|E premte, Dhjetor 15, 2017

Një largim dhe një zbritje me vetëvendosje nga politika . 

cipa-aleksanderNga ALEKSANDËR ÇIPA

Tërheqja nga drejtimi politik i lëvizjes “Vetëvendosja” i Albin Kurtit dhe largimi nga politika i deputetit dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, janë dy akte fisnike të pangjashme, në këtë mënyrë, brenda elitës politike shqiptare, në krejt hapësirën. Natyrisht janë krejt të ndryshme(!) Ngjasin prej dy figurave krejt të ndryshme dhe me identitete e përvoja politike po aq. Aktualisht, subjektet partiake të tyre, përkatësisht lëvizja “Vetëvendosja” e zotit Kurti dhe “Nisma për Kosovën” si partia më e re politike në të cilën u gjend së fundi zoti Krasniqi, gjenden në opozitë. Dhe siç ngjet rëndom, përgjatë traditës së pandryshueshme të tranzicionit të çdo lloji shqiptar, vetëlargimet apo tërheqjet nga udhëheqësia në kohën e të qenët në opozitë, nuk e fitojnë atë vëmendje që mund të kenë kur protagonistët e tyre gjenden në kohë qeverisjeje. Mirëpo vetëtërheqja e zotit Kurti dhe vetëlargimi i zotit Krasniqi meritojnë vëmendje dhe trajtim si sjellje të një ndërgjegjeje të munguar politike në masën më të madhe të elitave politike shqiptare.

Por sidoqoftë, motivi i tërheqjes nga kryesimi i Vetëvendosjes i Albin Kurtit është më sipëran dhe mbetet po aq në rol aktiv politik. Lidhet drejtpërdrejtë me një strategji të re politike vetjake dhe në emër të së ardhmes së subjektit, duke tonuar dhe krijuar rastin me vlerën e një kazusi pozitiv në demokracinë e përfaqësimit dhe atë të respektimit të statutit të subjektit. Padyshim që Vetëvendosja është në gjithë realitetin politik rajonal të shqiptarëve, e ndoshta edhe më gjerë, lëvizja më simpatike e njohur në 50-vjetëshin e fundit.

Në letrën publike të tërheqjes Albin Kurti qartësisht bën një bilanc dhe shenjon statusin në të cilin e le Lëvizjen e vet në raport me realitetin e vendit:” …Sot nuk na nevojiten ide e program i ri, por një organizatë e re, që dëshirat i bën vullnet, ankesat i bën kritikë, e zemërimin e bën aksion”. Albin Kurti përcakton publikisht targetin e elektoratit që lëvizja e vet politike përfaqëson dhe synon të fitojë edhe më gjerë si mbështetje në popull. Identifikohet pa kurrfarë kompleksi si drejtuesi politik i sapotërhequr i një lëvizjeje majtiste të thekur: “Popullsia si shoqëri është e ndarë në klasa dhe ne përgjithësisht e kemi mbështetjen e klasës së mesme. Sfida jonë vendimtare është mbështetja e domosdoshme nga të varfrit, nga ata që mezi mbijetojnë e kryesisht nuk e kanë as shkollimin e mesëm. E kemi obligim politik e moral, e kemi detyrë shoqërore e kombëtare që t’iu ndihmojmë të varfërve. Pa të varfrit në Kosovë nuk jemi me masat dhe vetëm masat i bëjnë transformimet e mëdha për të cilat Kosova ka nevojë jetike. Regjimi në fuqi nuk bie pa u ngritur të varfrit”.

