|E diel, Gusht 20, 2017

“NATO e përkushtuar ndaj Kosovës” 

Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, John Manza, tha të hënën se Kosova dhe vendet e Ballkanit perëndimor mbeten përparësi për aleancën e NATO-s.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me titull “NATO dhe Ballkani Perëndimor” e organizuar nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë. Zoti Manza tha se me gjithë sfidat të cilat po përballet aleanca e NATO-s në mbarë botën, ajo mbetet e përkushtuar ndaj misionit të saj në Kosovë.

“Aleatët e NATO-s rishtazi kanë ri konfirmuar pozitën tonë se do të vazhdojmë të mbajmë forcat e KFOR-it në nivelin aktual”, tha ai.

Manza tha se NATO po përballet me kërkesa të mëdha për të siguruar mbrojtjen e aleatëve në lindje të Evropës, në luftën e Afganistanit dhe në luftën kundër Shtetit Islamik dhe të gjitha këto sfida, sipas tij, po e rëndojnë aleancën e NATO-s, shkruan Zëri i Amerikës.

“Sot NATO po përballet me dy sfida të mëdha, e para është rilindja e Rusisë si kërcënim i rëndësishëm që ka filluar me Gjeorgjinë, Ukrainën dhe sot e sheh NATO-n duke u përshtatur me këtë. Ne jemi duke dërguar trupa në shtetet e Baltikut, ne po rrisim mbrojtjen konvencionale kundër kërcënimit konvencional rus, por gjithashtu po përballemi me kërcënime në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore dhe po ashtu po tentojmë të mbetemi të fokusuar në vende si Kosova dhe Ballkani Perëndimor për të siguruar që arritjet që kemi në këto vende nuk do të humben”, tha ai duke nënvizuar se është shumë e vështirë, por megjithatë, aleatët e NATO-s janë pajtuar për të vazhduar mbështetjen për Kosovën.

Manza tha se ndërhyrja ruse në Ballkan është vërejtur më së miri në Mal të Zi. Ai tha se Rusia po provon që nëpërmjet mediave dhe sulmeve kibernetike të ndikojë edhe në Ballkanin Perëndimor. Ai u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që të rrisin masat për të parandaluar këtë ndërhyrje.

“Kosova duhet të përgatitet, ta bëjë nëse ende nuk e ka bërë, duke forcuar rrjetin e komunikimit, aftësinë për të kontrolluar kufirin, aftësinë për të luftuar lajmet e rreme dhe të tjera gjëra të tilla që ju bëjnë më elastik kundër sulmeve hibride”, tha zoti Manza.

Ai tha se çështja e ndryshimit të mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës duhet të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, ndërsa bëri thirrje që për këtë çështje të mos ngutet sepse një gjë e tillë sipas tij mund të prishë edhe marrëdhëniet e tanishme me aleancën.

“Mënyra më e shpejtë për të siguruar transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura është duke u marrë ngadalë dhe në mënyrë metodike sepse politikisht është shumë e vështirë dhe gjërat do të bëheshin edhe më të vështira nëse do të bëhej duke u ngutur. Sinqerisht, përpjekjet e bëra disa muaj më parë duke përshpejtuar këtë proces, kanë rrezikuar shumë të gjithë procesin apo kthimin prapa”, tha ai duke nënvizuar se një transformim i shpejtë do të shkatërronte bashkëpunimin e krijuar dhe se sipas tij, aleatët e NATO-s janë duke e ndjekur me shumë kujdes këtë çështje.

Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, John Manza gjatë ditës është takuar edhe me përfaqësuesit e institucioneve të vendit dhe atyre ndërkombëtare.

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Banorë të Patosit 25 vjet pa një treg fruta – perimesh e industrial.

Fier - Edhe pse kanë kaluar afro 25 vjet 30 mijë banorë të qytetit Patos ende vuajnë mungesën e një...

Close