|E premte, Janar 19, 2018

Ngjela – Lëvizjet u bënë, arrestimet janë afër, pastaj radha e Ramës 

Lëvizjet e fundit të kryera nëpër prokuroritë e rretheve nga ana e kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku, janë për avokatin Spartak Ngjela shenja e qartë se politika amerikane dhe ajo evropiane po lëvizin me “galop” tashmë për të hapur siparin e arrestimeve të para të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar.

Është ky mesazhi që jep avokati Ngjela, I cili përmes një statusi të gjatë në rrjetin social shpjegon se shenjat janë tashmë, se ka ardhur koha që të nisë goditja që reforma në drejtësi I ka ruajtur prej kohësh zyrtarëve të korruptuar. Pas gjykatësve dhe prokurorëve rradhën e ka krimi kryeministror, shkruan Ngjela.

Për më tepër lexoni arsyetimin e plotë të avokatit Spartak Ngjela:

Ka dy ose tre ditë që antikrimi filloi luftën kundër krimit në Shqipëri.

Ky ishte hapi i parë historik i Shqipërisë drejt vendosjes së ekuilibrit moral të prishur.

Ekuilibrin moral të një shteti e mban vetëm një organ akuze steril dhe një gjykatë e pavarur dhe me personalitet moral.

Ka njëqind vjet që shteti shqiptar nuk i ka këto, prandaj ka qenë gjithmonë një skllav i krimit.

Krimi shtetëror ekziston dhe zhvillohet vetëm pasi kap dhe vë nën zgjedhë drejtësinë. Pasi bën këtë, e gjithë shoqëria shkon drejt varfërisë së popullit dhe lulëzimit të krimit që pushton gjithçka: edhe shtetin, edhe tregun, edhe arsimin, edhe kulturën, madje edhe vetë familjen: shoqëria shteron përfundimisht nga vlerat morale; sepse me paratë e fituara nga krimi blihet dhe vetë morali shoqëror dhe ai individual.

Kjo është Shqipëria e sotme: një shoqëri ku shitet dhe blihet morali shoqëror dhe individual, sepse kështu e ka katandisur krimi shtetëror këtë vend.

Vendosja e ekuilibrit moral në ndershmërinë e goditjes penale të krimit, është sot një kërkesë parësore, historike dhe akute, për shoqërinë shqiptare.

l.

Koha po tregon se edhe politika amerikanë, edhe ajo europiano-perëndimore e mbajtën fjalën përpara shqiptarëve: Prokurorja e Përgjithshme, e zgjedhur nga vetë politika perëndimore, me kurajën e një “gruaje të hekurt”, filloi pardje dhe dje eskalimin kundër krimit shtetëror në Shqipëri. Nëse do të vijojë kështu, kjo grua mund të bëhet simboli i moralit dhe virtytit të nëpërkëmbur nga krimi në shoqërinë shqiptare.

Po ajo që duhet saktësuar qartë është pyetja frontale: Si duhet të ecin ngjarjet për vendosjen e moralitetit në shtetin shqiptar?

Në lidhje me këtë –

këto ditë komisionet e Vetingut duhet patjetër t’i japin opinionit publik shqiptar testimin e dytë: eliminimin e gjyqtarëve të korruptuar që nuk mund ta kalojnë Vetingun.

Por, a pritet që reaksioni korruptiv të hidhet në sulm.

Jo, e ka të pamundur, edhe pse ai do të tentojë, por sigurisht që do të dështojë nëse dyshja Marku-Xhafaj do të dijë të qëndrojë e palëkundur dhe duke mos kursyer askënd që është i lidhur me krimin.

ll.

Sot eskalimi drejt suksesit të Reformës dhe ndëshkimit të krimit në Shqipëri varet nga konsolidimi moral antikrim i katër figurave thelbësore dhe politikës ndërkombëtare:

1. Prokurores së Përgjithshme për garantimin e akuzave.

2. Ministrit të Brendshëm për garantimin e qëndrueshmërisë morale në zbatimin e ligjit antikrim në Shqipëri.

3. Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për garantimin profesional dhe sekret të operacioneve të policisë.

4. Drejtorit të Shërbimit informativ, për dhënien e informacionit të saktë në izolimin e eksponentëve kriminalë.

5. Përkrahja pa rezervë që situatës anti-krim në Shqipëri duhet t’i japë politika amerikane nëpërmjet Zërit të Amerikës.

Nëse të pesë këta ingredientë do të jenë në koordinim të plotë, suksesi i pastrimit të krimit shqiptar do të jetë i garantuar. Le të këlthasë me paturpësi Sali Berisha, le të mblidhet i gjithë korrupsioni si detashment i trembur, asgjë nuk ndodh, sepse në një situatë kriminale, Shekspiri na ka thënë se, në të:

“njëri fle dhe tjetrin e ha vreri; kështu na qenka bora njerëzia”.

E pra, krimin do ta pastrojë nga Shqipëria ai që fle i qetë, njeriu i ndershëm, dhe jo taboret kriminale që s’flenë dot nga vreri e që duhen eliminuar në emër të virtytit shoqëror të nëpërkëmbur deri tani në Shqipëri.

lll.

Aktualisht duhet të fillojë goditja drastike me arrest pa dallim si në prokurori edhe në gjykatë, edhe në polici, por edhe në klientelën e krimit të organizuar në tre apo katër qytetet e mëdhenj të Shqipërisë.

Kjo pastaj do t’i hapë rrugën e sigurt goditjes se krimit kryeministror në Shqipëri, fenomenit parësor që ka sjellë korrupsionin në Shqipëri, në këta njëzet e pesë vjetët e fundit.

E gjithë kjo në fillim do të trembë krimin e rrugës, pastaj do të trembë klientelën dhe vetë krimin shtetëror, i cili me mendjelehtësi do të mendojë të gënjejnë njerëzit e paditur dhe të shiturit për të krijuar trazira.

Por historia e vendosjes së moralitetit në një shoqëri na ka treguar se, sapo populli sheh goditjen e hapur të krimit që i ka marë frymën, menjëherë ngrihet entuziazmi popullor në mbështetje të aktit moral drastik të organeve që e kanë marrë përsipër vendosjen e moralitetit.

lV.

Po, ka edhe diçka serioze:

Çfarë pritet të shohim në këtë situatë nga Beogradi dhe Athina?

Sigurisht do të shihet një përkrahje e ethshme që këta do t’i bëjnë krimit shtetëror shqiptar; se e dinë që atë e kanë me vetë.

Berisha dhe Meta do të kenë shumë shpresë te këta, por nuk duhet ta vijojnë këtë mëmdjelehtësi, sidomos Meta që është President, të cilin historia pastaj nuk do ta falë kurrë. Se Saliu është aq shumë i përlyer në këtë rrugë, sa realisht nuk ka më asnjë lumë që të mund ta lajë.

Në fakt kjo është kohë me pulsacione të mëdha, prandaj, nëse ata që e kanë marrë në dorë për t’i kontrolluar këta pulsacione historikë do të dinë t’i drejtojnë kah e mira, Shqipëria përfundimisht do të bëhet streha morale e prosperitetit mbarëshqiptar në të gjithë Ballkanin Perëndimor: edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni e kudo ku jetojnë shqiptarët që janë, në faktin historik, etnia më e vjetër në Ballkan.

 

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Makina përplas për vdekje 62 vjeçarin.

   Lushnje - Tjetër viktimë...

Close