|E hënë, Korrik 24, 2017

Në kërkim të njerzillëkut pa pagesë . 

Greva-e-urise-Tirane  Tirane – Prej shtatë ditësh, qëkur në lulishten në krah të Kryeministrisë ka nisur një grevë urie e një grupi të larguarish nga puna, kemi parë e dëgjuar shumë “analiza”, që nga asocimi i menjëhershëm i grevës me opozitën, që “synon të dëmtojë statusin e vendit kandidat”, tek biografia e personave të ngujuar, pamja e tyre, shumë e kuruar sipas disave për të ngjallur dhembshuri a besueshmëri, ironitë për veshjen e vizitorëve të grevës, e plot cinizma të tilla, që krahas këngëve e fotove të diktatorit, po na nxjerrin edhe “mallin” e asaj kohe, kur veshja e modeli i flokëve, vuloste karakterin e individit si ndjekës të “modës së huaj”, e për pasojë e shënjestronte si armik të pushtetit e të popullit.
Këto “analiza” nuk i ndali as fakti që disa nëna u ngujuan, duke u shkëputur qoftë edhe nga ato gjestet rutinë, por jetike, të qënit pranë fëmijëve. Bashkë me to, edhe disa burra, kryefamiljarë, që në traditën dominuese shqiptare është personi që sjell “bukën” çdo ditë në shtëpi. E natyrisht, nuk u ndalën as para mendimit se disa njerëz, ndërmorën një akt, që të paktën në raportin kosto-përfitim, 51 për qind e merr vetësakrifikimi, e për pasojë duhet një nivel shumë i lartë i papërgjegjshmërisë individuale, që thjesht të bësh një lojë partiake.
A është hera e parë që njerëzit largohen nga puna në këtë vend? Aspak! Edhe artikullshkruesja e ka provuar dikur familjarisht një gjë të tillë. Prej mëse dy dekadash, fituesit e zgjedhjeve vijnë në zyrat e paraardhësve bashkë me ushtrinë e mbështetësve, të cilëve u duhen hapur vende pune, duke larguar punonjësit ekzistues. Është një plagë që jo vetëm nuk po shërohet nga çdo lloj përparimi që shënon ky vend, por po kontribuon në vazhdimësi në gërryerjen e themeleve të atij që premtojnë se po ndërtojnë të gjithë: shtetin. Ky është një peshqesh me të cilin na kanë edukuar partitë politike, që na ka ardhur i ëmbël kur e kishim në favor, e i hidhur kur e kishim kundër. Por vetëvrasja e një të larguari nga puna, si pamundësi për të gjetur një punë tjetër për të mbajtur familjen, është një fenomen i ri, që po na përplaset fort si shoqëri, si gjesti fatal, i paraprirë nga një tronditje e fortë psikologjike.
E pavarësisht këtyre gjesteve fatale, vazhdon ritorneli se “greva po përdoret politikisht”. Larg mikrofonave, ky artikulim pëshpëritet më fort, duke ia dalë të heshtojë me sukses një shoqëri të tërë.
Ndikimi është aq i fortë sa heshtja nuk thyhet, as kur del lajmi se një baba nga Lezha, nuk e ka përballuar largimin nga puna dhe i ka dhënë fund jetës. E njëjta gjë ndodhi disa javë më parë me një nënë nga Korça. Kjo, sepse vendi i punës lidhet ngushtë me atë që quhet mbijetesë. Për një njeri, që të ardhur të vetme ka pasur vetëm pagën në bordero, largimi nga puna barazohet me vënien në pikëpyetje të mundësisë për t’u ushqyer.
Në Shqipërinë e 24 viteve demokraci po humbim përditë e pa e kuptuar atë që quhet solidaritet njerëzor. Solidariteti, sa për të shpluhurosur kuptimin e harruar të këtij termi, është ndjenja e përgjegjësisë dhe e varësisë reciproke në gjirin e një grupi njerëzish, shoqërie, që moralisht i detyrohen njëri-tjetrit. Pra, problemet që hasen nga një ose disa anëtarë, prekin tërësinë e grupit shoqërisë. Kjo ndjesi, në kushtet e të menduarit të kthjellët, e bën njeriun të sillet si të ishte i përfshirë direkt në problemet e të tjerëve, për shkak të të cilave, e ardhmja e grupit dhe e atij vetë do komprometohej.
Madje sociologu francez, Emile Durkheim ka bërë një dallim të formës së solidaritetit: solidaritet i bazuar në ngjashmëritë e individëve në shoqëritë tradicionale me ndërgjegje të fortë kolektive dhe solidaritet i lidhur me ndërvarësitë në shoqëritë moderne, për shkak të ndarjes së punës dhe individualizmit.
