|Sunday, December 11, 2016
  • NA NDIQ NË

MOS U RRËZO, E DASHUR! 

Nga BURIM RAMADANI – Mos e prano seksin e kushtëzuar, e dashur! Të tillët nuk janë në rregull as me veten, as me rrethin, as me ligjin e as me Zotin. Dhe, jo vetëm kaq. Janë të shfrenuar në egërsinë e tyre të pazotë. Luftoje dhe arrije të na bësh kokëulur për mungesën e mbështetjes së të gjithë neve që në bëjmë zë!

Seks me kushtëzim dhe imponim.

Të gjitha së bashku bëjnë baras me dhunë.

Asgjë më pak se dhunë është kjo që ndodh me ty, e dashur! Në punë dhe në studime! Në spital dhe në angazhim vullnetar!

Në pothuajse secilin moment, të duan të ‘të kenë’. Jo për të të dashur. Veç për trup. Veç për pamje. Veç për numër!

Asnjëherë për mendjen tënde. A din pse? Sepse, nuk munden të të duan për mendjen. Sepse, nuk kanë mendje fare për vete.

Shefa? Profesorë? Mjekë? Punëdhënës? Biznesmenë?

Çkado qofshin, hë mos qofshin!

Të tillët nuk janë në rregull as me veten, as me rrethin, as me ligjin e as me Zotin. Dhe, jo vetëm kaq, por shumë më keq. Janë të shfrenuar në egërsinë e tyre të pazotë. Sepse, vetëm të pazotët në jetë kushtëzojnë dhe imponojnë. Sepse, vetëm të pazotët në jetë shohin veten mbi të tjerët saherë që u jepet mundësia. Dhe, tek ti, e dashur, e shohin veten mbi ty edhe si trup fizik.

E di. Ka plotë të kësi soji. Soji të kafshëve. Soji të egërsirave.

Në malet, edhe ato të pashkelurat, thuhet se shtazët e egra kanë disa rregulla të jetës në versionin e tyre shoqëror. Megjithatë, rregullat e ‘ujqve’ në vendbanime nuk të lënë hapësirë zhvillimi individual, prosperiteti, profesionalizimi, karriere dhe qëndrueshmërie. E habitshme apo jo?

Të jesh grua, e dashur, sfidohesh gjatë tërë kohës. Për çdo ditë dhe në çdo moment. Ani pse, je refuzuese ndaj imponimit e këcënimit, ‘ujqit’ e presin cilindo moment të dobësisë. Momentin për të cilin ti nuk mendon tash për tash. Porse, ai moment edhe mund të vije, nëse nuk lufton për veten dhe për gratë tjera. Aty, ‘ujqit’ ngërthejnë vrullin dhe inatin e mbledhur për një kohë.

Nuk do të doja të të shoh, e dashur, të rrëzuar për një copë karriere, për një copë page më të madhe, për një copë promovimi në detyrë, për një copë pëlhure më të shtrenjtë në trup, apo për një copë rruge me një veturë më të mirë. Sepse, kjo nuk je ti. Je vetëm ajo copë që po e ‘fiton’, por jo ti që mendon.

Nuk do të doja të të shoh, e dashur, të rrëzuar për shkak se ‘kjo po kërkohet’ nga shefi, profesori, mjeku, biznesmeni apo kushdo që të jetë ai apo ata. Sepse, kërkesa për jetën tënde duhet të jetë nga ti.

E di, nuk e ke ndërmend të biesh. Të rrëzohesh.

Por, dua ta di që nuk do të ndalesh në rrugën tënde të jetës. Se kushtëzimi e imponimi për ty nuk bëjnë dhe nuk do të bëjnë punë. Përkundrazi, do të luftosh këtë idiotësi të çoroditur deri në skajet e poshtërsisë dhe ultësisë.

Luftoje ti!

Për veten tënde dhe për shumë gra në Kosovë, që përballen me gjithçka të tillë. Edhe për ato që kanë pasur momente dobësie. Edhe për ato që po kalojnë aktualisht momente dobësie.

Luftoje dhe arrije të na bësh kokëulur për mungesën e mbështetjes së të gjithë neve që në bëjmë zë! Të gjithëve që duam e avokojmë për një shoqëri të barabartë, ku e ndaluara nuk do të shkelet dhe ku e shkelura nuk do të ndalohet në jetën e vet. Luftoje dhe arrije të na vetëdijësosh me shembullin tënd të sukesshëm.

Ka, sigurisht, edhe të tjera që e kanë arritur suksesin pa kushtëzim e pa imponim. Por, edhe më tutje shoqëria kosovare mbetet me premisa të avancuara në fazë të dhunshme, dhunuese dhe përdhunuese.

E një shoqëri që nuk bën zë për këtë që ndodh në pothuajse të gjitha nivelet, nuk të ka të dashur ty! Nuk ka arritur të të dojë për atë që ti përfaqëson. Për atë që ti mendon. As për atë që ti synon të përfaqësosh në jetën tënde.

Prandaj, ti dhe shumë gra tjera, në fillim të jetës së pjekur apo në stade më të zhvilluara, përballeni me kushtëzim e imponim. Përballeni me probleme, deri në largim ‘vullnetar’ nga puna, shkolla apo biznesi.

Ti, mos e bëjë këtë!

Mos e prano seksin e kushtëzuar, e dashur!

Mos u rrëzo!

P.S

Dita Ndërkombëtare e Elimimit të Dhunës ndaj Grave është më 25 nëntor.

Add a Comment

%d bloggers like this: