|E premte, Korrik 21, 2017

Më shumë për të moshuarit… 

opinioni-i-saj-ab1-510x330          Në aspiratën e përbashkët për integrim në Bashkësinë Evropiane ka dhe shumë qytetarë të vendit tonë që aktualisht janë të moshuar.
Po këta qytetarë, burra e gra, që jetojnë ne fshat apo qytet, në zonat e mëdha urbane apo periferi të zonave të vogla, janë ata që 24 vite më parë ishin mjaft të rinj për të qenë të etur për ndryshime e për një jetesë më të mirë. Sot një pjesë prej tyre janë në moshën e pensionit apo në moshën e tretë duke bërë pjesë në grupin prej 11%-12% të popullsisë sonë.
Këta të moshuar shqiptarë, sot janë po ata qytetarë të vendit që në fillimin e viteve ‘90 aspiruan dhe ju bashkuan thirrjes mbarëshoqërore për një “Shqipëri si gjithë Evropa”.
Këta qytetarë të moshuar sot janë po ata që kanë përjetuar mjaft nga dukuritë e kësaj kohe duke filluar që nga papunësia, nga përpjekjet për ta marrë pronën deri tek humbja e shpresës për ta gëzuar atë në të gjallë, tek varfëria, tek shërbimet shëndetësore të tipit “paguaj që ta kesh”, tek emigrimi i fëmijëve, tek të mbeturit vetëm e pa përkrahje etj.
Të moshuarit në Shqipëri sot janë edhe ata që vazhdojnë të festojnë daljen në pension, duke përftuar një të ardhur pasi kanë plotësuar periudhën e sigurimit dhe janë përkatësisht në moshën 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë.
Në të njëjtën kohë këta janë ata qytetarë që ndërsa presin moshën e pensionit, kuptojnë se i afrohen me moshën edhe margjinalizimit dhe për natyrën e zhvillimeve shqiptare i aviten mjaft rrezikut të përjashtimit shoqëror. Sipas Opendata.al. gjatë vitit 2013 ne vendin tone kanë përfituar pensione pleqërie 311 382 përfitues, nga të cilët 160 980 meshkuj dhe 150 402 femra.
Pavarësisht traditës së shqiptarëve për të respektuar moshën dhe të moshuarit, sërish shumë prej tyre ndjehen të përjashtuar nga vëmendja shoqërore. Edhe pse gëzojnë të drejtat për një cilësi jete si cdo qytetar tjetër i Evropës, sërish shumë prej tyre janë larg realitetit që jetojnë bashkmoshatarët e tyre në hapesiren evropiane.
Respektimi i të drejtave të njeriut, përmirësimi i cilësisë së jetës, përftimi i shërbimeve sipas standardit bashkëkohor janë disa nga kërkesat që shteti duhet t’i marrë në konsideratë dhe duhet t’i përmbushë në drejtim të respektit dhe jetës dinjitoze të të moshuarve shqiptarë.
Aktualisht sipas Shërbimit social shtetëror 301 të moshuar/a trajtohen në Shtëpitë e të Moshuarve 76 të moshuar/a marrin shërbim në qendrat ditore polivalente në Kamëz dhe Sarandë. 6 Shtëpi të Moshuarish (Tiranë, Kavajë, Gjirokastër, Shkodër, Fier, Poliçan).
Shumë prej të moshuarve shqiptarë sot janë të vetëm, pa praninë e ndonjë familjari, kanë të ardhura të pakta, mjete të të pamjaftueshme për kërkesat e kujdesit shëndetësor. Shumë prej tyre vijnë nga familje në nevojë.
Për një trajtim dinjitoz dhe në përputhje me këto standarde, shteti duhet t’u vijë pranë të moshuarve me të gjitha kërkesat që ata kanë, duke respektuar parimin e përfishrjes dhe integrimit në jetën shoqërore.
Nisur nga kjo situatë shteti duhet të punojë në drejtim të prezantimit me konceptin e kujdesit komunitar që duhet të jetë në përputhje me kërkesat e legjislacionit dhe standardeve të shërbimeve.
