|E shtunë, Tetor 21, 2017

Mihal Krimçe, ‘’punëtori i palodhur’’ i kulturës. 

mihal krimce     Fier – 1
Me shkrimtarin Mihal Krimçe u njohën një ditë pranvere të vitit 2004. Takimi ishte krejt rastësor diku tek porta e gjimnazit ‘’Janaq Kilica’’. Të dy u gjendëm përballë njëri tjetrit në pritje të mikut tonë të përbashkët, shkrimtarit Tasi Proko, i cili atëherë punonte pranë kësaj shkolle. Më pas u ulëm për një kafe aty pranë ku natyrisht tematika e bisedës u ndal tek arsimi dhe letërsia.
Ndërkohë që, të rrëmbyer nga biseda të dy shkrimtarët flisnin me njëri-tjetrin plot pasion, mua nuk më mbeti gjë tjetër veçse ti ‘’kundroja’’ në heshtje duke hedhur vështrimin mbi portretet e tyre.
Kështu u prezantova me Mihal Krimçen, i cili mu duk atëherë një burrë, i qeshur dhe ‘’babaxhan’’ me një dinamizëm të spikatur në gjeste dhe lëvizje. Më vonë, përgjatë viteve në vijim, duke bashkëpunuar me të në një sërë aktivitetesh kulturore, zbulova të tjera anë dhe cilësi të personalitetit të tij, për të cilat bën fjalë edhe ky shkrim i sotëm.
I lindur në Berat në vitin 1949, Mihal Krimçe, do të diplomohet në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë dhe Letërsi. Me përfundimin e studimeve në vitin 1974 dhe në vijim, për 40 vjet rresht, do të punojë si mësues dhe drejtues në shkolla të ndryshme. Fillimisht në Berat dhe më pas, duke nisur që nga viti 2000 edhe në Fier. Ndërsa gjatë dekadës së fundit ai do të kryente detyrën e specialistit të disa departamenteve pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale.
Por krahas punës së përditshme në arsim, falë edhe një aktiviteti të gjerë krijues Mihal Krimçe përfaqson sot në letërsinë e shkruar një emër të njohur.
Janë 24 tituj librash të ndryshëm letrarë, historikë dhe publicistikë që ‘’ndërtojnë’’ profilin e këtij krijuesi të palodhur, i konsideruar ndryshe nga lexuesit dhe kritika edhe si një ‘’bibliotekë lëvizëse’’. Midis morisë së tyre mund të veçojmë me dhjetra artikuj në gazetën apo revistën ‘’Mësuesi’’, por në e fushën e arsimit , Krimçe, është autor edhe i katër librave specifikë që kanë të bëjnë me shkollën dhe proçesin mësimor. Mund të përmendim titujt që tashmë i gjen në bibliotekat e çdo shkolle dhe mësuesi fierak. Të tillë janë librat: ‘’Shkolla Midis Reformës Dhe Standardit’’, botuar në vitin 2009; ‘’Hapësirë Edukative’’, botim i vitit 2010; ‘’Sekrete Mësimi dhe Edukimi’’, botuar në vitin 2012 dhe ‘’Hapësirë e Pafundme Edukative, të cilin lexuesi sapo e ka marrë në dorë këtë vit.
Në këto botime të cilat mbi të gjitha i shërbejnë informimit të mësuesve të arsimit parauniversitar, gjen të sistemuar me kujdes të gjitha zhvillimet, tematikat, konceptet dhe problemet që përmban kjo fushë. Po kështu, aty gjen një pasqyrim të punës së bërë në të gjitha shkollat e rrethit të Fierit, të cilat Mihal Krimçe, si specialist i kurrikulës në Drejtorinë Arsimore Fier, i ka monitoruar duke dhënë ndihmën dhe trasmetuar përvojën e tij.
Nuk ka mësues dhe drejtues shkolle që të mos tregojë për këshillat dhe sugjerimet e tij dashamirëse në drejtim të përmirësimit të punës, të asimilimin të kurrikulës shkollore, të realizimit të standartit, shfrytëzimit të orëve të lira, etj.
E parë edhe në një këndvështrim tjetër, kjo kolanë botimesh për arsimin, shërben edhe si një burim historik i zhvillimeve të tij në këto vite të fundit, si në rrafshin kombëtar ashtu edhe në atë lokal. Duhet theksuar se aty gjen të pasqyruar jo vetëm vlerat e punës por edhe emrat e protagonistëve të saj, qofshin drejtues, mësues, prindër apo nxënës. Përveç vëllimit të parë ku autori na jep një panoramë të përgjithme të punës në sektorin e arsimit, të tre librat e tjerë ndjekin të njëjtën linjë apo model për nga struktura, ndërtimi dhe lënda.