Dukshëm nuk jemi shoqëria me nivelin e duhur të ndërgjegjes sociale, edhe pse si kudo tjetër, solidariteti është parimi bazë i shumë organizmave, si sindikatat, shoqatat, partitë politike e vetë institucionet publike.
Të heshtësh sot përpara asaj greve urie do thotë të ligjërosh të njëjtën praktikë largimesh edhe nesër, në rotacionin më të parë politik në nivel qendror a vendor. Të heshtësh a të ngurrosh duke paramenduar se “kush” i ka futur në grevë, “kush” i mbështet, a përllogaritur se “kujt” i bëj qejfin a “kë” do zemëroj, nëse i mbështes, janë gracka ku shpirti i individit veç zvogëlohet e bëhet skllav i partive politike.
E vërtetë, nuk është e lehtë sepse në Shqipëri, politika është bërë e vetmja hapësirë ku mund të të dëgjohet zëri. E dhimbshme kjo në një epokë, ku mënyrat e mjetet e komunikimit janë pafund. Fatkeqësisht edhe ato po pësojnë kontrolle të shumëfishta nga politika, për të kanalizuar përhapjen e ideve, e për pasojë pengimin e zërave “kundër rrymës”, që mbyten pa mëshirë nëse nuk janë sinkron me politikën e më të fortit.
E nuk po e kuptojmë se politika po shndërrohet tashmë në arenën e vetme ku luhet edhe e ardhmja, e më fort se kurrë. Ky ndikim i saj po mbyt çdo ndjesi a normë njerëzore të solidaritetit me fatkeqësinë e tjetrit, që i mëshon vetëm polarizimit, në mënyrë që militantët të vazhdojnë të jenë radhështrënguar rreth partisë. Nuk po e kuptojmë se po humbim përditë e nga pak atë që quhet njerzillëk, e po kthehemi në zgjatime të interesave të partive politike.
Vërtetë jemi shndërruar në një shoqëri krejt indiferente?
Nuk duket kështu po të shohësh se së fundmi jemi “shqetësuar” deri në palcë nga fitorja e ekstremistëve dhe e eurofobëve në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Europian; nga “kërcënimi” që i vjen familjes për shkak të rikthimit të çështjes së të drejtave të komunitetit LGBT; apo edhe nga “e drejta” që kanë nostalgjikët e Enverit që ta përkujtojnë atë edhe në ambiente publike, sy e faqe edhe të atyre që kanë vuajtur prej tij.
Këto janë raste që na “shqetësojnë”, na bëjnë të mbushim orë televizive e faqe gazetash. Madje, si shoqëri tregojmë se kemi ecur shumë përpara, kur përkrah të kudogjendurve “analistë”, ndeshemi edhe me një kategori të re, të pahasur zyrtarisht, me emërtimin “trendy”, “aktivist i të drejtave të njeriut”. Bëhet fjalë për individë të spikatur në shoqëri, që janë ose jo pjesë e shoqatave të shumta për fat, që kanë si bazë të punës e projekteve të tyre, të drejtat e njeriut, të drejtat e grave e të familjes.
Çuditërisht asnjë nuk po gjen kurajën të shohë pa syze të errëta atë që po ndodh krejt hapur. Në qendër të Tiranës janë ngujuar në një grevë urie disa njerëz, disa prindër! Nuk ka gjasa që politika të preket e të reagojë e para, edhe pse vetë ka qenë protagoniste e grevave të urisë, jo për bukën e gojës së qytetarëve natyrisht. Media po e bën punën e saj duke e pasqyruar gjerësisht! Është koha që organizatat e shoqërisë civile apo aktivistët, të mos bëjnë më sehir, por të reagojnë, pa humbur kohë dhe pa pagesë madje!

alb365.com/balkanweb

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: Sali Berisha shpartallon grupin anti-Basha. https://t.co/R9r2HMsCIB https://t.co/JPBARzCxsh
11,311 people follow ALB365
Twitter Pic OwenFxtr Twitter Pic Zqyew Twitter Pic MilyarTa Twitter Pic emel_sal Twitter Pic Danchfil Twitter Pic Hanadi80 Twitter Pic Bougainv Twitter Pic olsimust Twitter Pic albanaHa Twitter Pic kwabbybo Twitter Pic PercjaSu Twitter Pic Ianndest Twitter Pic brent633 Twitter Pic ivicespe Twitter Pic dawifey1 Twitter Pic maycol_p Twitter Pic bs_badgu Twitter Pic angie_an Twitter Pic be_be_AT Twitter Pic koseno
Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Huliganët serbë mbërritën në Tiranë

Duket se huliganët serbë janë duke përgatitur diçka për ndeshjen Shqipëri – Serbi Në tabelën informuese në Tiranë, huliganët serbë...

Close