|E hënë, Maj 29, 2017

Meidani: Rama nuk i bën dot 70 deputetë me PDIU, i duhet LSI 

Rexhep Mediani e sheh rezultatin e zgjedhjeve në Dibër si një proces që nuk mund të merret për bazë në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, Mediani thotë se, një koalicion PS-PDIU, nuk mund të sigurojë fitoren i vetëm.

Ai komenton edhe idenë e hedhur nga PS-ja për zgjedhjen e kreut të LSI-së President Republike. Meidani thotë se profili i Metës është ndër më të përshtatshmit dhe i pranuar nga të gjitha kampet.

Por, sipas tij, zgjedhja President i kreut të LSI-së, mund të sillte efekte jo të mira  në rezultatin elektoral të kësaj partie. Duke folur për rritjen elektorale të LSI-së, Meidani shprehet se sondazhet tregojnë rritje në disa zona të LSI-së përballë PS-së, duke aluduar se zgjedhja e Kryeministrit të ardhshëm nuk do të jetë ekskluzivitet vetëm i PS-së.

“Po t’u besohet disa sondazheve, sipas të cilave, në mjaft zona, LSI-ja ka fituar tashmë një mbështetje elektorale më të lartë se ajo e PS-së; gjë që mund të pasqyrohet deri në një peshë më të madhe përfaqësuese të saj në dyshen LSI-PS. Aq më tepër, që dhe në pikëpamje kushtetuese, kryeministri propozohet nga forca politike me rezultat më të lartë elektoral”, shprehet Mediani.

-Meidani në analizën post zgjedhore, si i keni parë disfatën e PD-së dhe fitoren e thellë të PS-së në Dibër?

Në zgjedhje të pjesshme vendore një rezultat i tillë është përgjithësisht i pritshëm, deri i konsideruar si “prirje” zgjedhore. Por, një “prirje” e tillë shqiptare, me përmbajtje jodemokratike, është dhe dëshmi e përafrimit të gabuar të qeverisjes qendrore, që mbështet e favorizon qeverisjet vendore të krahut të saj dhe i nxjerr vështirësi tejet të mëdha qeverisjeve vendore të krahut tjetër. Pikërisht, ky orientim politik jo demokratik, deri jo ligjor e kushtetues, është shprehur jo pak si në zgjidhjet vendore të qershorit të kaluar, ashtu dhe në zgjedhjet e fundit në Dibër.

Kjo është dhe pamja e parë e leximit, por nga ana tjetër një rezultat pozitiv me diferencë 10 herë më të lartë se ai i një viti më parë, sidomos pas një ekspozimi “erotik” bashkiak, abuzimit ligjor dhe cenimi të moralit qytetar në majën e qeverisjes vendore në Dibër, të krijon dhe një shije të hidhur dhe të pakëndshme. Kjo ka bërë që të krijohet dhe një dyshim serioz mbi vetë rezultatin. P.sh., e paqartë, deri e dyshimtë, është rritja e pjesëmarrjes në votime me afro 20-30% vetëm në 2-3 orët e fundit të përfundimit të procesit zgjedhor. Po ashtu, me listat e votuesve në përdorim, një pjesëmarrje përfundimtare e deklaruar prej afro 60% (që nisur nga shkalla e lartë e emigracionit prej afro 30%, është praktikisht gati 90%) e bën dyshimin akoma më real. Aq më tepër, po të ndjekësh dhe raportimet e ndryshme shqetësuese e kritike të medias, jo thjesht dhe vetëm të opozitës…

-Sa të besueshme janë akuzat e PD-së se votat u blenë nga karteli i drogës?

Në gjykimin tim, ka më shumë rëndësi qëndrimi, leximi e shikimi qytetar. Në transmetime të ndryshme televizive, krahas pretendimeve të opozitës, nuk kanë munguar pakënaqësi e akuza dhe nga qytetarë, që morën pjesë në procesin e votimit. Kjo dëshmon diçka, nisur dhe nga mençuria popullore e mishëruar në shprehjen: “nuk ka tym pa zjarr”. Aq më tepër që janë transmetuar mjaft filmime konkrete në emisione tepër të ndjekura si “Fiks Fare”, “Stop”, etj., apo, në përgjithësi, disa pamje të regjistruara nga media e politika mbi blerje vote e trysni të tjera jodemokratike. Nëse një trysni konkrete do të ishte dhe ajo që lidhej me parcelat e kanabisit, kjo do të ishte tejet kriminale dhe i takon prokurorisë ta hetojë atë me kujdes e thellësi…

-Duke u bazuar të testi i Dibrës, cili është projeksioni për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme?