Në pjesën e parë të tyre trajtohen shkrime të karakterit arsimor, ku autori shqyrton me cilësinë e specialistit të gjithë kurrikulën shkollore dhe zhvillimet e saj praktike në institucionet tona arsimore. Ndërsa në pjesën e dytë të këtyre librave, Mihal Krimçe, paraqet përvojën dhe përjetimet e tij profesionale. Aty gjen shkrime informative nga terreni, projekte kurrikulare, përshkrime aktivitetesh dhe pjesë nga krijimtaria artistike e tij si: ese, fabula dhe tregime.
Ndërkohë që në pjesën e tretë, tek këto vëllime gjejmë shkrime kritike mbi letërsinë e shkruar në Fier, të cilat Mihal Krimçe, në cilësinë e lektorit i ka mbajtur në prezantimet e librave të ndryshëm të shkrimtarëve dhe poetëve fierakë.
2
Libri ‘’Hapësira Të Pafundme Edukative’’ është botimi fundit i shkrimtarit Mihal Krimçe, i cili doli në qarkullim këtë fillimviti. Për nga kompozicioni ai ndahet në tre kapituj, ku në të parin vendin kryesor e zënë veprimtaritë praktike mësimore që zhvillohen në shkollë. Pikërisht këtu në rolin e specialistit, autori, ‘’zbërthen’’ në ndihmë të mësuesit kurrikulën shkollore, udhëzimet e MAS dhe punën praktike që duhet zhvillohet për shfrytëzimin sa më efikas të orëve të mësimit. Në mënyrë profesionale ‘’inspektori Krimçe’’, ndërton shembuj konkretë se si mund të organizohen në shkollë puna me projekte, ditët mësimore të integruara apo modulet në lëndë të ndryshme. Nga fondi i orëve të lira ai krijon modele, të cilat i vë në shërbim të mësuesve, duke i ilustruar ato edhe me shembuj dhe tematika rajonale. Të tillë janë ‘’skenarët’’ me temë ‘’Qyteti i Ëndërrave’’, ‘’Si do të jetë Fieri ynë’’, ‘’Në gjurmë të lashtëisë sonë’’, etj.
Ndërsa në pjesën e dytë të librit gjejmë shkrime të karakterit publicistik për metodologjinë e mësimdhënies, figurën e inspektorit, ngarkesën mësimore, etj. Me gjithë larmishmërinë e tematikave, Mihal Krimçe përpiqet dhe bën një trajtim tradicional të koncepteve bazë, ku në mënyrë kritike dhe një frymë parimore trajton fenomenet që shqetësojnë shkollën tonë. Po këtu kemi edhe pjesë nga krijimtaria e autorit me tematika shumë kuptimplote për figurën e mësuesit, ditën e ‘’7 marsit’’, atdhetarizmin, etj. Edhe pse tregime artistike dhe përgjithësisht të shkurtëra ato kanë po të njëjtin lejtmotiv, arsimin.
Me artin e penës së tij, autori di të shkrijë bukur lëndën të cilën e merr nga jeta e përditshme me elementë artistikë, ku gjejmë njëhkohësisht rrëfimin dhe prozën poetike apo lirizmin dhe groteskun.
Në njërin prej tyre dhe pikërisht në tregimin ‘’Një-dy, majtas-djathtas’’, Mihal Krimçe, tregon me anë të një fabule të thjeshtë politizimin psikologjik të shoqërisë sonë. Dhe subjektin ai e ‘’ndërton’’ nëpërmjet monologut të një pensionisti, i cili pasi dëgjon në oborrin e një shkolle komandën e mësuesit të edukimit fizik: -Një dy, një-dy, majtas-djathtas…, ngatërrohet duke brejtur në vetvete dilemën, -Djallo punë. Po kjo e majtë, e djathtë. Ç’u duhet politika, e majta, apo e djathta shkollës?!
Ndërkohë që në pjesën e tretë të librit ‘’Hapësira Të Pafundme Edukative’’, autori na paraqet edhe një pjesë të krijimtarisë së tij në fushën e kritikës letrare. Të tilla janë shkrimet analitikë rreth librave të emrave të njohur tashmë të mësuesve-shkrimtarë si Ramadan Brakaj, Xhemal Gora apo Vjollca Myftari.
3
Përveç punës së përditshme në arsim dhe krijimtarisë letrare dhe publicistike, ndër vite Mihal Krimçe, ky ‘’punëtor i palodhur’’ i kulturës është marrë edhe me punë studimore në fushën e historisë dhe folklorit, duke qenë edhe bashkëpuntor i jashtëm i disa institutive shkencore. Të tillë kanë qenë Instituti i Gjuhësisë dhe Instituti i Kulturës Popullore dhe Folklorit. Mjafton ti ‘’hedhësh një sy’’ sitit të Bibiotekës së Akademisë së Shkencave dhe në faqen 127 të skedarit të saj gjen shënimin: ‘’Krimçe, Mihal. Fjalë dhe shprehje popullore nga rrethi i Beratit / In: gjuha jonë. – n. 3, 1988. – 70-72’’, i cili është një nga treguesit e asaj që theksuam më sipër.