Pasazhi i shkëputur nga letra e hapur e vetëlargimit, të le shijen e botëkuptimit dhe të një materiali prej manifesti neomarksist. Në fakt, pozicioni që ka vendosur të rimarrë është po aq shprehës dhe e afishon Albin Kurtin jo në tërheqje dhe largim, por në një protagonizëm që kamuflohet si në atë sloganin e keqtrajtuar të “një anëtar, një votë” në shumicën e partive politike klasike të tranzicionit postkomunist në Shqipëri. Albini tërhiqet jo për t’u larguar, por për t’i dhënë lëvizjes së tij dimensionet e një partie që do të fitojë të gjitha kapacitetet organizative për pretendim të qeverisjes në të ardhmen. “…unë do të kthehem në bazë, sepse aty nevojitem më së shumti në një kohë kur Kosovës i nevojitet më së shumti Vetëvendosja. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo për organizatën tonë. Mirëpo, që të bëhet e mundur një gjë e tillë, kam vlerësuar që nuk duhet të jem kryetar edhe këtë mandat… Nga menaxhimi prej lart duhet të kthehem te puna poshtë në mënyrë që ta lartësoj organizimin”.

Letra publike e vetëlargimit nga drejtimi, por jo nga aktivizimi politik në Vetëvendosje e Albin Kurtit, mbart të qartë itinerarin e ri të aktivitetit të politikanit që udhëtoi në fazën kryesore të jetës së vet politike si një veprimtar i shoqërisë civile. Në këtë aspekt krejt historia e Vetëvendosjes është e ndryshme nga historia e partive politike shqiptare. Ajo tashmë prej lëvizjeje po strukturohet klasikisht si të gjitha partitë politike, duke shfaqur edhe ambicien për një identitet  dhe përkatësi ideologjike, por duke mos imituar braktisjen e paskrupullt që ato i bënë kësaj përkatësie. Kjo braktisje i ka shndërruar dy partitë kryesore në Shqipëri në identitet-humbura sikundër edhe LDK-në dhe PDK-në në Kosovë.

Tërheqja me vetëvendosje e Albin Kurtit nga drejtimi i lëvizjes që themeloi nuk ka asgjë të ngjashme dhe të krahasueshme me dorëheqjet e udhëheqësve partiakë e politikë të Shqipërisë tranzicioniste, sikundër Fatos Nano më herët nga kreu i PS-së dhe së afërmi Sali Berisha nga kryetar i PD-së.

Rasti “Kurti”, shënon një stacion ndalues, por jo mbylljen e një kurbe dhe itinerari politik. Mosha dhe risitë e sjella në aktivitetin e tij politik gjatë dekadës së fundit në Kosovë, janë premisë e përhershme dhe afatgjatë e moslargimit dhe mërgimit nga politika, si protagonist.

I përkundërt është rasti i Jakup Krasniqit, ndonëse fisnikëria bëhet vlerë e largimit të tij, duke vetëndërprerë edhe mandatin e deputetit. Profili i vetvetes politike të zotit Krasniqi, i evidentuar falë një karriere dhe përvoje me kontraste të forta ndër kohë dhe periudha historike të Kosovës, bëhet edhe më i paharrueshëm, pas kësaj.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, ardhur nga radhët e aktivitetit historik të UÇK-së, i gjendur në krye të radhëve të atyre luftëtarëve që e konvertuan aktivizimin luftarak në aktivizëm politik të institucionalizuar për marrjen e fateve vetëqeverisëse në Kosovë, do të mbetet, tash e tutje, si shembull atipik i sjelljes primitive të elitës politike shqiptare. Largimi i zotit Krasniqi nga pozita e deputetit dhe kalimi i mandatit të tij te pasardhësi në listën partiake, shton kumtin se dëshira për ndryshime dhe lëvizje brenda elitës politike të shqiptarëve nuk është vetëm një utopi populiste, por edhe pjesë e një ndërgjegjeje që mbartin dhe manifestojnë aktorë brenda saj. Kësi rasti është i rrallë dhe si i tillë, ai vlen pavarësisht se nuk e tejkalon fatin e kumtuar si aprovim apo ripohim, prej Majakovskit përmes sentencës poetike për “Një”-shin.

alb365.com

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Ja shkaku i vdekjes, e dashura e gjen me litar në fyt

Një 35-vjeçar u lajmëruar fillimisht se ishte...

Close