Ky test ishte tepër pjesor për një gjykim tërësor. Po ashtu, aty u luajt dhe me një ngjyrim suplementar brenda koalicionit qeverisës, pse jo dhe për të imponuar apo ekspozuar një zëvendësim “kontributi”. Pra, ky tekst nuk mund të vlejë si një projeksion real për zgjedhjet e ardhshme, aq më tepër që edhe në ato zgjedhje një rol të dorës së parë do të kenë vetë aleancat parazgjedhore apo koalicionet paszgjedhore.

Nga ana tjetër, duhet të kihet parasysh se, me sistemin zgjedhor aktual, partitë e treta (siç mund të jetë PDIU në një koalicion të ngjashëm me atë në Dibër), brenda aleancave parazgjedhore, mund të goditen në një mënyrë apo tjetrën, sidomos në marrjen e numrit të dëshiruar të mandateve. Pra, është shumë herët për të ndërtuar një projeksion konkret, veçanërisht pa njohur ndryshimet në sistemin zgjedhor (me lista të hapura apo të mbyllura, me korrigjim kombëtar ose jo), aleancat parazgjedhore me dy apo tre boshte kryesore, pse jo dhe krijimin e konfigurimeve të tjera politike-elektorale. Ama, sipas votave totale në zgjedhjet vendore të një viti më parë, PS-ja e vetme, qoftë dhe në variantin binomial PS – PDIU nuk mund të arrijë të fitojë mbi 70 mandate, pra dhe të mbajë qeverisjen qendrore…

-Për drogën nuk ka vetëm denoncime nga PD dhe akuza mediatike. Përditë kapen sasi të mëdha droge në vendet fqinje që kanë si origjinë Shqipërinë. Veç zhurmës politike, bije në sy heshtja e ndërkombëtarëve për këtë fenomen. Sipas jush, përse nuk reagojnë diplomatët e huaj?

Nuk është tamam ashtu, aq më tepër që, në shumë raste, në reagime të tërthorta apo të drejtpërdrejta përdoret një gjuhë e përdredhur diplomatike. Sidoqoftë, për këtë të ashtuquajtur “heshtje” apo këtë nivel të perceptuar reagimi e pakënaqësie ka shumë arsye, deri dhe “thashetheme”, ku dhe vetë propaganda e demagogjia ka rolin e vet. Por, nisur dhe nga kontakte e lexime të kohëve të fundit, reagimi ndërkombëtar shumë shpejt do të jetë shumë më evident dhe tejet i ashpër.

-Zt.Meidani tema aktuale në vend mbetet Reforma në Drejtësi, ku hapat janë të vogla për miratimin e paketës ligjore. Ndërkohë, miratimi i ndryshimeve kushtetuese, sipas Prokurorisë, ka bllokuar punën e saj në hetimin e zyrtarëve të lartë. A është ky përdorimi i parë politik që po i bëhet reformës?

Jo, nuk besoj, madje është tepër herët për konkluzione. Sidoqoftë, procesi është vetëm në fillim të rrugës së tij, dhe mjaft vështirësi të tjera mund të shfaqen në implementimin e tij, përfshirë dhe ato të vetë burimeve njerëzore, të cilësisë dhe integritetit të kandidatëve në detyra të ndryshme. Prandaj, kërkohet më shumë vullnet politik pozitiv dhe sa më shumë mirëkuptim e kompromis midis palëve. Kjo del akoma më e rëndësishme në këtë fazë, aq më tepër që vetë miratimit të Paketës Kushtetuese të minutës së fundit i mungoi procesi i tretjes apo “dixhestimit”, tepër i domosdoshëm në ndryshime të mëdha.