Por me vlera të jashtëzakonshme është edhe libri etnografik ‘’Midis Vllehëve të Shqipërisë’’, botim i vitit 2006, i cili nga pikëpamja dokumentare dhe historike i shërben sot studjuesve te disa fushave, apo siç e gjejmë edhe në skedarët e Bibliotekës Kombëtare, me emërtimin studime sociale.
Studimit të botës shpirtërore të këtij komuniteti që ka kontribute në kulturën dhe historinë shqiptare, Mihal Krimçe, i ka paraprirë edhe me botimet ‘’Skica letrare vllahish-shqip’’, botuar në vitin 1998 dhe ‘’Folklor vllah’’, botim i vitit 1999.
Gjithashtu Mihal Krimçe njihet edhe si një ndër fabulistët më të shquar. Në këtë gjini ai përfaqsohet me trembëdhjetë botime duke i kapërcyer kështu ‘’kufijtë’’ rajonalë. Për gjuhën shprehëse dhe vlerat artisike të tyre, pjesë nga krijimtaria e tij janë përfshirë edhe në botimin e UNESKOS ‘’Perlat e Ballkanit’’.
Ndërsa e veçanta për të mund të gjendet tek një website shkollor, ai i shkollës që mban emrin e rilindasit dhe mësuesit patriot Sali Gjuka, ku në listën e librave që mësuesja i rekomandon nxënësve, krahas autorëve botërorë si Vëllezërit Grim, Zhyl Vern, Xhoan Rouling, etj, apo atyre shqiptarë si Gjergj Fishta dhe Gaqo Bushaka gjendet edhe emri i shkrimtarit Mihal Krimçe.
-I dashuruar pas fabulës, që ngelet ‘’dashuria’’ e penës së tij, shkruan për të në parathënien e librit ‘’Hapësira Edukative’’, redaktorja e tij Anila Lloshi. Ndërsa shkrimtari Ramadan Brakaj në librin e tij ‘’Fllad dhe Furtunë’’ thekson për të midis të tjerave se: ‘’Që është mjeshtër në këtë fushë e dëshmojnë titujt e shumtë të librave. Edhe që e ka merak fjalën e dëshmon fakti se gjithnjë e ka gjymtyrë të titujve tq librave të tij me Fabula.
Ato çka i rritin vlerat e krijimtarisë së tij janë: fjalë të zgjedhura nga pasuria leksikore e shqipes, sintaksë korrekte e fjalisë, strofë e përpunuar në funksion të idesë, figura letrare të goditura, mjete artistike të arrira, ide të qarta, vlera të pamohushme ideore dhe emocionale dhe mendim i lartë artistik, përfundon ai ( Ramadan Brakaj. Fllad dhe Furtunë. Botimet Morava. Fier 2013. Fq 130-131 ).
Ndërsa shkrimtari Tasi Proko në artikullin kritik të titulluar ‘’Sinqeritet’’ shkruan kështu për vëllimin me fabula ‘’Pragu i Fjalës’’ dhe autorin e tij Mihal Krimçe.
– Nga kjo ndjesi e prekshme, njerëzore është përpirë fabulisti Mihal krimce. Unë e kuptoj. E kuptoj sinqerisht. Se, jo pa qëllim, ka përzgjedhur këtë shkallëzim letrar të titujve të librave me fabula. Se një krijues gjatë viteve mund të ketë një varg nisjesh. Po pak mbërritje të arrira. Mihali i ka shpëtuar mrekullisht kësaj trysnie…( Tasi Proko. ’’Kopshti im hënor’’. Globus R. Tiranë 2006. Fq 203).
Natyrisht që vlerësimet e njerëzve të fushës nuk mungojnë për të. Kjo duket fare qartë pasi i ‘’hedh një sy’’ redaktorëve të librave të tij, emra të njohur të letërsisë. Por e veçanta e kësaj krijimtarie është ‘’fjala-lejtmotiv’’, jo vetëm i penës por edhe i titujve të shumicës së librave të këtij autori. Dhe kemi në këtë kolanë botimesh titujt sinjifikativë si ‘’Musht’’, ‘’Verë’’, ‘’Prag’’, ‘’Aromë’’, ‘’Peng’’, ‘’Këmbanë’’, ‘’Kuvend’’ dhe ‘’Magji’’, të gjitha kushtuar fjalës. Të fjalës së bukur shqipe të cilën Krimçe vazhdon ta skalisë bukur, ashtu siç e shpreh edhe një nga miqtë e tij krijues për të: ‘’Ndërsa ecën nëpër vargje…’’
Ky pra të nderuar lexues është Mihal Krimçe, autori që vazhdon të shkruajë në të gjitha këto fusha të krijimtarisë, ashtu i qeshur dhe dinamik, njëlloj si ditën që u njohëm një dekadë më parë.

alb365.com/Ilirjan Gjika

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Tahiri – S’ka dialog me Serbinë deri në krijim të institucioneve

Vazhdimisht ka deklarata nga ndërkombëtarët se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë sa më shpejt që është e...

Close