|E enjte, Mars 30, 2017

Letër një prindi 

Nga AGIM BAÇI – Më lejo të të drejtohem sot më këtë letër ty miku im, që ke fëmijët në të njëjtën shkollë me fëmijët e mi.

Ndoshta përshëndetemi vetëm me lëvizje koke, edhe pse dimë për njëri-tjetrin shumë, për shkak të asaj që na tregojnë fëmijët. Gjithnjë kam dashur të të shkruaj e të të flas. Madje, sa herë i kam nisur letër tim biri në ditët e parë të shkollës, kam kuptuar që ai nuk do të mundet t’ia dalë i vetëm, çfarë- do që t’i shkruaj unë.

 Nuk do t’ia dalë as vetëm me shokët dhe shoqet e tij. Nuk do t’ia dalë as vetëm me fjalët e mësuesve. Ata kanë nevojë për ne dhe ne duhet të dimë se si t’ia dalim që të mos u transmetojmë atyre nga dështimet tona, nga hapat që nuk i mbërritëm dot në jetët tona.

E di mik, që nuk është aspak e lehtë t’u flasim sot fëmijëve për mënyrën se si duhet të sillen. Për shumë prindër është e vështirë, pasi fëmijët sot kanë më shumë informacion, kanë parë filma pa fund, dinë ato gjëra të cilat ne i mësonim shumë vonë jo vetëm për trupin tonë dhe për ndjenjat tona. Por është mirë që t’i themi disa gjëra përpara se të piqemi sy më sy për të zhbërë ndonjë gjë që mund ta kishim rregulluar duke folur shumë kohë më parë, qoftë edhe në ato pak minuta që jemi parë në oborrin e shkollës.

E di, mik, se ne të rriturit shpesh ankohemi se nuk kemi më se ç’të bëjmë, se të kë- qijtë janë më të fortë dhe se gjithçka për jetët tona është vendosur nga të tjerët. Por, siç thotë filozofi spanjoll Fernando Savater, kjo logjikë nuk është veçse një justifikim për lirinë tonë që nuk kemi arritur ta përdorim si duhet, është një justifikim për dështimet tona.

Pikërisht, këtë pafuqinë tonë kërkoj unë që të mos ua themi atyre si rrugën e parë drejt së nesërmes. Le të mos i helmojmë fëmijët me atë që ne e ndërtuam vetëm si justifikim për atë që nuk mundëm dot ta bënim, se ndryshuam rrugë, se llogaritëm dhjetëra çaste përpara se të bënim sikur nuk pamë gjë nga rrëzimi i përditshëm i yni dhe i miqve tanë.

Më lejo të të kujtoj vetëm një çast të mahnitshëm nga dhjetëra e dhjetëra që ka në historinë botërore: Në kulmin e Apartheidit në Afrikë, Nelson Mandela u kërkonte të tijve që nga burgu ku ishte që të mendonin se i përkisnin një brezi që mund të ndryshonin botën.

Vite më pas, ai ishte në krye të atyre që besuan vërtet se mund ta bënin dhe që arritën të shmangin me qetësi një nga regjimet më raciste në glob. Dhe historia e njerëzimit ka histori plot shpresë, që mund t’u japin fëmijëve kurajën për të besuar se do t’ia dalin pa pasur nevojë për ligësinë. Ne u flasim fëmijëve tanë për të ardhmen shpesh pa parë aspak nga e shkuara.

Ne jemi shpesh nën euforinë e çastit, duke parë larg, ndërkohë që e shkuara na thërret për të kuptuar se ajo që kërkojmë ka jetuar gjithnjë me njerëzit. E në udhëtimin e së shkuarës do të kuptojmë se armët më moderne mbeten Mirë- sia dhe Guximi.

Asnjë armë tjetër nuk ka shkëlqimin e tyre. Asnjë armë tjetër nuk të sjellë fitore më të ëmbël. Ndaj, nëse duam vërtet që fëmijët tanë të bëjnë një jetë me kuptim, le t’i pajisim fëmijët me këto armë. Mund të ndodhë që të dukemi sikur po i pengojmë të ecin me hapin e kohës. Por, dije miku im, se, nëse nuk i kemi rrëfyer fëmijëve se si mund të bëhesh njeri, nuk kemi pse të presim që një ditë të jetë krenar për atë çka bën. Le t’u flasim se sa kënaqësi është të kesh një mik.

Le t’u kërkojmë që të shikojnë me dashuri nga tjetri që kanë në bankë, në shkollë, në lagje. E sidomos të shohin se më- suesi, duke edukuar dhe mësuar ata, ushqen fëmijët e tij, ashtu siç i ushqejmë ne me punët tona tanët. Vetëm ashtu mundet që t’u kemi dhënë një mundësi të besojnë se nuk janë vetëm, se mund të bëjnë përpara në rrugën që kanë dëshirë.

Ndryshe, mund t’i bëjmë të fitojnë pa fund, të jenë ta pasur, madje edhe të zgjuar, por edhe të jenë vetëm, të skllavëruar nga mungesa e guximit, e të mos kuptojnë kurrë fuqinë e madhe që ka dora e zgjatur ndaj tjetrit. Le t’u flasim fëmijëve ne të parët që të mos shikojnë askënd nga ngjyra, nga pamja e jashtme, nga veshja.

Le t’u kërkojmë atyre që shohin shokun apo shoqen e bankës si një pasuri në rrugën e gjatë të jetës. Le t’u më- sojmë se në jetë nuk mund të ecësh duke imituar të tjerët, por duke besuar se mund t’ia arrijnë duke qenë vetvetja.

E di miku im, mund të kesh dhjetëra argumente për të më lënë të kuptoj se kështu mund të rrisim fëmijë që nuk do të jenë të zotët të kapin hapin e kohës, që mund të mbeten viktima të brutalitetit të jetës, se do të duken qesharakë përpara shokëve që kërkojnë me çdo kush të fitojnë.

E dimë fort mirë të dy se ndershmëria nuk është sot monedha më e vlerësuar. Por ne kemi detyrë të këmbëngulim për t’ua ngulitur faktin e vjetër të botës se ligësia nuk prodhon dot asgjë të mirë dhe se mungesa e dashurisë të çon në askund në botën e hiçit. Vetëm kështu mund të rritemi dhe ne me ta miku im, e mundemi t’u kërkojmë të na japin shansin që të jemi prindër të mirë!

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: https://t.co/sWM7U77R7D https://t.co/3oixT16cFl
4,029 people follow ALB365
Twitter Pic StolzNet Twitter Pic Ledina47 Twitter Pic ddsahara Twitter Pic vanigjuz Twitter Pic uuque Twitter Pic MarioRol Twitter Pic joel6220 Twitter Pic AzzaStep Twitter Pic metin_no Twitter Pic kul12113 Twitter Pic javivis1 Twitter Pic 1Ambu Twitter Pic 5pt Twitter Pic RodheimT Twitter Pic RatliffT Twitter Pic laxkatz1 Twitter Pic MertYavu Twitter Pic RolandoJ Twitter Pic BeduBill Twitter Pic rafael_k
Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Mësuesit pa rroga për nëntorin në Fier, Vlorë dhe Shkodër

Tiranë - Ka nisur java e dytë e muajit dhjetor, por mësuesit e arsimit parauniversitar në qytetin e Vlorës, Fierit dhe Shkodrës,...

Close