|E premte, Maj 26, 2017

Media dhe prodhimi i njerëzve të fjetur 

Nga ANTONIA CASE – Sociologët e kanë ditur prej kohësh që shumica prej nesh janë goxha të mirë. Punojmë mirë në grup dhe kujdesemi për njëri-tjetrin. Përgjithësisht themi të vërtetën, kujdesemi për të vegjlit dhe të moshuarit. Në thelb, jemi pozitivë dhe zemërgjerë. Shpirti i gjerë ndihmon për të shpjeguar pse jemi kaq të suksesshëm si specie, dhe pse sot jemi shtatë miliardë njerëz. Shumica jonë nuk kërkojnë histori vrasjeje, degjenerim dhe dhunë. Këto na ngjallin neveri.

Megjithëse e pranojmë se një përqindje e vogël e popullsisë mund të jetë pak e paqëndrueshme, ne s’i kalojmë ditët tona në ndjekje të tyre. Media po. Nëse do të çonim bisedat mediatike te psikiatri, cila do të ishte diagnoza? Aparati mediatik i sotëm është një rrejt i ndërlidhur informacioni për njerëz, vende dhe ngjarje dhe këto ide bëhen tuajat kur i lexoni, i shikoni në ekran, i dëgjoni që i diskutojnë të tjerët, ose rastësisht i dëgjoni të transmetuara në radio ndërsa zgjidhni sallatë për darkë në dyqan.

Megjithëse ju nuk i ndoqët vetë këto histori, këto leksione të jetës dërgojnë valë në nënvetëdijen tuaj, duke nxitur frikë, babëzi, xhelozi, urrejtje, ndjenja që ju as e dinit që i kishit. Dhe, sigurisht nuk i kishit. Këto nuk janë idetë tuaja. Njerëzit e famshëm dhe sipërmarrësit u japin një dimension human historive mediatike. Mbi njëqind vjet më parë, një grusht njerëzish zbuluan një instrument për krijimin e një publiku intelektualisht të fjetur. Jo, kësaj here nuk ishte një pushkë ose bombë, nuk ishte as ilaç, por një sistem komunikimi që do t’i ndalte në vend masat.

Ky sistem është ajo që njihet sot si marrëdhënie publike. Ju mund t’i falënderoni ata njerëz sa herë që i hakërreheni televizorit, ose kur shani gazetën të fyer nga broçkullat që përcillen si “lajme” ose “informacion i vlefshëm”!

Praktikuesit e marrëdhënieve publike mësuan që arti i paketimit të informacionit në një kuti aq të ëmbël e tunduese saqë njerëzit nuk do t’i rezistonin dot: katastrofa, luftëra, terror, vrasje, seks, ikona stili, divorc, modele, miliarderë, e kështu me radhë. Brenda këtyre lajmeve vijnë gjëra të tjera, gjëra më të rëndësishme që ndikojnë në mënyrën si ju shikoni dhe perceptoni botën dhe ku e shikoni veten në skemën e gjërave.

Edward Bernays, një nga njerëzit e parë të marrëdhënieve publike, dikur tha: “Çdo banor është vazhdimisht i ekspozuar ndaj ndikimit të rrjetit tonë të gjerë të komunikimit që shtrihet në çdo cep të vendit, pavarësisht sa i largët apo i izoluar është. Fjalët godasin vazhdimisht sytë dhe veshët”!

Sot, industria e marrëdhënieve publike është një gjigant në shumë miliarda dollarë. Një narrativë e mirë, prodhim cilësor, imazhe dhe tituj – të gjitha të lustruara dhe të përcjella me makinën mediatike. Sukses i marrëdhënieve publike konsiderohet kur një emër (individ apo kompani) bëhet “publik”, pavarësisht mënyrës si bëhet i tillë.

Këta njerëz dhe reklamat e marrëdhënieve publike konsumojnë jetën mendore të lexuesve dhe shikuesve, të cilët thjesht nuk mund t’i rezistojnë goditjes. Dhe me rutinën e konsumit të lajmeve që është bërë pjesë e jetës së shumicës, kontrolli i mendjes publike është po aq i lehtë sa hedhja e peshkut në një fuçi. Ata mendojnë për ju haptazi.

Mesazhi i fshehur, ose supozimi i pranishëm në shumicën e lajmeve, është që njerëzit janë të këqij, bota është jashtë kontrollit, dhe se në botë ka shumë njerëz më të suksesshëm se ju. Pronarëve të pasurive që sigurojnë fitime të majme duke blerë me çmim të ulët dhe shitur me çmim të lartë – që i japin me gëzim shtëpinë një familjeje që do të jetë në borxh për pjesën tjetër të jetës – u rrihen krahët me respekt. Pronarët e bizneseve që krijojnë perandori dhe grumbullojnë pasuri masive janë ikonat tona kombëtare.

Kompanitë që shtrihen jashtë kufijve dhe përfitojnë nga vendet e varfra janë më të dashurat në tregun tonë. Aparati mediatik na mëson se jeta është një spektakël për t’u parë, por jo për të marrë pjesë në të. Ajo ushqen sindromën e motrës më të vogël – dëshirën të arrijmë motrën e madhe, t’i zotërojmë dhe ne ato gjëra që zotëron ajo. Ne mendojmë gabimisht se këto “histori” mediatike thuajse e thonë gjithçka – që pjesa më e madhe e popullsisë bën një jetë në harmoni me këndvështrimin e shfaqur në lajme; kurse, në realitet, shumica e popullsisë jeton përditshmërinë në humor relativisht të mirë, në përpjekje të sigurojë bukën.

