hartën e republikës, do të përhapet më tej. Dhe atëherë edhe nëse merret Lazarati, në zonat e thella veriore ka për të qenë e pamundur. Aty, edhe Enver Hoxha me gjithë atë aparat represiv të frikshëm dhe pandjeshmëri ndaj të drejtave të njeriut, vonoi dhjetë vjet t’i kontrollonte.

Ky është edhe një kthim në detyrën primare të Policisë së Shtetit. Rregulli në qytetet e mëdha, duke stabilizuar trafikun dhe ndihmuar tatimet me lojërat e fatit, ishte një kontribut kozmetik, nëse krahasohet me plagën e drogave. Viti i policisë së Saimir Tahirit fillon tani. Dhe tani më shumë se kurrë, policia dhe drejtuesit e saj kanë nevojë për mbështetje.
Ndërkohë, heshtja në krahun e opozitës mbetet e dyshimtë. Një parti normale, do të duhej ta kërkonte me kohë luftën ndaj narkotikëve. Sa kanë thënë për trafik droge me implikimin e Ushtrisë apo të shtetit me funksionarë komunalë e ujësjellësish që i kanë shpëtuar filtrit të kontrollit, janë përralla beharit. Kjo që po ndodh sot, është lufta reale. Por heshtja e tyre është e dyshimtë. Rreshtimi i PD-së në krahun e lazaratasve që qëlluan helikopterin e policisë italiane në 2005-ën, ende mbahet mend. Sot flet vetëm Dashamir Aliko, kryetari i komunës që kohët e fundit i bënte karshillëk edhe Ambasadës Amerikane, duke i treguar mikpritjen e lazove. Ky personazh grotesk rekomandon tërheqjen e shtetit dhe vazhdimin e turneve kulturore në fshat. Këtij demonstruesi të mitingjeve të fundit, i duhet bërë me dije, se ka ardhur koha e çrrënjosjes, me hir a me pahir, të këtij çibani të jugut. Lazot e Dashos, duhet të fillojnë e të mbjellin grurë, domate e kastravecë, ashtu si fqinjët e tyre derviçianas një kilometër në të djathtë, apo lunxhiotët, matanë lumit që rrjedh tek këmbët e fshatit. Ndërkohë, nëse në PD ka mbetur dikush që e ka seriozisht vendosjen e shtetit dhe ligjit, atëherë është koha të dalë, megjithëse janë vonuar. Në të kundërtën, përdorimi nga ky formacion i gjithë plehrave të republikës, për të marrë ca vota, veçse e njehson me ta. Pasi kush fle me qen, në mos u gdhiftë me pleshta, do të kruhet se s’bën në mëngjes.

Është e vërtetë, se ky vend ka një mungesë të theksuar arsimimi bashkëkohor që i bën të rinjtë e sotëm të papërshtatshëm për tregun e punës në Perëndim; mungesë solidariteti social ndërmjet individëve mes vedit dhe këtyre me shtetin; që papunësia e prindërve të fëmijëve që duan të rriten, vishen e hanë, i shtyn të dyja palët në rrugë të paligjshme mbijetese; që fukarallëku nuk ka gjyq; e mijëra justifikime. Por Lazarati e kishte kaluar çdo limit, e ca më shumë kishte filluar të tallej me shtetin. Nëse Lazarati nuk bie, pas pesë vjetësh, këtu nuk do ta marrë vesh qeni të zonë, dhe çdo fshat do të jetë Lazarat. Rënia e këtij fshati, është bast, jo vetëm me rendin e sotëm, por me të ardhmen tonë. Falë Zotit, Ministria e Rendit e ka kuptuar se nuk është ajo e Arsimit dhe as e përkrahjes sociale. Kush ka vendosur të jetojë në këtë vend, është me sytë nga ajo. Kryetar Kuvendi, President dhe opozitë, duhet të shprehin mbështetje për të. Me lutjen që të mos humbasë asnjë jetë polici dhe se jeta e trafikantit nuk vlen sa një jetë e shkatërruar e viktimave të drogës. Me shpresën se kësaj radhe policia do t’ia dalë, duke fituar një betejë për të gjithë ne.

alb365.com/Dritan Hila

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: Qarku Fier gati të shkojë në votim https://t.co/RwuFVYKxIg via @wwwalb365com
11,397 people follow ALB365
Twitter Pic Bougainv Twitter Pic cammipha Twitter Pic McBrideM Twitter Pic olsimust Twitter Pic albanaHa Twitter Pic kwabbybo Twitter Pic PercjaSu Twitter Pic Ianndest Twitter Pic brent633 Twitter Pic ivicespe Twitter Pic dawifey1 Twitter Pic maycol_p Twitter Pic bs_badgu Twitter Pic angie_an Twitter Pic be_be_AT Twitter Pic koseno Twitter Pic GoranPet Twitter Pic devendar Twitter Pic moazreza Twitter Pic shaunteb
Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Arrestohet 18 vjeçari, kërkohej nga policia

Fier - Operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Operacion nga Sektori për Narkotikët dhe Tafiqet në Drejtorinë...

Close