|E hënë, Tetor 23, 2017

“Mushkonjat” e ekraneve dhe avioni i Divjakës 

Tirane – Nuk kishte asnjë dyshim që kapja e avionit dhe makinës me hashash në Divjakë do të të ishte në qendër të vëmendjes për ditë me radhë. Por, degardimi i trajtimit të kësaj çështje në këtë nivel është shërbimi më i keq që po i bëhet vendit në luftën ndaj trafikut të narkotikëve.
romir saraciPrej ditësh në studiot e emisioneve më në zë të vendit, në televizionet informative dhe ato gjeneraliste, po serviret dhe interpretohet kjo situatë nga “të përhershmit”, specialistët e gjithçkaje dhe asgjëje. Përveçëse informacioneve kontradiktore që përcillen nga gazetarët e terrenit, puna e të cilëve mbetet gjithmonë e pa vlerësuar, po serviren edhe një dyzinë analizash pa fakte dhe ide. Është për të ardhur keq që diskutimet janë tepër të cekta në analizimin e ngjarjes, madje ka një tendencë për bërjen e gjyqeve dhe shpalljen e fajtorëve në studiot televizive, thua se jemi në sallat e gjykatave. Kulmi i gjithë kësaj historie padyshim është kur individët, që kanë marrë mbi shpatulla peshën për të gjetur fajtorët, janë sa gishtat e dorës dhe që i njeh i madh dhe i vogël në hapësirën shqiptare si “mëndjendriturit”, por edhe si “lolot e ekraneve”… Qëllon që brenda një dite ata të lëvizin nga njëra studio te tjetra, madje për ta shfrytëzuar sa më mirë kohën, lënë edhe ndonjë emision në mes për të shkuar tek studioja tjetër! Pozicionimi i tyre politik duket qartazi, madje nuk ngurojnë as ta shprehin vetë apo të etiketojnë njeri-tjetrin për të kaluarën e tyre politike. Duke qenë se janë diskutime të sforcuara, shpesh herë analiza e ngjarjes ia lë vendin sulmeve personale, kur të ftuarit i tregojnë njeri-tjetrit, se kush nga ata e ka bërë më mirë punën në kohën që kanë qenë në paradhomat e kyrministrave respektiv, apo në kohën kur përfitimet në emër të gazetarisë i kthenin në shërbime personale. Por ky nuk është faji vetëm i këtyre “specialistëve të narkotikëve” dhe “teknikëve të avionëve”, pesha më e madhe qëndron tek drejtuesit e emisioneve, të cilët marrin përsipër një mision të ngarkuar prej publikut dhe më pas e shpërdorojnë. Në asnjë studio deri më sot nuk është parë ndonjë gazetar që e ka ndjekur apo ka investiguar këtë ngjarje, që në dijenin time janë të shumtë. Në asnjë kronikë lajmesh apo emision në televizion nuk është marrë asnjë specialist i fushës për të shpjeguar shkaqet e dëmtimit të avionit, si mund të ulet ai në ranishte me rrota të hapura apo të mbyllura, nëse avioni ishte i ngarkuar apo goma ishte pak e shfryrë etj, por në çdo rast i lihet vend hamendësimeve të këtyre specialistëve amator në këtë fushë. Më e keqja është që këto hamendësime nuk kanë kufij. Duke ndjekur i sforcuar, për të mos thënë me përçmim, një prej këtyre emisioneve, më bëri përshtypje gjetja e një gazetari teksa si insert jepeshin pamje se si avionët e atij tipi mund të uleshin në rrugë të këqia. Pasi u transmetuan pamjet dhe moderatori do të niste shpjegimet për insertet, i ftuari në mënyrë të rrufeshme, për të kapur kohën dhe përmbushur porosinë e drejtuesve të tij politik, regaon me bindje: “Mua ky vend më duket i njohur, po po e kam parë këtë vend”…Duke konstatuar që degaridimi i trajtimit të çështjes kishte arritur kulmin, moderatori shprehet: “Të lutem, të mos aludojmë kaq rëndë, sepse këto pamje janë të shërbimeve sekrete amerikane dhe janë xhiruar në Kolumbi”. Dhe shëmbuj emisionesh dhe “analizash” të tilla mund jepen për ilustrim më shumë këto ditë, sepse edhe qytetari më i thjeshtë shikon dhe dallon se ekranet televizive dhe faqe të tëra gazetash tejmbushen dhe servirin lloj-lloj fantazishë dhe “faktesh” që të bëjnë të qeshësh dhe të ulërasësh njëkohësisht.
Do të ishte e udhës që, ne, shërbëtorët e informimit publik, të mbanim vendin dhe qëndrimin që na takon në këto rrethana, për hetime profesioniste duhet t’i lëmë vendin specialistëve dhe organeve të drejtësisë, që ata të bëjnë detyrën e tyre për të zbardhur të vërtetën. Natyrisht edhe ne duhet të mundohemi mesa mundim të bëjmë detyrën që na është ngarkuar, të informojmë me paanshmëri e profesionalizëm opinionin publik për gjithçjka ka ndodhur dhe ndodh rreth kësaj ngjarjeje dhe, çka është më e rëndësishmja, të mos bëhemi mushkonjat e ekraneve për avionin e Divjakës.

alb365.com/Romir Saraci

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet: KUJDES/ Kopilat po vjedhin lokale e banesa, policia konstaton https://t.co/JP1KBbfvmG via @wwwalb365com
10,375 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Era Istrefi luan me zogun. (fotot)

      Ashtu si shumë këngëtarë që janë të bindur se imazhi shet më shumë se talenti, dhe Era...

Close