-Ditët e fundit është rikthyer debati për importin e plehrave në Shqipëri. Paradoksalisht vendimi po miratohet nga qeveria që erdhi në pushtet me premtimin për moslejimin e plehrave. A mendoni se Shqipëria është gati për importe të tilla apo pas kësaj nisme janë interesa të dyshimtë?

Në radhë të parë duhet kuptuar pse ka ndodhur ky ndryshim sjelljeje në rrafshin politik, ligjor e moral? Në fund të fundit, pyetja që duhet të shtrohet është pikërisht kjo: pse ky “orientim” i ri i përmbysur me 180 gradë? Ishte ai pozicion një gabim në atë kohë apo është ai një gabim tani? A është konsultuar ai me specialistët e fushës apo gjithçka është gjeneruar nga maja e qeverisjes? Kemi të bëjmë këtu me një trysni të biznesit vendas apo një interes konkret të disa individëve e ndonjë grupi në qeverisje, që kanë gjetur lidhje përfituese me biznesin ndërkombëtar në këtë fushë, ku dhe mafia ka përfshirjen e saj? Apo, më thjesht, vështirësitë ekonomike e kanë imponuar këtë ndryshim dhe nevoja për para është e madhe. Madje, për të ruajtur pushtetin mund të pranohet gjithçka, deri vendimmarrje në kundërvënie ndaj interesave qytetare. Më kujtohet se dekada më parë, është zhvilluar një ide e tillë për import plehrash pikërisht në periudhën e fundit të qeverisjes komuniste.

Në atë kohë, kriza ekonomike po bëhej gjithnjë e më evidente dhe po kërkoheshin para me rrugëdalje të tjera. Një nga variantet ishte dhe ai i importimit, pra dhe i depozitimit në Shqipëri të plehrave e mbeturinave (deri toksike e radioaktive) të krijuara prej disa vendeve perëndimore, natyrisht për një pagesë të pranueshme. Megjithatë, para një vendimmarrje të tillë politike, u kërkua dhe mendimi i pedagogëve të universitetit dhe i punonjësve të institucioneve shkencore, të cilët u pozicionuan krejtësisht kundër këtij importi.

Dhe, a e dini, cilët ishin argumentet kryesore të asaj kohe? Në radhë të parë, abuzimet e konstatuara në infrastrukturën tokësore e nëntokësore, mungesa e njohjes së specializuar mbi lëvizjet e ujërave nëntokësore dhe e grumbullimeve përkatëse, të papriturat në zhvendosjet e çarjet tokësore në zona të ndryshme etj. Por, po ashtu, një argument tjetër ishte vetë problemi i mosrespektimit të disiplinës dhe procedurave konkrete në trajtimin serioz të këtyre çështjeve. A nuk janë këto argumente të vlefshme dhe për periudhën e sotme? Pa dyshim! Pra, jo sot, por mundet nesër. Sepse, ndoshta, mund të jetë fare ndryshe pas 10-20 vjetëve, kur një veprimtari e tillë mund të rezultojë normale dhe e mirë-kontrolluar, brenda një Shqipërie-njësi e BE-së.

-Si e vlerësoni qeverisjen, vendi është më mirë në përpjesëtim me premtimet e Kryeministrit Rama dhe me zbatimin e tyre në realitet?

Ku premtimet, e ku zbatimi i tyre!? Për këtë, mjafton të analizohen angazhimet në fuqizimin e pritshëm, por dhe të domosdoshëm të infrastrukturës në tërësi. Kështu, p.sh., hidhni një sy  ecurisë së punimeve (më saktë bllokimit të tyre), gjatë 3 vjetëve të fundit, në autostradën Tiranë-Elbasan; shihni ç’po ndodh me 900 metrat në hyrje të Pogradecit (ku sipas punëtorëve nuk është bërë as dhe pagesa!); kujtoni premtimet e zhurmshme të Rrugës së Arbrit etj., për të kuptuar përgjigjen edhe prej dashamirësit më të devotshëm të rilindjes! Prandaj, për një përgjigje të saktë, pyesni më mirë qytetarët, jo politikanët; aq më pak ata të krahut qeverisës. Por, gjithmonë, jashtë kamerave!?