Aktualisht në vend qendrat e shërbimit komunitar për të moshuarit janë të pakta.
Ne menyre rezidenciale trajtohen rreth 300 të moshuar, ndërsa në ato të shërbimit jo publik afërsisht 200 të moshuar. Ndërkaq duke marrë në konsideratë edhe shërbimet e ofruara nga OJF-të e ndryshme, në qendra ditore, komunitare, polivalente, etj, sot janë të përfshirë në sistemin e shërbimeve sociale rreth 1400 të moshuar.
Pra nga tërësia e qytetarëvë te vendit që jetojnë në moshën e tretë, numri I atyre që përftojnëkujdes nga shteti është 1400. A mjaftojnë keto qendra ekzistuese për të plotësuar nevojat e të moshuarve për kujdes të posacëm? Ngritja e qëndrave komunitare të tjera, të kujdesit për të moshuar, që do të zgjeronin përvojën e atyre ekzistuese është një domosdoshmëri.
Nevoja për të ngritur mjedise pozitive dhe inkurajuese sa më pranë komunitetit, do të tregonte edhe një shenjë të emancipimit angazhues shtetëror për të pasur në kujdesin e vet cdo qytetar të këtij vendi. Mirëqënia, kujdesi shëndetësor, integrimi në komunitet, sensibilizimi i shoqërisë për problemet me të cilat përballen këta të moshuar, vëmendja për mbështetje psiko-sociale, shërbimet në familje, si ato ushqimore apo sanitare, aktivitetet sociale e kulturore etj. do të jepnin shoqërisë dhe shtetit shqiptar profilin e një shoqërie që duke e aspiruar Evropën i afrohet asaj me fakte dhe aksione konkrekte.
Qëndrat e kujdesit komunitar do të ndihmonin mjaft që këta qyetarë të jenë të mbrojtur nga keqtrajtimi dhe lënia pas dore. Të mos harrojmë se cdo njeri kudo ku jeton ka veçantinë edhe të drejtën që të trajtohet me dinjitet dhe respekt. Shërbimi i ofruar nuk duhet t’i gjykojë rrethanat, të kaluarën dhe mënyrën e jetesës së tyre, duke shfaqur një mendësi të re për trajtimin dhe respektin e individualitetit.
Me hapjen e këtyre qëndrave do të nxiteshin edhe shërbime cilësore duke punësuar ndër ata mijëra qytetarë të diplomuar në fushën e punës sociale apo të psikologjisë, apo dhe të fushës së të drejtës nga ata mjira të tjerë të diplomuar në këtë fushë. Shqipëria sociale sot është ende një koncept në kërkim, ashtu sic ka qenë Shqipëria demokratike që në fillimet e ndryshimeve në shoqëri. Por pasi kanë kaluar 24 vjet nga thirrjet e para për Shqipërinë evropiane, statusi I vendit kandidat do të nënkuptonte edhe benefite nga Fondi Social Evropian, të cilin shoqëria shqiptare nuk e ka pasur ende të mundur t’I afrohet, me humbjen për tre herë me radhë të kësaj mundësie.
Të shpresojmë që pritmënitë e kësaj radhe të na afrojnë më shumë më ato mundësi që familja evropiane i ofron për të gjitha ato shoqëri që punojnë në drejtimin e duhur të integrimit, në po atë rrugë që kanë përshkruar vendet e tjera ish-komuniste.

alb365.com/Entela Binjaku

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: Ja trendi i ri për vetullat (fotot) https://t.co/ViuOUoldOc https://t.co/JDJ9HTD6lY
11,309 people follow ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Genti, shqiptari që u dekorua nga Obama (fotot)

Që Shqipëria ka talente, njerëz të aftë, të zotët, inteligjentë dhe që mund të na përfaqësojnë denjësisht në kompeticione të...

Close