Njësoj si ushqimet e dëmshme, problemi me këto paketa “të personazheve pozitivë” është se, pasi futen në mendjen tuaj, nuk mund ta zhdukni efektin e tyre. Bota në media projektohet si një vend biznesi, jo një planet që rrotullohet në hapësirë. Biznesi është burimi, jo toka ose natyra. Ne jemi individë dhe jo qenie të ndërlidhura me një shumësi speciesh të tjera.

Mikrokozmosi mediatik është si një molekulë pluhuri në një univers në zgjerim. Nuk reflekton asgjë me rëndësi. Nëse kërkimi i lumturisë është heqja e aspekteve negative nga jeta e njeriut, atëherë është i dukshëm vendi nga duhet nisur.

Fëmijë apo lodra?

Blerta Shabani

Nuk është për t’u çuditur fakti që një prind e lejon vajzën e tij të bëj foto provokative. Ky nuk është rast i izoluar. Faji, në këtë rast, nuk është te fotografi po te prindërit, të cilët madje edhe bëjnë foto me vajzën e tyre.

Si është e mundur që një prind ta lejojë vajzën e tij tetëvjeçare të pozojë në atë mënyrë?!

Fotoja e shfaq një vajzë të vogël si një modele të rritur e cila e zbulon dhe e përdredh trupin e saj, gjë që tregon përndryshe për një vajzë rebele së cilës nuk ia prish askush qejfin dhe me të cilën prindërit krenohen.

Ky fenomen nuk është i panjohur. Modelet që njohim dhe që kanë njëfarë fame, tregojnë me mburrje se karrierën e kanë filluar si dymbëdhjetë ose më e shumta si pesëmbëdhjetëvjeçare. E natyrshme është të mendohet se edhe ato, sikurse tetëvjeçarja, kanë bërë fotografi edhe më herët, në moshë fare të njomë.

Problemi është shqetësues: kurdo që një vajzë i përgjigjet asaj që e kuptojmë si bukuri, ajo fillon të preokupohet me dukjen. Ajo objektivizohet. Por, kush është objektivizuesi i parë?

Prindërit!

Ne duhet ta kuptojmë se shumica prej nesh kemi lindur për të qenë lodra të prindërve tanë. Të mërzitur nga jetët e tyre pa angazhime, ata na kanë lindur dhe kanë luajtur me ne në forma të ndryshme. Sidomos ne që jemi vajza e dimë më mirë se si është të luash me një kukull; ta konsiderosh kukullën si njeri; ta simulosh realitetin njerëzor të cilin e lakmojnë fëmijët dhe e urrejnë të rriturit.

Në këtë mënyrë, të rriturit e mërzitur dhe pa ide jepen pas jetës fëmijërore. Ndërkaq, fëmijët jepen pas modeleve të të rriturve. Vajza në foto e ndjek modelin e modeles. Ndërsa, prindërit e saj luajnë me të dhe kërkojnë vëmendje për lodrën e tyre.

Prindërit pra duan vëmendje për talentin si modele të asaj vajze, pa i menduar pasojat që mund t’i sjell kjo.

Prindër të tillë ka shumë. Ata nuk mendojnë dhe nuk arrijnë të imagjinojnë dëmet në edukimin e fëmijës dhe edukimin e shoqërisë.

Pasoja më e madhe që do ta bart vajza është ngulitja e mendimit se ajo nuk ka se çka të shfaq tjetër përveç trupit; se trupi i saj duhet të shërbejë si objekt seksi – si një kukull e shoqërisë.

Po kjo vlen edhe për djemtë e vegjël të cilëve prindërit nuk hezitojnë t’iu blejnë lodrat ai armë, lodrat si vetura dhe t’ia përcaktojnë mënyrën gjinore të të menduarit.

Prandaj, prindërve të tillë – që fatkeqësisht janë shumë iu kisha propozuar që para se të sjellin në jetë një fëmijë, të bëhen më të përgjegjshëm dhe të mos ia përcaktojnë jetën në këtë formë.

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: MAS/ S’ka ndryshim, e njëjta rregullore për maturën shtetërore https://t.co/iukH1ItTjB https://t.co/IKkA478rcS
11,303 people follow ALB365
Twitter Pic judyrobi Twitter Pic Ianndest Twitter Pic brent633 Twitter Pic ivicespe Twitter Pic dawifey1 Twitter Pic maycol_p Twitter Pic bs_badgu Twitter Pic angie_an Twitter Pic be_be_AT Twitter Pic koseno Twitter Pic GoranPet Twitter Pic devendar Twitter Pic moazreza Twitter Pic shaunteb Twitter Pic ElkroniH Twitter Pic MindyL0u Twitter Pic brando_9 Twitter Pic Compa_Ab Twitter Pic BigbangP Twitter Pic jacobnie
Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Fondacioni ” HARPA” vlerëson portalin e lajmeve alb365.com (video e fotot)

Fier - Pë të tretin vit radhë fondacioni "HARPA" ka zhvilluar Mbrëmjen Gala ku ka nderuar me çmime të ndryshme...

Close