|E hënë, Dhjetor 11, 2017

Migrantë nga Lindja po dynden në Ballkan . 

migranteVendet e Ballkanit po shohin një numër në rritje migrantësh nga Lindja e Afërt, Lindja e Mesme dhe Afrika, që kalojnë nëpër rajon për të arritur në BE. Po zhvillohen projekte për të sistemuar numrin në rritje të migrantëve dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre të njeriut.
Përpjekjet janë të rëndësishme, thanë zyrtarët, sepse migrantët janë objektiva të lehtë për shfrytëzimin nga grupet kriminale që janë të angazhuara në trafikun njerëzor. Përveç kësaj, autoritetet janë në dijeni se disa shtetas lokalë nuk janë rehat nga prania e migrantëve në komunitetet e tyre, gjë që krijon potencial për dhunë etnike.
Shumica e migrantëve ndjekin rrugët nëpërmjet Turqisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi për në Serbi, pasi ata duan të arrijnë së pari kufirin Shengen, kalimin serb-hungarez.
“Deri nga fundi i këtij viti, ne presim 7.000 deri 8.000 migrantë të vijnë në Serbi, por numri përfundimtar varet nga rrugët nëpërmjet vendeve të tjera”, i tha “SETimes” Radosh Gjuroviç, drejtor i Qendrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën ndaj Azilkërkuesve.
Shumica e migrantëve kanë qëndrime relativisht të shkurtra në Serbi, por sistemimet për ta mungojnë. Qendrat e ndalimit kanë 500 vende, por në dy muajt e parë të këtij viti në vend erdhën 1.300 migrantë.
“Migrantët, veçanërisht të mitur të pashoqëruar, shpesh bëhen viktima të shfrytëzimit, dhunës dhe trafikimit njerëzor”, i tha “SETimes” Mitar Durashkoviç, koordinator për luftimin e trafikut në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.
Migrantët shpesh nuk pranohen në komunitetet lokale, ku ka mosbesim dhe paragjykim ndaj tyre. Në reagim, BE dhe Zyra për Bashkëpunimin me Shoqërinë Civile në Serbi zbatoi një projekt për dialogun e hapur në komunitetet lokale midis migrantëve dhe shtetasve dhe për të nxitur tolerancën dhe mosdhunën.
OJQ-ja “Atina”, një shoqatë qytetarësh për luftën kundër trafikimit njerëzor dhe dhunës me bazë gjinore, mori pjesë në projekt.
“Qëllimi i projektit është të kryejë një dialog midis migrantëve dhe popullsisë lokale, të nxisë barazinë dhe tolerancën si dhe të zhvillojë modelet efektive për kapërcimin e problemit të ksenofobisë dhe diskriminimit”, i tha “SETimes” drejtoresha e “Atina”-s, Mirjana Saviç.
Në Rumani, toleranca për migrantët është më e lartë se në Serbi.
Në 2012-ën, Qendra për Kërkimin dhe Dokumentacionin për Integrimin e Migrantëve nisi një projekt kërkimi trevjeçar dhe mblodhi informacion lidhur me hapjen e shoqërisë ndaj migrantëve.
Shoqata Ndërkombëtare për Migracionin nisi një projekt mbi bashkëpunimin kombëtar për migrantët në Rumani me bashkëpunimin nga Shoqata e Shërbimit APEL, një OJQ rumune e të drejtave të njeriut dhe mbështetje financiare nga BE.
Nëpërmjet rrjetit të qendrave të ngritura në 15 qytete rumune, shoqata ndihmon migrantët legalë për të ditur të drejtat e tyre, për të gjetur shkolla për fëmijët dhe për të gjetur ndihmë mjekësore. Migrantët dhe refugjatët e privuar marrin ndihmë nga shoqata.
Në tre vjet që nga fillimi i projektit, më shumë se 2.000 migrantë nga 58 shtete kanë marrë ndihmë. Shumica e tyre erdhën nga Moldavia, pasuar nga Turqia, Siria, Kina dhe India.
Më shumë se 50 për qind e tyre erdhën në Rumani për të studiuar, 10 për qind për të gjetur punë dhe 5 për qind për t’u ribashkuar me familjet e tyre.
Në Maqedoni, strategjia kombëtare për të luftuar trafikimin njerëzor qeveris nevojat e migrantëve. Ligji i vendit mbi azilin dhe mbrojtjen e përkohshme ka qenë në përputhje me standardet e BE që nga 2007-ta. Vendi operon një qendër sistemimi për azilkërkuesit në Shkup.
Por masa të reja duhen anembanë rajonit.
Që nga fillimi i konfliktit në Afganistan, Siri dhe Irak, shumë vende të Europës Juglindore kanë parë një rritje në numrin e migrantëve të ardhur dhe azilkërkuesve.
Në Maqedoni, numri i migrantëve është trefishuar që nga 2011. Numri i azilkërkuesve është rritur gjithashtu. Në tre muajt e parë të 2014-ës, u paraqitën gati 200 aplikime azili. Pothuajse gjysma e tyre janë shtetas sirianë dhe të tjerët vijnë nga Afganistani, Bangladeshi, Pakistani dhe vende të tjera.
Prirja përbën një ngarkesë në kapacitetin e qendrës së sistemimit.
“Këta njerëz janë sistemuar në dy ndërtesa që janë në një gjendje shumë të rrënuar, më keq se gjatë vizitës së mëparshme në 2011-ën. Ne kemi parë dhoma të pista me plot lagështi, dritare të thyera dhe tualete të shkatërruara që thjesht nuk punojnë. Ka rrezik të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse”, thoshte zyra e Avokatit të Popullit në një raport. Ministria maqedonase e Punës dhe Politikës Sociale tha se po bëhen përpjekje në vazhdim për të përmirësuar kushtet jetësore në qendër, si dhe plane për të rritur kapacitetin e saj. “Zakonisht migrantët vijnë nëpërmjet kufirit jugor me Greqinë”, i tha “SETimes” Ivo Kotevski, një zëdhënës për Ministrinë e Brendshme të Maqedonisë. “Kohët e fundit ne kemi parë migrantë të vijnë nga kufiri lindor me Bullgarinë. Ata udhëtojnë për në veri”.

alb365.com/GSH

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Lufta SHBA – Kore e Veriut/ Njerëz blejnë bunkerë antibërthamorë (foto)

Shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara të...

Close