Sidoqoftë, po të ecësh në rrugë e ndesh kudo  vështirësinë e pritshmërinë, lodhjen e mërzinë, varfërinë e hallin në fytyrën e njerëzve, madje gëzimi, buzëqeshja dhe të qeshurit ndeshet gjithnjë e më rrallë. Realisht, pra, shumica e qytetarëve janë krejt të zhgënjyer dhe të pakënaqur, pavarësisht deklaratave të përditshme mbi çudira e suksese, apo propagandës marramendëse e demagogjisë lodhëse qeverisëse.

Edhe pse nuk mohohet kriza ekonomike, tregohen pa pushim, në çdo panel dhe ekran, “përralla” edhe si karshillëk ndaj vetë krizës. Por, për fat të keq, me ngërç serioz duket dhe cilësia e qeverisjes, paaftësia e drejtimit dhe e administratës së saj; arroganca e përzierë me një orientim kaotik, deri abuziv, në projektim e menaxhim.

-Ende pa ardhur stina e zgjedhjeve presidenciale, PS-ja ka përfolur kreun e Kuvendit, z.Meta si Presidentin e ardhshëm. Në analizën tuaj, kjo është një joshje nga frika e daljes nga koalicioni në zgjedhjet parlamentare në 2017 apo për të treguar se PS-ja mban pushtetin edhe pa LSI-në?

Shpjegimet mund të jenë të ndryshme, sa për kot, ashtu dhe thelbësore; sa rastësore aq dhe të qëllimshme. Sidoqoftë, edhe për mendimin tim, është një ekuacion me shumë të panjohura, një pjesë e të cilave do të bëhen triviale vetëm në fund të shkurtit apo fillim të marsit të vitit 2017 me fillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit të ri. Pra, në këtë rast, nga përputhja në vitin 2017 e dy palë zgjedhjeve (parlamentare e presidenciale), sipas kushtetutës, zgjedhjet presidenciale kryhen disa muaj më parë nga periudha e zakonshme (që është në muajin qershor njëherë në pesë vjet), ndërkohë që, zgjedhjet parlamentare normale zhvillohen po në qershor 2017.

Pavarësisht, koalicioneve konkrete të sotme apo të ardhme, z. Meta, si politikan i gjithë pranuar nga të dy krahët e politikës, ka të drejtën dhe mundësinë e kandidimit, por dhe probabilitetin më të lartë të zgjedhjes së tij në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës. Ai, dhe në gjykimin tim, duhet ta ketë menduar, pse jo dhe ta parapëlqejë individualisht një gjë e tillë; edhe pse kompetencat e presidentit janë tashmë tejet të minimizuara në fushën e drejtësisë me Paketën e fundit Kushtetuese. Por, shpesh në politikë, tjetër është përafrimi individual dhe tjetër ai kolektiv.

Madje, në këtë llogaritje të fundit, është LSI-ja, ajo që do të humbte tempin dhe forcën e saj me zgjedhjen e z.Meta si president, sidomos në fushatën e ardhshme të qershorit, pikërisht pa mobilizimin, drejtimin dhe energjinë e Ilirit. Prandaj, në shumë aspekte, kërkohet një vendimmarrje e mençur dhe përllogaritje e plotë, sidomos po t’u besohet disa sondazheve, sipas të cilave, në mjaft zona, LSI-ja ka fituar tashmë një mbështetje elektorale më të lartë se ajo e PS-së; gjë që mund të pasqyrohet deri në një peshë më të madhe përfaqësuese të saj në dyshen LSI-PS. Aq më tepër, që dhe në pikëpamje kushtetuese, kryeministri propozohet nga forca politike me rezultat më të lartë elektoral.

alb365/kohajone

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: Noizy sonte hapi lokalin e tij të ri https://t.co/63OkEnq5Tg https://t.co/zn2CVBGHCy
11,294 people follow ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Mashtrimi që nuk fshihet përjetësishtë

Nga NERO BAZE - Spartak Ngjela tregonte gjithnjë i shokuar mbledhjen e tij të parë si anëtar i Kryesisë së Partisë...

Close